Zbuloni natyrën përreth Elbasanit - Into Albania

Zbuloni natyrën përreth Elbasanit

Bukuritë e natyrës shqiptare të lëjnë përherë të surprizuar. Këtë do e kuptoni më së miri nëse gjendeni përreth Elbasanit, dhe doni të bëni një udhëtim në disa nga destinacionet natyrore që gjenden afër këtij qyteti. Nga liqenet e shumta tek kanionet tërheqëse, do të kuptoni se këtu vështirësia është vetëm të zgjedhësh se ku të kalosh fundjavën.

Liqenet e mrekullueshme të Dumresë

Si një kurorë e mbushur me gurë të çmuar, zona e Dumresë me 86 liqenet e saj të përmasave të ndryshme magjeps cilindo kalimtar që kërkon ta zbulojë më nga afër. Të pozicionuar në rrethin e Elbasanit, 160 metra mbi nivelin e detit, liqenet karstike njihen për veçoritë e tyre dhe peizazhet e jashtëzakonshme që krijojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Disa nga liqenet më të njohur që mund të shijoni nga afër janë ata të: Belshit, Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës etj. Për më tepër mbi liqenet e Dumresë lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu.

Liqeni i Seferanit, Belsh.

Liqeni i Zi

Ky është një tjetër liqen interesant që mund të vizitohet nëse merrni rrugën për Gramsh. Përmes formës së përzgjatur rreth 1000-1200 metra, dhe ngjyrës blu të ndezur e të thellë, Liqeni i Zi është një nga ato vendet tërheqëse ku koha ikën pa e kuptuar. Në lartësinë e 1634 metrave peizazhet e një natyre të paprekur, ku përreth liqenit shtrihen pyje me drunj shekullorë, e bëjnë Liqenin e Zi një hapësirë unike për shpirtrat e lirë e romantikë. Vetëm 4 km në jug-lindje të fshatit Lenie, kjo zonë popullohet veçanërisht gjatë muajit gusht, ku gati 200 persona në ditë ikin pranë burimit të liqenit, pasi mendohet se uji ka veti kurative. Pavarësisht faktit se nuk ka për momentin studime shkencore që të vërtetojnë vetitë shëruese të ujërave, qindra të sëmurë me reumatizëm zhyten në ujërat tejet të ftohta me shpresën se gjendja e tyre do përmirësohet.

Liqeni i Zi

Liqeni i Zi, Elbasan, Burimi: wikiloc.com.

Si të shkosh: Gramsh – fshati Lenie – Biaj, e më pas në Liqenin e Zi.

Kanioni i Holtës

Pranë Gramshit ndodhet një nga ato sekretet e bukura që natyra shqiptare e ka mbajtur të fshehur për shumë kohë, Kanioni i Holtës. Ky kanion shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Frekuentimi zakonisht nis nga periudha e pranverës deri në fillim të vjeshtës, pasi në periudha me reshje të shumta ngritja e nivelit të lumit e bën të vështirë apo në ditë të caktuara të pamundur përshkrimin e gjithë kanionit me këmbë.

Kanioni i Holtës

Kanioni i Holtës, Elbasan, foto nga IntoAlbania.

Si të shkosh: Duke ndjekur itinerarin Gramsh – Holtë. Lexo artikullin tonë përkatës mbi Kanionin duke klikuar këtu.

Ujëvara e Sotirës

Burimet e ujit që vijnë nga Mali i Tomorit e që rrjedhin përmes shkëmbinjve gëlqerorë, krijojnë Ujëvarën e Sotirës, një shfaqje fantastike natyrore që po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë turistë. Derdhjet që bien në trajtë çurgjesh nga lartësitë 20-100 metra, të bëjnë të përhumbesh totalisht në një spektakël ngjyrash e përjetimesh të forta shpirtërore.

Pasi kalohet Gramshi, ndiqet tabela udhëzuese blu për në Ujëvarë. Kur të mbërrini në Sotirë, përgatituni për ecje duke ndjekur rrugën e vetme të dallueshme. Nëse keni një makinë 4X4, mund ta bëni rrugën dhe me makinë, përndryshe lëreni mjetin lëvizës në fshat. Në Sotirë do të gjeni dhe një dyqan-restorant, ku mund të ndaloni për të ngrënë diçka. Sidoqoftë, është e këshillueshme të merrni ushqim me vete e të bëni një piknik në tarracën e blertë ku soditet Ujëvara. Për më tepër lexo artikullin tonë përkatës duke klikuar këtu.

Ujëvara e Sotirës

Ujëvara e Sotirës, Elbasan, foto nga IntoAlbania.

Si të shkosh: Gramsh – fshati Sotirë – Ujëvarë.

New & Trending

Choose a