Vendet më të mira për t’u vizituar me fëmijët në Shqipëri - Into Albania

Vendet më të mira për t’u vizituar me fëmijët në Shqipëri

Harrojeni Disneyland-in dhe Legoland-in: Shqipëria ka plot vende natyrore perfekte për familjet me fëmijë. Që nga parqet natyrore tek kalatë e vjetra, vendi i shqiponjave ka plot hapësira për udhëtarët e vegjël.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta

Një  oaz natyror i paprekur që ndodhet mes Durrësit, Lushnjës dhe Fierit, ky park është një “strehë” e mirë për familjet. Parku është i karakterizuar nga pyje pishash mesdhetare, dhe në të ndodhet laguna më e madhe në Shqipëri, ajo e Karavastasë, e përbërë nga specie të ndryshme. Këtu do të gjeni mjaft shpendë, ku më i famshmi është pelikani kaçurrel, që konsiderohet një specie e rrezikuar. Në park është ndërtuar së fundmi dhe një kullë panoramike që ofron pamje mbresëlënëse mbi lagunë!

Burimi i fotos: facebook.com/parkukombetar.divjake.karavasta.

Tirana

Tirana është kthyer në një nga kryeqytetet më të gjalla të Evropës Lindore, dhe shumë familje e përdorin si stacionin fillestar prej nga nisen për të zbuluar vendin. Qyteti është një destinacion miqësor për fëmijët, falë Parkut të Madh, ku ndodhet dhe Liqeni Artificial i Tiranës, si dhe plot hapësirave të ndryshme për lojëra për fëmijë. Nëse fëmijët tuaj preferojnë natyrën e egër apo pamjet malore, vendi i duhur për të shkuar është Mali i Dajtit, parku i të cilit ndodhet vetëm një orë larg nga qendra e Tiranës. Këtu mund të ecni, reklaksoheni, bëni ngjitje, apo edhe të kaloni këndshëm në Parkun e Aventurave që do të emocionojë fëmijët tuaj.

The Grand Park of Tirana, Family Fun

Hapësirë për fëmijët tek Liqeni Artificial i Tiranës. Foto nga IntoAlbania.

Riviera

Askush nuk mund të thotë se ka qenë në Shqipëri, nëse nuk ka kaluar pak kohë në plazhet fantastike që ndodhen përgjatë Rivierës. Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar bukurinë e plazheve me guralecë apo me rërë të bregdetit të jugut, fshatrave të vjetër apo gjireve ende të panjohur. Riviera është padyshim një nga vendet më të mira për t’u vizituar nëse jeni duke udhëtuar me fëmijë. Kliko këtu për më tepër.

Livadh

Plazhi i Livadhit, foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Shkodrës

Falë historisë dhe kulturës së pasur, Shkodra është konsideruar gjithnjë si kryeqyteti kulturor i Shqipërisë. Ky qytet i rëndësishëm është gjithashtu një destinacion perfekt për t’u vizituar bashkë me fëmijët. Shkodra rrethohet nga liqeni më i madh në Ballkan, dhe ofron plot aktivitete natyrore që mund të nidqni, që nga vrojtimi i shpendëve tek varkat që lundrojnë përreth liqenit. Këtu ndodhet dhe kalaja më e madhe e Gadishullit të Ballkanit, që ofron pamje fantastike të qytetit dhe liqenit.

Liqeni i Shkodrës, foto nga IntoAlbania.

Kalaja e Gjirokastrës

Gjirokastra është një nga kulminacionet e Shqipërisë, një destinacion spektakolar i mbushur me ndërtesa të vjetra, pazarin e bukur dhe shtëpitë tradicionale. Në qytet ndodhet dhe kalaja, ku mund të vizitohet muzeu i dedikuar armëve. Mos humbisni mundësinë për t’i treguar fëmijëve armët e vjetra si dhe avionin luftarak amerikan në zonën e Kalasë.

Castle of Gjirokastra

Kalaja e Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania.

Parku Kombëtar i Valbonës

Nëse ka një vend që ja vlen të vizitohet me fëmijë në Shqipëri, ai është Parku Kombëtar i Valbonës. I pozicionuar në veri të vendit, ky park natyror është i mbushur me male të mrekullueshme, lumenj të kulluar, pyje, burime natyrore, kafshë te egra si dhe pamje mbresëlënëse. Periudha më e mirë e vitit për ta vizituar është gjatë verës, kur natyra jep më të mirën e saj.

Valbona

Lugina e Valbonës, foto nga IntoAlbania.

Parku Arkeologjik i Butrintit

Nëse fëmijët tuaj kanë dëshirë të luajnë Indiana Jones, drejtohuni për në Sarandë, tek Parku Arkeologjik i Butrintit. Ky vend fantastik është parku arkeologjik më i madh i Shqipërisë dhe i tërë Ballkanit, një vend ku kanë jetuar ilirët, grekët, romakët, bizantinët, venecianët dhe otomanët. Mos harroni të vizitoni muzeun që është i vendosur në pjesën ku më parë ndodhej akropoli, dhe jepini fëmijëvë një mundësi për t’u njohur më shumë me histroinë e kësaj zone joshëse.

Parku Arkeologjik i Butrintit.