Turi i UNESCO-s në Antikitetin dhe Traditën e Shqipërisë - Into Albania

Turi i UNESCO-s në Antikitetin dhe Traditën e Shqipërisë

Mijëra vjet histori shqiptare janë edhe të botës. Ato dokumentohen në tre site gjigande që e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për këdo që kërkon rrënjët e të shkuarës të njerëzimit në Evropë. Pasuritë që kapërcejnë kufijtë lokalë, janë mbrojtur mirë nga koha dhe tallazet e trazuara të betejave ballkanike. Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, ja kanë dalë të shkëlqejnë në listën që bota e qytetëruar e konsideron më shumë se të çmuar.

Butrinti

Butrinti është surpriza më e bukur që Shqipëria fsheh në kulmin e saj jugor, afër Sarandës. Një harmoni në perfeksion mes natyrës së mrekullueshme dhe arkeologjisë mijëra vjeçare. Butrinti dokumenton gjurmët e qytetërimeve antike që kanë qenë nën ndikimet e kulturave greke, romake e bizantine duke gëzuar statusin e privilegjuar të thithjes së turistëve, pikërisht për shkak të moshës shekullore. Fortifikatat dhe strukturat e rrethuara nga ujërat e liqenit të Butrintit sjellin në kohët moderne historinë e të gjitha qytetërimeve të kontinentit. Qyteti antik ngrihet mbi një kodrinë jo shumë të lartë që laget gjerësisht nga ujërat. Teatri i shekullit të IV para Krishtit është një nga zbulimet më spektakolare ku gjithçka është ruajtur mirë. Ndenjëset për spektatorët, skena e teatrit antik të cilat u pasuruan me gërmimet e herë pas hershme prej të cilave dolën në dritë statuja e objekte të antikitetit. Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture pak pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, në 1948. Por do të duhej të kalonte një gjysëm shekulli kur në vitin 1992 Butrinti të rregjistrohej në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Butrinti

Teatri në Parkun Arkeologjik të Butrintit, Sarandë, foto nga IntoAlbania.

Gjirokastra dhe Berati 

Këto dy fortifikata historike janë bashkuar në listën e trashëgimisë së UNESCO-s të vlerësuara si dëshmi të mbrojtura mirë, me shtëpi të jetesës së përditshme, sa ballkanike, aq edhe evropiane. Qytetet janë ndikuar njësoj, në të njëjtën mënyre jetese që ushqehej nga periudhat e antikitetit dhe më pas nga lulëzimi i perandorisë osmane. Të dy qytetet dëshmojnë një diversitet të pasur në stil arkitekturor, urbanistik, në etnologji, si shembuj për krejt rajonin.

Gjirokastra

Në vitin 2005, Gjirokastra iu bashkua listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për vlerat e mëdha që ofron arkitektura e qytetit të gurtë. UNESCO e konsideron Gjirokastrën si një shembull të rrallë të arkitekturës tipike të periudhës otomane. Qyteti shtrihet në luginën e lumit Drino, në jug të Shqipërisë, dhe u krijua si një qendër unike e shtëpive karakteristike që datojnë prej shekullit të XVII-të. Qyteti ruan në mënyrë të plotë Kalanë, Pazarin, apo objekte të ndryshme fetare.

Qyteti ruan integritetin urbanistik duke patur një sfidë të vështirë përpara, për të konservuar sipas standardeve ndërkombëtare vlerat unike të ndërtimit që tregojnë jo vetëm Shqipërinë, por dhe një pjesë të mirë të trashëgimisë ballkanike në botë. Qytetin e dominon kalaja, ndërtim i gjysmës së parë të shekullit të 14-të. Lagjet e banuara rreth saj me shtëpi unikale, ngrihen në një terren të thyer shkëmbor, aq sa shpesh ecja në to të duket sfiduese.

Gjirokastra

Zona Historike e Gjirokastrës nga kalaja, foto nga IntoAlbania.

Berati

Ky qytet i Shqipërisë qëndrore dëshmon bashkëjetësën e kulturave të ndryshme edhe atyre fetare. Edhe këtu Kalaja dominon kodrën e veshur nga shtëpitë karakteristike dhe objektet e kultit të periudhave të ndryshme. Qyteti i Beratit është banuar që në kohët antike. Trashëgimia shenjohet nga lagjet karakteristike Mangalem, Goricë, dhe Kala të cilat janë asete kulturore, historike të vlerësuara në vitin 2008 nën statusin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO.

Qyteti përbëhet nga një kompleks ndërtimesh me shtëpi monumentale, me kisha, xhami, teqe, si dhe fortifikime të mbetura në muret e Kalasë së qytetit. Elementë të spikatur në arkitekturën e shtëpive janë dritaret, harqet mbajtëse, strukturat e kompozuara si vijimësi çka i jep qytetit një harmoni unike vizuale. Çdo 8 korrik Berati i gëzohet pasurisë që trashëgoi, dokumentuar në kisha të vjetra, afreske mahnitëse, kodikë të rrallë me vlera botërore, xhami të jashtëzakonshme dhe teqe të gdhendura me dashurinë e besimit tek Zoti. Brenda lagjes së Kalasë, gjendet edhe Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, i cili mban disa nga kryeveprat e piktorit të famshëm shqiptar Onufri si edhe shumë vepra të tjera me vlerë të periudhës bizantine.

Berati

Lagjia e Mangalemit në Berat, foto nga IntoAlbania.