Vila e Sali Shijakut: Mirëserdhët në Vilën më unike të Tiranës - Into Albania

Vila e Sali Shijakut: Mirëserdhët në Vilën më unike të Tiranës

Te rrugica Vildan Luarasi, një degëzim i rrugës Siri Kodra, do të hasni në një nga “thesaret” e ruajtura më mirë të Tiranës. Një vilë 300 vjeçare tiranase ku jeton e punon Sali Shijaku, i cili e ka kthyer shtëpinë e tij në një galeri arti të paçmueshme për qytetin, ku nuk mungon bari dhe restoranti.

Hyjmë në një nga ambjentet e vilës së Sali Shijakut, njërit prej piktorëve më të medhenj shqiptarë të shekullit të XX. Menjëherë na shfaqet një pikturë me dy gjela që janë gati të përballen me njëri tjetrin për të vendosur forcat në ekuilibër. Një alegori e të kundërtave që përplasen përmes disa ngjyrave të ndezura e plot jetë.

Një nga pikturat brenda shtëpisë së Sali Shijakut, foto nga IntoAlbania.

Sali Shijaku është lindur në Tiranë në vitin 1933 e ka banuar përherë në të njëjtën shtëpi, që përkon të jetë dhe një nga më të vjetrat e historiket e kryeqytetit, rreth 300 vjeçare, tek zona e njohur ndryshe si “Selvija”.

Vila është sot jo vetëm një dëshmi e arkitekturës së vjetër tiranase, por edhe e gjenialitetit artistik të Shijakut, i cili e ka kthyer në një galeri personale që mund të vizitohet lehtësisht nga kushdo. Një bar-restorant me tavolina të cilat janë vendosur bukur sa në oborr, aq edhe brenda ambjenteve të vilës, e bëjnë këtë hapësirë krejt unike nga gjithçka tjetër që mund të gjeni në Tiranë.

Galeria brenda vilës, foto nga IntoAlbania.

Shijaku kreu studimet e tij të larta në qytetin e Shën Pëtërsburgut (1956-’61), kur qyteti thërritej ende Leningrad. Ai rrëfen se si një ditë një nga profesorët e tij i pat thënë “ti je si Van Gogu, po nuk e pe leckën që fshin penelat e ke të vështirë ta krijosh me mendje, prandaj pikënisjen ta kesh përherë nga natyra.” Por sipas tij tek të gjitha pikturat ka luajtur shumë rol fantazia, edhe pse tematikat në dukje kanë qenë shumë të prekshme.

Vetësakrifimi për hir të një ideali më të madh është një nga temat e preferuara të Shijakut. I kritikuar shpesh herë gjatë diktaturës komuniste për ndikime të rrymave të tjera në pikturën e tij, Shijaku gjente te vetësakrifikimi një nga temat e përbotshme që mund ta lejonte artin e tij të vinte i plotë, përtej kufizimeve në formë e përmbajtje nga sistemi.

Sali Shijaku, foto nga IntoAlbania.

Një prej tablove më të njohura jo vetëm të Shijakut, por të artit pamor shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX, është ajo e Vojo Kushit mbi tank (1969), që sot qëndron e varur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

“Vojo Kushi” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Burimi: twitter.com, nga Carolyn Perry.

Kjo pikturë në fakt nuk do të ishte konceptuar nëse Shijaku nuk do të kish banuar në vilën ku ende jeton e punon. Vojo Kushi, një nga heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, tek sa përpiqej t’i shpëtonte rrethimit të ngritur kundër tij dhe anëtarëve të tjerë të qëndresës ndaj italianëve, kish trokitur në derën e vilës ku banon piktori. Asokohe derën ja kishte hapur pikërisht e ëma e Saliut, Deja,  e cila e njoftoi Vojo Kushin se duhet të ikte pasi ishte i rrethuar nga xhandarët dhe milicia fashiste. Shijaku kujton se si Deja qante kur shihte tablonë, pasi sipas saj e kishte pikturuar Vojon fiks si e mbante mend ajo.

Oborri i vilës, sot një bar-restorant. Foto nga IntoAlbania.

Tablo me motive heroizmi mjaft e njohur është dhe ajo e Mic Sokolit që i nxjerr gjoksin topit, që e bëri emrin e Micit gjithashtu nga më popullorët ndër heronjtë shqiptarë. Në vilë mund të shikoni disa versione të ndryshme të pikturave të sipërpërmendura.

Ambjentet e galerisë, me versionin e pikturës së Mic Sokolit. Foto nga IntoAlbania.

Legjendat dhe mitet shqiptare kanë shërbyer gjithashtu si një vend strehimi për lirinë krijuese të piktorit, që mund të luante me simbolika dhe elementë të cilët realizmi socialist nuk i lejonte. Një tjetër pikturë mjaft e njohur është ajo e Mujit, për të cilën u kritikua si një tablo në kufi me artin dekadent e surrealist, për shkak të shallit të Mujit që kishte formën e një mali apo piramide. Kur e pyetën se përse ishte bërë ajo zgjedhje, Shijaku rikujton me humor se si i ishte përgjigjur: “Ajo piramidë është mbrojtja e kufirit nga armiqtë e jashtëm.”

“Muji” një nga pikturat brenda vilës. Foto nga IntoAlbania.

Shijaku është nga ata piktorë që i pëlqen t’i rikthehet pikturave apo motiveve të tij. Na rikujton se si në vitin 1890 piktori Klod Mone pikturoi disa seri të fasadës së katedrales së Ruenit, në faza të ndryshme të ditës, ku secila prej pikturave sot konsiderohet një kryevepër më vete. Ndër tematikat e tjera të preferuara janë tablotë nga historia e Shqipërisë, peizazhet natyrore ku shpesh mund të spikasësh dordolecë apo mullinjtë, si dhe riinterpretime të miteve shqiptare. Penelat i përdor, por i pëlqen më tepër që ngjyrën ta vendosi të plotë e të theksuar, e ndaj preferon të pikturojë me gishta.

Sali Shijaku, foto nga IntoAlbania.

Piktura e fundit me të cilën po merret është ajo e Mujit që pi sisë nga Zana që të bëhet më i fuqishëm. Nudoja që përmban piktura sipas tij do e kishte çuar në burgun e Spaçit nëse do të ishte publikuar gjatë komunizmit. Në një nga herët ku u pat kritikuar për formën gjatë diktaturës, aktori Kujtim Spahivogli e mbrojti Shijakun duke thënë se “forma është aq e bukur sa e merr ndonjëherë artistin me vete dhe e çon aty ku do forma, e përmbajtja nis e harrohet.”

Dhomat e vilës janë gjithashtu hapësira ekspozite. Shohim në një nga dhomat modelin e një skulpturë gjigande që do të vendosej në qendër të Sheshit Skënderbej. Modeli u punua nga Shijaku, e përfaqësonte një Shqipëri 18 vjeçare veshur me kostum popullor që hapte krahët si shqiponjë. Paçka se statuja kishte patur mbështetje të gjerë, vdekja e diktatorit bëri që ky monument të mos e shihte kurrë dritën e diellit.

Modeli i statujës  “Shqipëria”, foto nga IntoAlbania.

Në të një nga hapësirat e shtëpisë, asistojmë dhe në një skenë fatlume, ku shohim regjizorin dhe skulptorin e njohur Muharrem Fejzo gati në përfundim të një busti në nder të mikut të tij Sali Shijaku. Fejzo njihet gjerësisht për komedinë e tij “Kapedani”, të realizuar në bashkëpunim me regjizorin Fehmi Oshafi, që është ende sot një nga komeditë më popullore shqiptare, por edhe për plot filma të tjerë.

Muharrem Fejzo duke përgatitur bustin e Sali Shijakut. Foto nga IntoAlbania.

Bari dhe restoranti tek vila janë një arsye më shumë për të vizituar këtë vend. “Mushkëria e gjithë lagjes,” siç i pëlqen Shijakut ta quajë vilën e tij, ngjan krejtësisht e izoluar nga kullat e larta e nga qyteti i zhurmshëm që zgjatohet jashtë mureve të saj. Vizitorët mund të pijnë një kafe rrethuar nga pemët e qetësia, ose të shijojnë një drekë, me muret e mbushura me kryeveprat e piktorit.

Një nga dhomat brenda vilës, ku mund të ulesh dhe për të pirë ose ngrënë diçka. Foto nga IntoAlbania.

Tirana, ashtu si e njohim sot, ka disa qindra vite histori. Tek kjo vilë 300 vjeçare, me çatinë prej druri e pikturat e njërit prej artistëve që shënoi memorjen kolektive të shqiptarëve përgjatë më shumë se gjysëm shekulli, do të mund të takoni një pjesë të mirë të kësaj historie. Por më tepër se sa për historinë, këtu ja vlen të vini dhe për t’u zhytur në artin e mendjen krijuese të njërit prej atyre emrave prej të cilëve qyteti e shoqëria marrin më tepër në këmbim nga sa i japin.