Top 5 vendet për vrojtimin e shpendëve - Into Albania

Top 5 vendet për vrojtimin e shpendëve

Një nga aktivitetet që po merr gjithnjë e më tepër vëmendje kohët e fundit është vrojtimi i shpendëve, që ndërlidh bukur konceptin e udhëtimit dhe eksplorimit të botës së gjallë natyrore. Më poshtë po ju paraqesim Top 5 vendet në Shqipëri ku ky aktivitet mund të realizohet nga të dashuruarit e natyrës.

1. Laguna e Karavastasë

Në Shqipëri vendi më i njohur për vrojtimin e shpendëve është Laguna e Karavastasë, që është dhe laguna më e madhe në vend. Kjo lagunë është habitati më i mirë për zogjtë në të gjithë Mesdheun lindor, thotë shkrimtari amerikan Jonathan Franzen, i apasionuar pas mbretërisë së shpendëve në Shqipëri. Laguna e Karavastasë ndodhet në brendësi të Parkut Kombëtar të Divjakës, një zonë e mbrojtur për shkak të thesarit natyror që bart. Mund të gjesh fare lehtë një mori speciesh, duke filluar nga shpendët e egër të llojeve të ndryshme deri tek më i spikaturi, pelikani kaçurrel. Studiuesit thonë se pelikani i këtij lloji është një shpend në zhdukje dhe prezenca e tij në Shqipëri përbën 6.4 % të popullatës botërore. Në Divjakë ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi për të gjithë Evropën.

Fatmirësisht moratoriumi i gjuetisë dha rezultate të shpejta dhe në Lagunën e Karavastasë këtë dimër censusi tregoi se në ligatinat e zonës, janë shtuar më shumë se 7 mijë shpendë dimërorë.  Disa lloje rosash sundojnë masivisht faunën e Divjakës. Të apasionuarit kanë shansin e rrallë të shohin flamingot, lejlekët, shqiponjën e detit, shpendët zhytës në ujërat e ligatinave, çafkën e bardhë që zhurmon pyjet përreth, apo pulëbardha të përmasave të ndryshme. Një sipërfaqe masive prej 22 mijë hektarësh mbulon në dendësinë e saj bimore një sistem me diversitet të rrallë natyror.

Për hartën kliko këtu. Laguna ndodhet një orë larg qytetit të Fierit.

 Laguna e Karavastasë

Laguna e Karavastasë, Fier, Burimi: facebook.com/parkukombetar.divjake.karavasta

2. Laguna e Nartës

E tek sa kjo lagunë është mjaft e njohur më së pari për Ishullin e Zvërnecit me Manastirin e famshëm mesjetar, vrojtimi i shpendëve është një tjetër arsye e mirë përse të vizitosh Zvërnecin. Kjo është laguna e dytë më e madhë në vend, dhe shpendët e ujit këtu janë të shumëllojshëm, ku numërohen rreth 20 mijë shpendë dimërues të mbi 40 llojeve, me pelikanin apo flamingot që janë vizitorë të rregullt të lagunës. Afërsia me qytetin turistik të Vlorës gjithashtu ka ndihmuar që kjo lagunë të jetë ndër më të vizituarat në Shqipëri. Për hartën kliko këtu.

Laguna e Nartës

Laguna e Nartës, Vlorë, Burimi: argophilia.com

3. Laguna e Patokut

Klima në kompleksin ligatinor të Patokut ka bërë që flora dhe fauna e kësaj zone të jëtë mbresëlënëse, gjë që shihet dhe në numrat zyrtarë: mbi 179 lloje shpëndësh mund të shihen në lagunë, tek sa mbi 358 specie bimësh të larta dekorojnë të gjithë peizazhin. Laguna vlen të vizitohet dhe për restorantet e këndshme anës lagunës, të cilat gjenden në kasollet mbi ujë. Për hartën kliko këtu.

Laguna e Patokut

Laguna e Patokut, Lezhë, foto nga IntoAlbania

4. Laguna Kune – Vain – Tale

Ashtu si Laguna e Patokut, edhe ajo e Kune – Vain – Tale ndodhet në Qarkun e Lezhës, e vrojtimi i tyre mund të realizohet brenda të njëjtës ditë. Këtu gjejnë strehë me dhjetëra zogj shtegtarë, ku në total mund të hasen deri në 196 lloje shpendësh. Qetësia, bukuria natyrore dhe deti i paprekur kanë bërë që ky vend të vendoset në hartë nga ata që duan të bëhen njësh me natyrën. Për hartën kliko këtu.

Laguna Kune – Vain – Tale

Laguna Kune – Vain – Tale, Lezhë, Burimi: invest-in-albania.org

5. Liqeni i Shkodrës

Ky është liqeni më i madh i Ballkanit, dhe është një pikë mjaft e rekomanduar për të vrojtuar shpendët shtegtarë. Vrojtimi i shpendëve mund të kombinohet me qëndrime në restorantet tradicionale që janë të shumta në të gjithë qytetin. Falë shtrirjes përreth Shkodrës, qytetit më të madh verior të Shqipërisë, vrojtimi i shpendëve mund të kombinohet lehtësisht me qëndrime në bare apo restorante komode, e në ture ku mund të zbulohet historia, kultura dhe natyra e qytetit së bashku. Për hartën kliko këtu.

Shirokë, Liqeni i Shkodrës, foto nga IntoAlbania

Ture të mundshme në të gjithë Shqipërinë

Disa kompani turistike ofrojnë turet e tyre të specializuara për të gjithë ata që duan t’i kushtojnë kohën e tyre vrojtimit të shpendëve. Për turin e specializuar të AlbanianTrip  kliko këtu.

 

Nga: IntoAlbania

Filtro sipas

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics