Turi antik i Durrësit: Një qytet i lashtë sa Roma! - Into Albania

Turi antik i Durrësit: Një qytet i lashtë sa Roma!

Një nga mënyrat më të mira për të njohur Durrësin, është duke ndjekur si të ishte një tur i posaçëm vendet apo objektet ku paraqitet e shkuara antike e tij. Dyrrahu është emri i vjetër, i ndërtuar nga Ilirët Taulantë në shekullin e Xlll-XI para Krishtit. Frymëmarrja e Durrësit është deti dhe gjurmët që kanë lënë shekujt, të cilët padyshim e rendisin atë në listën e qyteteve të vjetra sa Roma. Çdo stinë të vitit mund të vizitosh qytetin bregdetar, i cili është larg nga kryeqyteti, vetëm një duzinë  kilometrash.

Muzeu Arkeologjik

Ndalesa e parë për të çelur sytë turistikë është Muzeu Arkeologjik, ku mund të familjarizoheni me shkëlqimin e qytetit antik. Në muze do të gjeni plot objekte që përfshijnë periudhën prehistorike të Durrësit, periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek.I p.e.re. Pavionet e muzeut japin informacion të bollshëm për rendin drejtues të qytetit ndër shekuj, për zhvillimin e kulturës dhe etnografisë së tij, për jetesën e banorëve dhe mënyrën ekonomike te ndërtimit të familjeve të mëdha durrsake. Informacionet e kualifikuara lokale tregojnë se qytet dominohej nga popullsi ilire me rregulla të pasura qytetare.

Muzeu Arkeologjik

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, foto nga Intoalbania

Amfiteatri i Durrësit

E pasi të jeni njohur me disa nga momentet më të rëndësishmë të qytetit, ndalesa e radhës mund të jetë Amfiteatri i Durrësit, i cili gjendet dhe pranë qendrës së qytetit. Ndërtimi ka trajtë të lakuar e rrethore me lartësi rreth 19 metra. Studimet faktojnë ndërtimin e amfiteatrit në fillim të shekullit të dytë të erës sonë, në kohën e sundimit të perandorit romak Trajan. Forma e tij rrethore lejonte uljen e qindra spektatorëve që mendohet se ndiqnin lojërat apo ndeshjet e kohës. Gjurmët e amfiteatrit u zbuluan shekullin e kaluar dhe fatmirësisht gërmimet në hapësirën e tij prodhojnë ende lajm për botën e qytetëruar. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës mbi Amfiteatrin duke klikuar këtu)

Amfiteatri i Durrësit

Amfiteatri i Durrësit, foto nga IntoAlbania

Muret e Lashtë të Qytetit

Përgjatë rrugëtimit për tek Amfiteatri, nuk mund të kaloni indiferent pranë Mureve të qytetit, që janë ndërtuar me blloqe dhe shekujt i kanë kursyer deri në ditët tona. Masivet që shihen sot në Durrës janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I në shekullin e katërt pas Krishtit. Perandori thuhet se mbrojti qytetin me rradhë muresh prej tulle nga të cilat sot kanë mbetur disa dhjetra metra. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra dhe gjerësia u jepte epërsi ndaj sulmeve të kundërshtarëve. Pas Anastasit të Parë, ishte perandori Justinian që përforcoi muret rrethuese edhe me kulla të vogla vrojtuese sipër tyre. Gjurmët e prijësve që drejtuan Durrësin ndër shekuj kanë lënë shenja në mënyrën sesi u administruan muret rrethuese, një sistem sigurie që u vu në funksion të mbrojtjes nga pushtime të ndryshme gjatë historisë. Perandoria Osmane ishte e fundit që la gjurmët e saj në muret rrethuese duke i ngushtuar drejt krijimit të një qëndre më të vogël banimi.

Kalaja e Durrësit

Muret e Lashtë të Qytetit, Durrës, foto nga IntoAlbania

Tregu Bizantin

Shesh tregu bizantin është gjithashtu shumë pranë Amfiteatrit, dhe arkitektura e tij tregon funksionin tipik të një shesh-tregu të hapur, rrethor me porta. Në qendër të tregut ka një podium dhe një pus të cilët janë ngritur mbi një shtroje pllakash mermeri që mbulojnë dyshemenë deri pranë kolonadës. I gjithë ndërtimi si model, fragmentet arkeologjike të gjetura thuhet se datojnë periudhën e perandorëve Anastas dhe Justinian, në fillesat e shekullit të katërt pas Krishtit. (Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës mbi Tregun Bizantin duke klikuar këtu)

Tregu Bizantin

Forumi Bizantin, Durrës, foto nga IntoAlbania

Kalaja e Durrësit

Në fund të turit të objekteve historike të së shkuarës, nuk mund të lini pa vizituar Kalanë e Durrësit, ose siç njihet ndryshe Kulla Veneciane. Kulla rrethore është një nga objektet më të njohura të qytetit-port, dhe u ndërtua në shek. XV mbi rrënojat bizantine. Këtë e tregojnë blloqet që mbërritën deri në ditët tona, relievet arkitektonike dhe ekspeditat e dokumentuara të arkeologëve të shumtë. Kulla është e lartë rreth 9 metra, me një diametër të mjaftueshëm për t’i dhënë asaj kuptimin e një kulle jo thjesht për vrojtim. Turistët mund të hyjnë nëpërmjet një porte në formë harku të dekoruar me tulla. Mbi murin e lakuar të ndërtesës si cilindër duken pesë dritare të vogla, që shohin nga deti. Tarraca e kullës dekorohet me bedena që ngjasojnë me ndërtimet e kalave të vogla, brenda trupit të të cilave gjarpërojnë shkallë të brendshme guri.

Kalaja e Durrësit

Muret rrethuese të Kalasë së Durrësit, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a