Udhëtim me varkë në Sarandë: Në zbulim të plazheve idilike - Into Albania

Udhëtim me varkë në Sarandë: Në zbulim të plazheve idilike

Varka nis e çan mespërmes dallgët, duke lënë pas Portin e Limanit. Në krye të saj qëndron Beni, një burrë rreth të 50-ave që ka disa vite që është kthyer nga emigracioni në Greqi. Ai qëndron në timon si të jetë një lundërtar i dalë nga librat me aventura, me flokë pak të gjatë e të bardhë, e lëkurë të nxirë nga dielli mesdhetar. “Dallgët i kemi kundër në vajtje, por kthimin do e shijoni akoma më shumë,’’ – na thotë ai, tek sa pallatet e Sarandës nisen e bëhen së largu gjithnjë e më të vogla.

Kepi i Qefalit

Nuk duhet të presim shumë për të bërë ndalesën e parë. Me të arritur te Kepit i Qefalit, varka pushon motorët. Gjendemi përballë një blloku shkëmbor fantastik, të vijëzuar horizontalisht me qindra linja sikur të ishin skalitur aty për vite me radhë nga ndonjë mjeshtër i skulpturës. Shkëmbinjtë lartohen mbi ujin transparent në blu të hapur e jeshile, e zhytja në këto ujëra është një prerogativ që nuk mund të humbet.

Kepi i Qefalit, Sarandë

Largimi nga Kepi i Qefalit është i thjeshtë, ngase e dimë se në kthim do të na duhet të përshëndetemi sërish me këtë vend që na i mori fjalët e na dhuroi në këmbim bukurinë, atë të vërtetën, të paveshur nga imazhe të rreme virtuale, e të pakthyer ende në një mall konsumi. Varka vazhdon lundrimin, e ndalesa e radhës është Kakomeja, që dallon dukshëm për detin ngjyrë qielli të ndezur.

Gjiri i Kakomesë

Varka hedh spirancat, e bëjmë gati gjithçka që do na duhet për të ndejtur një copë kohe të mirë në atë plazh që është thuajse bosh, e që meriton famën që gëzon si një nga plazhet më mbresëlënës të vendit. Gjerësia e gjirit është rreth 300-400 metra, dhe shpatet malore janë të veshura me bimësi që është e ruajtur mirë dhe e paprekur.

Kakome, Sarandë

Nuk e dimë sa kohë kemi që po pushojmë në Kakome. Siç ndodh përherë me vendet e paprekura natyrore, humbasim çdo nocion kohe, pasi kjo e fundit duket sikur nuk ka lëvizur nga këto anë. Kakomeja duhet thjesht jetuar, nën diell, anës dallgëve të lehta, nën ujë, duke eksploruar bimësinë, duke e vrojtuar së largu e duke u rikthyer sërish në breg për t’u siguruar se nuk është një ëndërr.

Kakome, Sarandë

Rikthimi në varkë bëhet pasi kuptojmë se nga Gjiri i Kakomesë vullneti për t’u larguar nuk mund të vijë asnjëherë natyrshëm. Përshëndesim Krorëzën, që gjendet fare pranë, e ofron të njëjtat ndjesi njëlloj si Kakomeja, me diferencën që ka dhe një bar-kafe ku mund të pini diçka nëse e keni të nevojshme.

Gjiri i Rrojdhes

Drejtimi për në Ksamil bëhet duke patur dallgët tashmë në anët tona. Varka rrëshqet me detin, e puhia e freskët të mbështjell si për të të hequr çdo ide nxehtësie. Në Rrojdhe, aty ku lundërtarët ndalojnë për t’u strehuar kur deti bëhet i frikshëm, bimësia nën ujë është aq e dendur sa i jep dhe një tjetër ngjyrë e kthjelltësi detit. Në shkëmbinjtë ujorë ka plot iriq deti, e nëse tregohesh i pakujdesshëm mund ta gjesh veten duke kaluar pjesën tjetër të udhëtimit duke hequr gjembat nën shputë.

Rrojdhe e Vogël, Sarandë

Ishujt e Ksamilit

Ndalesa e fundit bëhet në Ksamil, që mund të arrihet lehtësisht dhe me makinë. Ishujt binjakë të Ksamilit janë jo më kot kopertina e shumë albumeve të Shqipërisë turistike. Kaltërsia e ujit, dhe izolimi nga pjesa tjetër e bregdetit, i bën vërtet mahnitëse, e si ndalesë është dhe  mbyllja perfekte e një udhëtimi me varkë që na dhuron të gjitha kujtimet e verës që na mungonin.

Ksamil

The Twin Islands of Ksamil, Saranda, photo by Intoalbania

Si ta prenotoni turin

Turet nisen përditë nga Porti i Limanit, dhe udhëtimi mund të bëhet me varka të madhësive të ndryshme. Ndalesat mund të organizohen sipas dëshirës në plazhet: Plazhi i Ushtarit, Gjiri i Rrojdhes, Plazhi i Greminës, Kepi i Qefalit, Gjiri i Kakomesë, Gjiri i Krorëzës, Ksamil etj. Edhe çmimi ndryshon në varësi të udhëtimit apo kompanisë, por përgjithësisht është 20-25 euro personi.