Valixhja më e Lehtë Për një Udhëtim të Shkurtër - Këshilla Praktike - Into Albania

Valixhja më e Lehtë Për një Udhëtim të Shkurtër – Këshilla Praktike

Sa herë përgatitemi për një udhëtim, sado i gjatë qoftë ai, nisemi me qëllimet më të mira për të paketuar sa më pak veshje dhe sende për të marrë me vete dhe çdo here, pesha e vendimeve të gabuara na bie mbi supe. Jo vetëm kaq, por njëherë që jemi kthyer në shtëpi, kuptojmë se edhe kësaj rradhe, kemi veshur po të njëjtat xhinse, këpucë, bluzë, pavarësisht shumëllojshmërisë së opsioneve që paketuam në nisje.

Dhe çdo herë i premtojmë vetes që në udhëtimin e rradhës do të tregohemi më të kursyera, por me t’u shfaqur rasti i një tjetër udhëtimi, frika e diçkaje të papritur që mund të na gjente të papërgatitura, na shtyn të bëjmë po të njëjtin gabim: valixhe e stërmbushur.

Një valixhe e tejmbushur. Burimi Web Library.

Sigurisht fenomeni është i njohur në të gjithë botën. Ndoshta nuk ekzistojnë formula shkencore për ta shpjeguar atë, por ekzistojnë kaq shumë forume, blogje dhe eksperte që japin këshilla për një bagazh optimal, sa do të ishte keq të mos e shfrytëzonim të gjithë këtë përvojë të akumuluar. Pas një analize të detajuar të shumë prej këtyre artikujve, ndjejmë se mund t’ju përcjellim disa sugjerime praktike:

Kujdesi i parë është të kontrollojmë si do të jetë moti gjatë qëndrimit tonë në udhëtim. Më pas, mund të bëjmë një kategorizim të gjërave që na duhen në veshje, aksesorë, kujdesi personal dhe teknologjia që nuk mund të mungojnë.

Veshje
Pavarësisht nëse është verë apo dimër, ajo që sugjerojnë ekspertët është që të kursehemi në paketimin e veshjeve të pjesës inferior të trupit. Qofshin ato xhinse, pantallona të zeza, apo funde, duhet të jenë sa më pak në numër. E gjitha luhet në pjesën e sipërme. Në stinën e verës është e lehtë: nga një bluzë/t-shirt për çdo ditë qëndrimi në udhëtim. Në dimër, është e këshillueshme nga një t-shirt (apo këmishë nëse jeni tipi) për çdo ditë qëndrimi, mbi të cilën mund të shkojë një pulovër, apo akoma më mirë një triko. Kjo e fundit na krijon mundësinë të çlirohemi prej saj në çdo rast, nëse temperature është më e lartë nga ç’e kishim parashikuar. Nëse qëndrimi zgjat më pak se 3 ditë, një pulovër/triko do të ishte mëse e mjaftueshme. Kjo për sa i përket veshjes për lëvizjet gjatë ditës që shpesh nuk është e përshtatshme edhe për mbrëmjet ndaj, këshillohet të mos mungojë një bluzë/këmishë për ambientet e darkës.

Veshja “për raste”: është ajo që mund t’ju shërbejë në një rast të papritur, darkë, apo vizitë formale diku ku përjashtohet përdorimi i veshjeve të përditëshme. Zakonisht, ky është gjithmonë “ai fustani i zi”.

Fustan i zi. Burimi Web Library.

Këpucët janë problem kryesor. Duhet të jenë të bukura, si për ditët edhe për mbrëmjet dhe njëkohësisht të rehatshme. Këtu, mund të luhet me “veshjen e udhëtimit”. Duke mbajtur veshur për udhëtimin një palë atlete, kemi mundësi të paketojmë një palë këpucë të tjera. Në këtë rast, këshillohen këpucët pa qafë, të sheshta dhe me lidhëse, në stilin Oxfords. Janë të përshtatshme si me pantallona ashtu edhe funde dhe mund t’i rrijnë mirë edhe veshjes “për raste”.

Këpucë në stilin “Oxford”. Burimi Web Library.

Shumë e rëndësishme është edhe përzgjedhja e ngjyrave. Për këtë, rekomandohet të jenë ngjyra jo shumë të forta, tonalitete të bezhës apo grisë që kombinohen lehtësisht me njëra tjetrën.

“Veshja e udhëtimit” është po aq e rëndësishme për t’u dukur mirë dhe për të qënë rehat. Modeli i veshjes “qepë” në stinën e dimrit është më i përzgjedhuri pasi të jep mundësinë të heqësh shtresa gjatë qëndrimit në aeroport, në avion, apo në makinë, në ambiente të ngrohta.Pra duke përmbledhur, për një qëndrim dy ditor:

2 t-shirte/bluza/këmisha
1 pulovër/triko
1 palë xhinse/pantallona/fund
3 palë të brendëshme
1 palë pizhame (nëse i përdorni, përndryshe një kanotierë)
3 palë çorape/geta

Në ditët në vijim IntoAlbania do t’ju furnizojë me këshilla për të plotësuar bagazhet tuaja për një udhëtim të shkurtër edhe për sa i takon kujdesit personal, aksesorëve apo aksesorëve teknologjikë që s’mund të mungojnë në valixhen tuaj.

New & Trending

Choose a