Zbulohet Varri Antik Monumental në Parkun Arkeologjik të Amantias - Into Albania

Zbulohet Varri Antik Monumental në Parkun Arkeologjik të Amantias

Parku arkeologjik dhe qyteti ilir i Amantias është një dëshmi e gjallë historike e bregdetit Jonian. E ndërtuar në shek e V-të para Krishtit është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.

Parku Arkeologjik i Amantias surprizën përsëri, jo më shumë se pas një viti në këtë zonë zbulohet një tjetër monument arkeologjik.  Këtij parku i shtohet edhe një tjetër pasuri me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm historike, por edhe kombëtare. Bëhet fjalë për një varr të lashtë monumental, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer dhe është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonik.

Ishte Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë e cila bëri të ditur lajmin. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, thekson DRTK.

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë

Puna e palodhur e ekspertëve të IKTK dhe DRTK Vlora, nxorri në dritë këtë monument me vlera unikale. Varri i tipit “Maqedon” apo me mbulim me qemer siç njihet në literaturë, është nga të rrallët në vendin tonë që e ruan të plotë arkitekturën dhe e bën më të lehtë punën e ekspertëve për një studim më të kompletuar.
Sipas DRTK, falë kësaj ndërhyrje, monumenteve të shumta dhe unikale të parkut arkeologjik të Amantias i shtohet tashmë edhe një tjetër pikë e vizitueshme në itinerarin turistik.

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë

Rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, kështu që për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak, i cili mendohet që daton rreth shek. III p.Kr.

Zbulime të tilla vijojnë të hedhin dritë mbi rëndësinë e qytetit të dikurshëm të Amantias, duke shtuar po ashtu edhe më shumë kuriozitetin te vizitorët

Amantia është themeluar në shekullin e V para Krishtit, në një kodër ku lartësia maksimale arrin në 613 metra mbi nivelin e detit. E veçanta e qytetit antik janë banesat dhe fortifikatat që u ngritën në një terren të vështirë malor.

Parku arkeologjik i Amantias vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës, ku interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj për të vizituar këtë park arkeologjik nuk mungon.

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë

Monumenti Arkeologjik, Parku Amantias. Foto DRTK, Vlorë