UNUM Festival: 4 ditë feste që ndezën Shëngjinin - Into Albania

UNUM Festival: 4 ditë feste që ndezën Shëngjinin

UNUM Festival siç pritej ja doli të tërhiqte me mijëra pjesëmarrës, që për katër ditë festuan në plazhet e Shëngjinit, duke bërë të mundur që edicioni i parë të ishte një sukses i plotë!

Pritshmëritë ishin të mëdha, e për fat u përmbushën të gjitha! UNUM Festival, festivali i muzikës elektronike në Shëngjin, mblodhi me mijëra entuziastë të kësaj muzike nga Shqipëria, Kosova, rajoni e bota. Festivali i organizuar nga një ekip kosovar e ndërkombëtar ekspertësh, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, çeli kështu një emër të ri në panoramën e turizmit veror shqiptar, UNUM-in.

UNUM Festival, plazhi i Ranës së Hedhun. Foto nga IntoAlbania.

Si skenë kryesore ishte krijuar një anije e vjetër prej druri, velat e të cilës ngjanin të rrahura nga erërat e Mesdheut. Kombësitë e ndryshme të dj-ve apo edhe të të pranishmeve, eksperiencat, emocionet dhe energjia e tyre, u ankoruan në Ranën e Hedhun, duke u bërë një e vetme. Jo më kot festivali quhet UNUM (nga latinishtja – një).

Skena kryesore te UNUM Festival, foto nga IntoAlbania.

Mbi 50 dj nga e gjithë bota performuan nga mëngjesi deri në darkë nga datat 31 maj deri më 3 qershor, përmes 3 skenave të ndryshme. Skena kryesore natën e parë nisi të ndizej nga dj Shaun Reeves, e vazhdoi me të ftuar special Joseph Capriati-n, i cili i mbajti zgjuar deri në agim të pranishmit.

Dj Shaun Reeves në skenën kryesore, UNUM Festival. Foto nga IntoAlbania.

UNUM, foto nga IntoAlbania.

Plazhet fantastike të Ranës së Hedhun, me rërën dhe vijën e paprekur bregdetare, ishin terreni i duhur për të pushuar e shijuar qershorin që sapo kish mbërritur. Pavarësisht parashikimeve të motit, dielli kish blerë biletën për të qenë gjithashtu pjesë e UNUM-in, dhe mundësoi që të pranishmit të kalonin një pjesë të mirë të ditës duke marrë rrezet e para të verës, e duke bërë lojëra të ndryshme anës detit.

UNUM Festival, foto nga IntoAlbania.

UNUM, foto nga IntoAlbania.

Me në sfond muzikën e dj Mariano Mateljan, Sacha Federighi dhe Sandra Simmini nga Italia ndanë me ne përjetimet e tyre. Sacha, një dj dhe producent muzike, kishte ardhur apostafat për të parë nga afër UNUM. “Jam i surprizuar nga ambjenti, natyra, i gjithë organizimi. Më vjen shumë mirë që Shqipëria po kthehet tashmë në një vend mikëpritës për ngjarje të tilla, e do të më pëlqente të bashkëpunoja dhe vet personalisht në të ardhmen me këto evente,”- na thotë ai.

Sacha Federighi dhe Sandra Simmini në UNUM, foto nga IntoAlbania.

Virgjina Zadrima nga Ulqini i Malit të Zi, një ndjekëse e rregullt e festivaleve botërore, na tregon me sytë që i shkëlqejnë varësen e marrë si suvenir nga i famshmi Burning Man, që organizohet përvit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Burning Man është botë tjetër, univers tjetër. Shpresoj që edhe këtu mbrëmja të jetë e gjatë. Tonight is the night,” -na thotë ajo, tek sa miqtë e saj ndërhyjnë duke na përfshirë në atmosferën e këndshme të krijuar. 

Virgjina Zadrima në UNUM, foto nga IntoAlbania.

Një i ftuar nderi i UNUM-it ishte dj kileano-zvicerian Luciano, që numëron me qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale, e që përgjatë gjithë verës do të performojë në klubin e mirënjohur të Ibizas Amnesia. Për mbi dy orë Luciano përçoi të gjithë energjinë dhe adrenalinën e nevojshme tek pjesëmarrësit, që vazhduan të kërcenin tek sa dukeshin dritat e para të mëngjesit.

Dj Luciano në UNUM, foto nga IntoAlbania.

Ndër emrat e rëndësishëm të UNUM-it, vlen të përmenden gjithashtu Ricardo Villalobos,  Traumer, Franco Cinelli, Joey Daniel e plot të tjerë. Përveç skenës kryesore dhe një tjetër më të vogël anës detit, skena mes pishave tërhoqi gjithashtu interes maksimal, edhe për shkak të intimitetit e dekorit sugjestiv.

Dj Traumer në UNUM, foto nga IntoAlbania.

Skena mes pishave, foto nga IntoAlbania.

Tek sa muzika luhej ende, kishte nga ata që preferonin ta ndiqnin atë duke qenë sa prezent, aq edhe të izoluar nga pjesa tjetër e publikut. Të tillë ishin Adhurimi dhe Brikena nga Prishtina, që po prisnin lindjen anës detit.

Brikena dhe Adhurimi, foto nga IntoAlbania.

Si ndjekës të rregullt të festivaleve në rajon, ata ishin mjaft të kënaqur me eventin, e na konfirmuan se do të vinin sërish në Shëngjin nëse do të organizohej UNUM 2. Përshëndetemi me ta, me shpresën se do shihemi sërish vitin tjetër.