Top 7 Destinacionet më romantike në Shqipëri - Into Albania

Top 7 Destinacionet më romantike në Shqipëri

Jeni duke kërkuar një vend intim për të festuar ditën e të dashuruarve? Shqipëria ofron disa mundësi interesante, të cilat ja vlen t’i merrni në konsideratë, për të shprehur në mënyrë sa më origjinale dashurinë!

1. Pogradeci

Nuk kishte si të mos ishte qyteti i Lasgush Poradecit në krye të listës! E ka një arsye përse tonet më të forta poetike në shqip vijnë pikërisht nga një poet i lindur e i rritur në qytetin që laget nga Liqeni i Ohrit. Pogradeci ja del të të inspirojë në çdo stinë të vitit. E nëse varkat buzë liqenit, shëtitjet e qeta në pedonale, apo fshatrat e këndshme përreth nuk do mjaftonin për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur ndjenjat, mund të blini në libraritë e qytetit një përmbledhje me poezi të Lasgushit, e do të mjaftontë t’i lexonit ato me zë të lartë:

Se s’dashuroja as un’ as ti/ Po dashuronte dashuria…”

Pogradec

Liqeni i Ohrit në Pogradec, foto nga IntoAlbania.

2. Antigonea

Jo një monument apo statujë, por rrënojat e një qyteti të tërë sot vijnë si dëshmi e një historie të vjetër dashurie! Shumë pak e dinë se Pirro i vendosi emrin e gruas së tij qytetit antik të Antigonesë, të themeluar në vitin 295 para Krishtit. Rrënojat e Nimfeut, si dhe kollonat, shëtitorja, banesa me peristil apo objektet e tjera publike, përcjellin më së miri atmosferën e antikitetit, dhe bashkë me natyrën e bukur që rrethon parkun, e bëjnë këtë të fundit një destinacion vërtet romantik që vlen të zbulohet!

Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë, foto nga IntoAlbania.

3. Ishulli i Maligradit

Imagjinoni të merrni një varkë me personin e zemrës, e të bëni një piknik të vogël në këtë ishull që ndodhet në zemër të liqenit të Prespës. Do të jeni vetëm ju, të izoluar nga bota dhe gjithçka tjetër përreth. Ishulli ka në të dhe një kishëz të vogël, Kishën e Shën Mërisë, të ndërtuar në anë të shkëmbit në vitin 1369 brenda një shpelle që ngjan vend i shenjtë. Çfarë mund të doni më shumë se kaq?

Photo Credits: wikimedia.org, Fation Plaku.

4. Korça

Nuk mundej të mungonte Korça e serenadave në këtë listë! Rrugicat me kalldrëm, vilat e këndshme, restorantet ku këndohen deri vonë këngë kushtuar dashurisë, muzetë e ndryshëm dhe kultura e përgjithshme që thithet në qytet, e bëjnë Korçën një qytet ku romanticizmi është vetiu i pranishëm. Për disa nga bujtinat më të mira klikoni këtu.

Korça gjatë mbrëmjes. Foto nga Nikol Likja.

5. Liqeni i Seferanit

Pllaja e Dumresë me dhjetëra liqenet e Belshit, është një nga vendet që ende nuk njihet sa duhet për bukurinë natyrore. Një nga liqenet që konsiderohet ndër më poetikët e tërheqësit për ngjyrat dhe qetësinë që përcjell, është ai i Seferanit. Nëse doni të qëndroni gjatë, “Bujtina e Trëndafilave” ofron disa pamje fantastike e kushte njëherësh moderne dhe intime. Në perëndim një shëtitje me varkë mbi liqenin e zbukuruar me lule e të rrethuar nga kodra të gjelbërta, do ju katapultonte menjëherë brenda një pikture të Monesë. Duke qenë se arrihet lehtësisht në më pak se 2 orë nga Tirana, nuk ja vlen ta mendosh dy herë vajtjen aty!

Lulet mbi liqenin e Seferanit, foto nga IntoAlbania.

6. Liqenet e Lurës

Është e njohur shprehja e At Gjergj Fishës, sipas të cilit “kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë”. Shtrirë në Malësinë e Lurës, janë plot 12 liqene që zbukurojnë të gjithë Parkun Kombëtar. Për fat të keq infrastruktura rrugore ende lë për të dëshiruar, por natyra e liqeneve duket se ja del të të ofrojë peizazhe të tilla frymëzuese, sa e kthen natyrshëm Lurën në një sinonim të së bukurës.

Parku Kombëtar i Lurës, Dibër. Foto nga Fation Plaku.

7. Syri i Kaltër

Mund ta keni vizituar disa herë, por shpesh në kushtet e një destinacioni të freskët vere. Mjafton pak për ta shndërruar Syrin e Kaltër në një oaz të vërtetë romantik prej të cilit nuk do të donit të dilnit. Sekreti për ta shijuar si duhet është të ikni jashtë sezonit veror, në oraret e perëndimit. Ngjyra që përftohet në pyjet përreth, gurgullima e ujit dhe qetësia që thyhet vetëm nga shpendët që popullojnë parkun, e bëjnë Syrin e Kaltër një kartolinë romantike që do të donit ta ndanit me njeriun e duhur.

The Blue Eye

Syri i Kaltër, Sarandë, foto nga IntoAlbania.

Rekomandime të tjera:

Ndërkohë vende mjaft popullore në qytete janë: Sfinksi në Durrës, Parku i Madh në Tiranë, zona përreth Shirokës në Shkodër, si dhe Kalaja e Lëkurësit në Sarandë.