Vendet përreth Pogradecit - Into Albania

Vendet përreth Pogradecit

Pogradeci është qytet nostalgjik! Ndjesinë e kupton sapo zbret rrugën kombëtare që të zbulon liqenin e pulëbardhave e mjellmave dhe koranit të famshëm. Përreth këtij qyteti, ndodhen fshatra piktoreske me hapësira të shkëlqyera për turizëm. Gjatë sezonit të nxehtë të verës, në Pogradec dhe në rrethinat e tij, gjen ajrin e pastër dhe freskinë ideale!

Fshati Lin

Fshati duket sapo zbret rrugën kombëtare që të çon në Pogradec. Është një gadishull i vogël që hyn butë në ujërat e Liqenit të Ohrit. Dikur quhej “Liqeni i Dritës” ndoshta sepse ndriçohet plotësisht nga dielli e hëna. Gadishulli banohet nga disa qindra banorë me shtëpi karakteristike të cilat krijojnë një peizazh të këndshëm me çatitë e tyre të kuqe.

Lini është tërheqës për shpirtrat artistikë! Në këtë fshat gjendet një nga mozaikët më të vjetër të rajonit lindor. Ky zbulim arkeologjik i përket shekullit te VI-t dhe është i skalitur në dyshemenë e një bazilike të vjetër. Zbukurimet mbi mozaik janë të veçantë e të punuar me ndjeshmëri. Në skajin e kundërt të gadishullit të Linit, gjen dy fshatra të tjerë, me natyrë liqenore dhe me hapësira të mira urbane për pushim.

Fshati Lin, Pogradec, foto nga Nikol Likja.

Driloni

Ky është fshat karakteristik i zonës. Rrjedhat e ujërave që derdhen në Liqen, urat e vogla me dru, lulishtet e rrethuara nga shelgjet, varkat që lëkunden mbi rrugicat ujore, e kanë kthyer këtë vend në një nga pikat më tërheqëse për turizëm. Flora dhe fauna e Drilonit janë nga më të shumëllojshmet në Shqipëri. Pyjet e freskëta të këtij fshati, ku rrjedh edhe lumi i të njëjtit emër, krijojnë një ambient të freskët e relaksues. Për këto arsye, Driloni është edhe vendi ku ish-diktatori Enver Hoxha zgjidhte të kalonte pushimet e tij!

Burimet e Drilonit, Pogradec, foto nga IntoAlbania

Tushemishti

Pas Drilonit në rradhë vjen Tushemishti. Pak kilometra larg kufirit me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, fshati është përshtatur më së miri me hotele dhe shtëpi akomoduese për vendas dhe të huaj. Rrugicat e shtruara me kalldrëm, banesa të vjetra ndërtuar me gurë përshtatur për çdo stinë, e bëjnë Tushemishtin një vend ideal për të shijuar monumentet natyrore të Shqipërisë lindore. Bukuria e Tushemishtit është pasqyruar në shkrimet e shkrimtarit të madh Dhimitër S. Shuteriqit, i cili pwrshkruan aq bukur ujërat “gushëpëllumbi” të liqenit.

Tushemisht, Pogradec, Burimi: pogradecinews24.com

Vende të tjerë me interes 

Në rrethinat e Pogradecit gjenden edhe degëzime të Rrugës së vjetër Egnatia që në lashtësi lidhte Romën me Kostandinopojën. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjurmë të jetesës së hershme në këtë njësi gjeografike të Shqipërisë, ku shquhet Selca me dëshmi domethënëse për vendbanimet Ilire. Varret monumentale të Selcës, të gërmuara në masive shkëmbinjsh, rrënojat e Kështjellës së Pogradecit ndërtuar mbi një kodrinë që sheh deri në Ohër, janë vende të rekomanduara për të apasionuarit e turizmit arkeologjik. Mos harroni se gjithashtu pranë Pogradecit gjendet qyteti i Korçës.

New & Trending

Choose a