Top 6 parqet arkeologjike ku takohet antikiteti - Into Albania

Top 6 parqet arkeologjike ku takohet antikiteti

1. Butrint

Për të kuptuar përse është parku arkeologjik më i vizituar në vend, mjafton të themi se gërsheton rrënojat greko-romake me ato paleokristiane e mesjetare. Historia dhe natyra bëhen së bashku dhe një shëtitje këtu është një nga takimet më mbresëlënëse që mund të keni me Shqipërinë dhe të shkuarën e saj. Pozicionimi pranë Sarandës, e bën dhe më të favorshme vizitën këtu, pasi fare pranë Butrintit ndodhen disa nga plazhet më të mrekullueshëm të vendit, ndaj mund të kombinoni lehtësisht turizmin kulturor me atë detar. Kliko këtu për më tepër.

Butrint

Parku Arkeologjik i Butrintit, foto nga IntoAlbania

2. Apolonia

Për të gjithë të apasionuarit pas historisë, ky qytet antik ofron të gjitha arsyet për t’u  inspiruar! Këtu ka studiuar Oktavian Augusti përpara se të kthehej në Romë e të merrte fatet e Perandorisë në dorë, e qyteti përmendet në shkrimet e Ciceronit e plot historianëve të tjerë për jetën e zhvilluar ekonomike e kulturore. Sot falë rrënojave të shumta të shpërndara në një natyrë mbresëlënëse, mund të kuptohet se jemi në një truall ku dy mijë vite më parë gëlonte jeta! Lexoni artikullin tonë të dedikuar për më tepër këtu.

Apollonia

Parku Arkeologjik i Apolonisë, foto nga IntoAlbania

3. Bylis

E nëse vizita në Apolloni ju ka shtuar oreksin për më tepër vizita arkeologjike të ngjashme, jo shumë larg Fierit ndodhet Bylisi, një tjetër qytet antik që daton që prej shekullit të katërt para Krishtit. Rrënojat e teatrit, stadiumit, shëtitores si dhe atmosfera e antikitet që përjetohet në çdo moment e bëjnë këtë destinacion një nga më të frekuentuarit ndër qytetet antike të vendit. Kliko këtu për më tepër.

Byllis

Parku Arkeologjik i Bylisit, foto nga Fation Plaku

4. Antigonea

Nëse gjendeni në Gjirokastër, nuk mund të humbisni një ndalesë në Antigone. Edhe pse qyteti antik lulëzoi për një periudhë të shkurtër kohore, ishte mëse e mjaftueshme për të na lënë si trashëgimi disa rrënoja me vlerë si ato të Nimfeut, apo objekteve të tjera publike. Në të njëjtën linjë me parqet e tjera, edhe këtu natyra përreth është tejet inspiruese, dhe do ju shtojë kuriozitetin të eksploroni dhe vendet e tjera që duken prej lartësisë së parkut arkeologjik.

Antigonea, foto nga IntoAlbania

5. Amantia

Për momentin ofron të gjithë surprizën e të gjeturi të një vendi plot me histori, që ende i ka shpëtuar mësymjes së turistëve. Rrënojat e stadiumit janë aq të gjalla sa nuk të duken aspak të largëta ditët kur këtu dëgjohej oshtima e publikut. Distanca nga Vlora nuk është e largët, në total rreth një orë e gjysëm, dhe rruga gjithashtu nuk përbën fare vështirësi.

Amantia

Parku Arkeologjik i Amantias, foto nga IntoAlbania

6. Finiq

Falë afërsisë me Sarandën, Finiqi mund të vizitohet lehtësisht për të gjithë turistët që vendosin të pushojnë aty. I eklipsuar ndoshta nga Butrinti, ky park arkeologjik që daton që prej shekullit të III para Krishtit ende ruan dëshmitë nga teatri i madh, muret e qytetit, si dhe objekte të tjera të jetës publike. Për hartën kliko këtu.

Saranda, Finiq, South Albania

Parku Arkeologjik i Finiqit, foto nga IntoAlbania

Për më tepër

Por tek sa lista e mësiperme merrte parasysh vetëm parqet arkeologjike ku nuk ka patur vazhdimësi jete deri ditët tona, në Shqipëri do të gjeni plot rrënoja antike në qytetet e mëdha që ja vlen t’i vizitoni. Ndër to më të njohurat janë Amfiteatri apo Tregu Bizantin në Durrës, Kalaja e RozafësShkodër, Kalaja e Lezhës, e plot vende të tjera.