Top 5 Muzetë më të vizituar të 2018 - Into Albania

Top 5 Muzetë më të vizituar të 2018

Nëse doni të keni një takim me të shkuarën e historisë dhe kulturës shqiptare, më poshtë po ju rendisim pesë muzetë më të vizituar vitin e shkuar në Shqipëri.

1. Muzeu Historik Kombëtar – Tiranë

E gjithë e shkuara e vendit kondensohet në këtë muze, duke ju mundësuar një udhëtim të rrallë në të kaluarën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga prehistoria e dëshmitë ilire, tek arti mesjetar dhe etapat e tjera të kombit e shtetit shqiptar, muzeu përshkon përmes artifakteve të shumta periudhat historike që janë gërshetuar në këtë vend. Vetë godina e muzeut është një dëshmi e periudhës komuniste, me një mozaik imponues që dominon Sheshin Skënderbej në Tiranë.

Muzeu Historik Kombëtar - Tiranë

Salla e ekspozimit së periudhës së Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar – Tiranë, foto nga IntoAlbania

2. Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu– Krujë

Ndërtuar në Kalanë e Krujës, simbolin e rezistencës kundër turqve gjatë periudhës së Skënderbeut, ky muze nuk mund të ishte vendosur në ambjent më të përshtatshëm për të dokumentar historinë shqiptare në tërësi dhe atë të Skënderbeut në veçanti. Riprodhimet e përkrenares dhe shpatës së figurës së Heroit Kombëtar shfaqen nën prezencën e një muraleje ku i thurren lavde fitoreve e sukseseve të figurës më të njohur të historisë shqiptare.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu- Krujë

Pavioni i Principatave Shqiptare në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Krujë, foto nga IntoAlbania

3. Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri – Berat

Muzeu i dedikohet njërit prej emrave më të rëndësishëm të artit mesjetar shqiptar, mjeshtrit të ikonave Onufri. Ndërtuar në Kalanë e Beratit, brenda ambjenteve të Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, prezenca sublime e ikonave të Onufrit dhe e kuqja e tij karakteristike do ju katapultojnë në një tjetër kohë, prej së cilës është e vështirë të dalësh.

Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri - BeratIkonostasi në Muzeun Kombëtar Ikonografik Onufri, Berat, foto nga IntoAlbania.

4. Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi – Shkodra

500 mijë negativë fotografish që datojnë që prej 1856, e bëjnë trashëgiminë e Marubëve  një thesar të vërtetë të së shkuarës së shqiptarëve. Shumë prej fotografive më të rëndësishme janë të shfaqura në një mënyrë moderne në Muzeun Marubi të Shkodrës, i cili është vërtet një rrugëtim në portretet, jetesën, traditat e arkitekturën shqiptare të shekujve të fundit.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi - ShkodërSalla ekspozuese në katin e parë të Muzeut Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania.

5. Muzeu Arkeologjik – Durrës

Si një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit të Shqipërisë, në Durrës janë kryer disa nga zbulimet më të rralla arkeologjike në vend. Një pjesë e tyre gjenden sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku do mund të shikoni artifakte mbi 2700 vjeçare, statuja perandorësh apo amfora të gjetura në ujë dhe objekte të tjera me rëndësi. Ciceroni i muzeut do ju ndihmojë të ndiqni rrugëtimin në histori që kanë bërë këto objekte përpara se të vinin në këtë shtëpi të fundit.

Muzeu Arkeologjik - Durrës

Salla kryesore ekspozuese në Muzeun Arkeologjik, Durrës, foto nga IntoAlbania.

New & Trending

Choose a