Xhamia e Et'hem Beut - Restaurimi Nxjerr në Dritë Vlerat e saj të Paçmueshme - Into Albania

Xhamia e Et’hem Beut – Restaurimi Nxjerr në Dritë Vlerat e saj të Paçmueshme

Prej dy vitesh e mbyllur si pasojë e restaurimit, Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë po i kthehet shkëlqimi dhe shumë shpejt do i rikthehet edhe besimatarëve. Puna në këtë objekt monument kulture ishte një proces i gjatë në të cilën, specialistëve shqiptarë u erdhën në ndihmë edhe ata turq. Ministrja e Kulturës Elva Margariti e cilëson si një punë të jashtëzakonshme. “Një nga xhamitë më të bukura në Shqipëri, ajo e “Et’hem Beut”, në zemër të Tiranës shumë shpejt do t’u rikthehet besimtarëve. Lutjet do të mbushin hapësirën e monumentit të konsoliduar e restauruar. Një punë e jashtëzakonshme nga specialistët shqiptarë e turq, për të nxjerrë në dritë vlerat e saj të paçmueshme!”, shprehet ministrja Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut pas restaurimit. Foto Elva Margariti

Projekti i restaurimit të një ndër xhamive  më të bukurat në Shqipëri ka nxjerr në pah jo vetëm elementë që me kohën kishin pasur dëmtime dhe qenë të mbuluar, por edhe e kanë rizbuluar këtë thesar trashëgimie.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi se punimet në këtë xhami janë në fazën përfundimtare.

“Është pothuajse e gjitha e kompletuar. Ka mbaruar e gjithë pjesa e restaurimit të afreskeve. Kjo ka qenë një nga punët më të mëdha dhe më të gjata në këtë kantier. Edhe në pjesën e themeleve është kryer gjithë hidroizolimi. Kjo besoj është një nga punët më ekselente që janë kryer në Shqipëri në restaurime të tilla xhamish”, tha ajo, ndërsa shtoi se ka përfunduar edhe pjesa e ndriçimit të jashtëm të xhamisë.

Xhamia e Et’hem Beut pas restaurimit. Foto Elva Margariti

Mbi Xhaminë

Xhamia e Et’hem Beut, është një xhami historike dhe monument kulture në mes të Tiranës, e cila nisi të ndërtohej nga stërnipi i Sulejman Pashës, Molla Beu i Petrelës në shek 18-të dhe e përfundoi i biri, Haxhi Et’hem Beu në shek 19-të. Arkitektura e saj është pjesë e turizmit kulturor në Tiranë dhe të impresionon me harqet, minarenë, dritaret e shumta, sallat e brendshme, kubenë, shkallët dhe fasadat e pikturuara hijshëm. Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore. Kupola është gjysëm sferike dhe pa dritare. Punimet e drurit në sallat e brendshme të lutjeve janë të pasura në ornamente dhe forma gjeometrike të stilizuara mjaft mirë, duke reflektuar elegancë në të gjithë kompleksin e besimit islam. Portiku, ose siç njihet ndryshe në dialektin e Shqipërisë së mesme hajati, është i shtruar me gurë që besohet se e kanë origjinën nga rrethinat malore të Tiranës. Hapësira e këtij oborri të brendshëm lejon hyrjen në pjesët e tjera ku kryhen lutjet e besimtarëve. Gjatë orëve të mbrëmjes ndriçimi i dedikuar i xhamisë krijon harmoni ngjyrash dhe formash interesante në sheshin “Skënderbej”. Me sy të lirë dallon se vizatimet e jashtme të xhamisë dominohen nga ngjyrat e ndezura të tokës.

Et’hem photo by Egzon Bytyqi
instagram.com/egzonbytyqiphoto/