Book Your Stay
Book Your Flight
Kjo recetë është një nga gatimet e thjeshta dhe tepër familjare në Shqipëri. Nuk kërkon angazhim dhe kohë të gjatë në kuzhinë por vetëm vëmendje për të përdorur sasinë e duhur të përbërësve.
Shëndetlija nuk kuptohet pa lagështirën e lëngut të sheqerit, ndaj kjo është përgatitja e parë që duhet të bëni. Vini gjysëm litri ujë të ziejë bashkë me 700 gramë sheqer. Në fund kur lëngu të marrë ngjyrën e kuqërremtë dhe të nisë të trashet hidhni disa fetëza të vogla limoni për të ndaluar karamelizimin e shërbetit.
5 kokrra vezë
150 gramë sheqer
150 gramë gjalpë i shkrirë
100 gramë mjaltë
100 gramë arra të grira
200 gramë miell
një lugë e vogël maja ëmbëlsire
Rrihni së bashku 4 vezë me sasinë e sheqerit që keni llogaritur për kekun. Sapo masa të jetë bërë e shkrifët shtoni gjalpin e shkrire dhe mjaltin. Do të duhet sërish një përzierje e fortë që masa e re të fitojë dendësinë e plotë edhe për shkak të mjaltit. Bashkoni miellin dhe majanë e ëmbëlsirës duke e trazuar mirë të gjithë sasinë e brumit të ëmbël. Përbërësi i fundit që do të hidhet në enë janë arrat e grira. Këtë masë të përftuar shtrojeni në një tavë të lyer fillimisht me gjalpë. Përpara se ta fusni në furrë sipërfaqen e kësaj mase lyejeni me të verdhën e një veze që nuk e keni përdorur ende. Koha e pjekjes është rreth 35 minuta, me tempëraturë standarde prej 180 gradë. Gjatë kësaj kohe lëngu i sheqerit ftohet gradualisht, ndërsa ju duhet të prisni që keku në furrë të piqet. Sapo pjekja të përfundojë, lëreni shëndetlijen e thatë të ftohet. Kujdes! Ftohja është e domosdoshme sepse kekut të gatuar nga ju do t’i hidhet sipër shërbeti i vakët.
Pasi keni hedhur shërbetin mbi kek, prisni rreth 40 minuta që e gjithë masa të jetë qullur nga lëngu i sheqerit. Ju këshillojmë t’ua jepni fëmijëve duke e shoqëruar me një gotë lëng portokalli. Për të rriturit kjo ëmbëlsirë mund të shoqërohet me lëng qitrosh ose me verë spumante të thatë.