UNUM Festival Ngre Siparin në Shëngjin - I Pari që Organizohet në Evropë Pas Pandemisë - Into Albania

UNUM Festival Ngre Siparin në Shëngjin – I Pari që Organizohet në Evropë Pas Pandemisë

UNUM Festival i rikthehet plazheve të mrekullueshme dhe pishave të Shëngjinit, pas një viti mungesë.

Magjia e netëve të bardha të mbushura plot tinguj do të bashkojë bashkë shumë  DJ ndërkombëtare, por edhe do të sjell shumë turistë. Ky festival që njëherësh është i pari që organizohet në Shqipëri në periudhën e pas-pandemisë, ka marrë lejen e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, për të zhvilluar një organizimin fantastik. Slogani i Unumit për unitetin e natyrës, artit dhe njerëzve, synon të përcjell një ngjarje turistike dhe artistike nga ato të paharrueshme. Ashtu siç shprehen edhe organizatorët ky festival karakterizohet nga pesë elementë të thjeshtë të jetës; muzika, rëra, pisha, deti dhe malet.

Mbi edicionin e dytë të UNUM Festival

Festivali është  konceptuar pak a shumë si edicioni i parë: me 75 DJ, tri skena, aktivitete bazuar me punime artizanale duke i shtuar edhe aktivitetin e Dokufestit ku do të ketë Open Air Cinema me filma të ndryshëm dokumentar lidhur me muzikën, si edhe reklamimin e punimeve artizanale. Edicioni i dytë, pritet të sjellë drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin rreth 10 mijë të apasionuar pas muzikes elektronike. Këtë herë turistët dhe vizitorët do të kenë mundesi të dëgjojnë muzikën e tyre të preferuar përgjatë 5 ditëve dhe 4 netëve, nga data 3 deri më 7 qershor. Kjo do të jetë edhe si një mënyrë hapjeje zyrtare e sezonit turistik veror, që në fakt ka nisur nëse i referohemi numrit të lartë të vizitorëve në plazhe gjatë ditëve të nxehta. Organizatorët theksojnë se ky është Festivali i parë në Evropë dhe pa dyshim me i madhi që organizohet gjatë pandemisë, por duke i respektuar protokollet e shtetit shqiptar.
Janë marrë të gjitha masat që ky festival të jetë përveç argëtues edhe i sigurtë për të gjithë vizitorët e tij. Në 5 ditë e 4 netë do të luhet muzikë dhe do të përcillet magji nga 75 DJ të muzikës elektronike si: Ben Klock, Sven Vath, Ricardo Villalobos, Mathew Johnson, Sonja Moonear, Traumer, Raresh, etj, si dhe shumë emra të tjerë që janë në top listën e diskotekave në të gjithë botën. Janë këta artistë që në fakt me muzikën e tyre bëjnë edhe promovimin e Shqipërisë.

UNUM Festival, foto nga https://unumfestival.com/

UNUM Festival, foto nga https://unumfestival.com/

Ky edicion, pritet të jetë i një niveli tjetër me një numër të madh të turistëve deri në skajin tjetër të kontinentit. Ata që rikthehen sërish, shprehen organizatorët, do të shohin një Shëngjin të transformuar dhe krejt ndryshe.

Na ndajnë dhe pak orë nga ngritja e siparit të festivalit të Unimit dhe shumica e hoteleve kryesore janë rezervuar dhe tani po presin mbërritjen e vizitorëve e turistëve. Për informacione të detajuara klikoni në linkun https://unumfestival.com/

UNUM Festival, foto nga https://unumfestival.com/

UNUM Festival, foto nga https://unumfestival.com/