Top Destinacionet e Sarandës - Into Albania

Top Destinacionet e Sarandës

Qyteti më jugor i Shqipërisë është një destinacion shumë kompleks. Vendi i mirëfilltë për pushimet tuaja gjithë vitin, destinacion i mrekullueshëm për plazhe të virgjëra, vendi i gatimeve të detit, kufirit ujor me Greqinë dhe destinacion kulturor po ashtu.

Parku Kombëtar i Butrintit

Shkëlqen me madhështinë e tij Butrinti. Qyteti antik është në listën e vendeve të mbrojtura nga UNESCO, si dëshmi e kulturës njerëzore. Butrinti tregon gjurmët e qytetërimeve antike deri në periudhën bizantine. Teatri i shekullit e 4-rt para Krishtit, skena e tij, statujat dhe objektet e zbuluara ndër vite në këtë sit turistik do t’ ju lënë pafjalë kur të vizitoni kodrinën e bukur që fshihet rrëzë ujërave.

Teatri në Parkun Kombëtar të Butrintit, Sarandë, foto nga IntoAlbania

Parku arkeologjik i Finiqit 

Kjo hapësirë masive me fushëpamje të gjerë gjendet shumë pak kilometra larg qytetit të Sarandës. Parku është një destinacion ideal për të kuptuar më shumë rreth gjurmëve të hershme të qytetërimeve në tokat shqiptare. Këtu në Finiq rrëmojat e qytetit antik datojnë rreth 3 shekuj para Krishtit. Teatri i madh, shkallët rreth skenës, muret rrethuese të qytetit, bazilika, monedha të vjetra, një sërë objektesh të tjera që kanë dalë nga germimet e arkeologëve, i kanë dhënë Parkut statusin e një objekti të mbrojtur prej vitit 2005. Për të shkuar në park rruga përshkohet me makinë, bileta kushton 200 lekë dhe hapësira për tu parë është e madhe dhe shumë informative.

Saranda, Finiq, South Albania

Teatri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, Sarandë, foto nga IntoAlbania

Manastiri i Shën Kollit ose siç njihet ndryshe Manastiri i Mesopotamit

Manastiri ndodhet në fshatin Mesopotam mbi një lartësi të ngritur që e dallon në luginën jugore. Manastiri është ndërtuar nga perandori bizantin Monomako në shekullin e 11-të. Në ditët tona kanë mbetur rrënoja që për arkeologët mendohet se kanë moshë të ndryshme nga ndërtesa. Pamja e jashtme është një konstrukt masiv ku duken qartë karakteristikat e ndërtimeve bizantine të kultit. Egzistenca e plotë e një prej mureve në formën e hershme vlen për të dokumentuar trashëgiminë e monumentit.

Manastiri i Shën Kollit, Sarandë, foto nga IntoAlbania

Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve 

Rrënojat ndodhen në lindje të Sarandës. Në objektin e kultit, që autoritetet e kanë cilësuar prioritar, ruhen kolonat, dritaret, pllaka të zbukuruara dhe trarë guri. Kisha i përket shekullit të 15-të por është prekur me kalimin e kohës si rezultat i jetesës njerëzore. Burimet e Bashkisë së qytetit tregojnë se ikonat dhe ikonostasët e kësaj kishe ishin vepra me rëndësi të vlerësuara nga studiues të huaj të periudhës bizantine, por ka mendime të tjera që e çojnë ndërtimin e manastirit përpara pushtimit osman.

Manastiri i 40 Shenjtorëve, Sarandë, foto nga IntoAlbania

Sinagoga dhe Bazilika e Sarandës

Ky monument u zbulua në shekullin e kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e pallatit të Kulturës së qytetit. Gjurmët e një mozaiku dolën në pah gjatë gërmimeve, për shkak të thellësisë së vogël mbuluar nga dherat e kohës. Zbulimet nga arkeologët tregojnë se objektet i përkasin mesjetës së hershme që mund të lidhen me kalanë mesjetare të qytetit. Mozaiku megjithatë ka pësuar dëmtime nga koha dhe është formuar nga gurë me vëllim të vogël.

Sinagoga dhe Bazilika në Sarandë, foto nga IntoAlbania

Kalaja e Lëkurësit

Kalaja vështron mbi qytet dhe pamja prej saj është vërtet e mrekullueshme! Fortesa ka planimetri të rregullt me kulla që ruajnë krahët e saj. I gjithë pozicioni i kalasë është straegjik sepse duket sikur ruan kodrinën nga lëvizjet në det. Kalaja është rindërtuar për të rikuperuar shenjat e vjetërsisë dhe është përforcuar për t’i qëndruar të ardhmes. Në fortesën mbrojtëse që daton në shekullin e 16-të, dikur qëndronin ushtarë që mbronin fillesat e vendosjes së perandorisë osmane në këtë pikë jugore të Shqipërisë.

Kalaja e Lëkurësit, Sarandë, foto nga IntoAlbania

Syri i Kaltër

Një nga destinacionet më të bukura natyrore të Sarandës! Uji i ftohtë, rrjedha e nëndheshme misterioze që ka krijuar vorbullën me ngjyrë smeraldi të mahnit. Origjina e burimit të rrjedhës së ujit është bërë shkak për legjenda të shumta, që do t’i dëgjoni sapo të hyni në parkun e “Ujit të Ftohtë”. Strofkulla ujore rrethuar nga bimësia dhe rezervati i troftës pranë, janë ideale për të pushuar pas një dite të gjatë shëtitjesh në Sarandë.

The Blue Eye of Albania

Syri i Kaltër në Sarandë, dhuruar nga Egzon Bytyqi instagram.com/egzonbytyqiphoto/

New & Trending

Choose a