Rafting dhe kayak - Into Albania

Rafting dhe kayak

Falë lumenjve të rrëmbyeshëm e natyrës bujare, eksperiencat e rafting apo kayaking në Shqipëri janë të mbushura me adrenalinë e emocione të shumta. Për këtë arsye, këto sporte ujore po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje, përmes dy destinacioneve kryesore ku ofrohen paketa të ndryshme rafting: Kanionet e Osumit dhe Lumi Vjosa.

Rafting në Kanionet e Osumit

Dy deri tre milionë vjet më parë, erozioni i ujit nisi të krijojë një nga mrekullitë natyrore  më të njohura të Shqipërisë: Kanionet e Osumit në Skrapar. Në një gjatësi prej rreth 14 km, sot ato mund të përshkohen lehtësisht përmes raftingut, që të jep mundësinë të vozisësh varkat prej gome nën hijen e shkëmbinjve të lartë e imponues. Eksperienca e rafting dhe madhështia e këtij vendi ka bërë që ky vend të gëzojë statusin e Kolorados së Shqipërisë.  Në një gjerësi që shkon nga 4 deri në 35 metra, vozitja mespërmes tyre zgjat 2 – 4 orë në varësi të prurjeve të lumit. Bimët që veshin shpatet dhe 8 ujëvarat e mrekullueshme që bien prej tyre e bëjnë udhëtimin vërtet të magjishëm.

Itinerari që fillon në Hambull dhe vazhdon deri në Çorovodë, është i mbushur me ndalesa që bëhen jo vetëm për të t’u shplodhur, por edhe për të shijuar natyrën e jashtëzakonshme. Ujëvara më e njohur që përbën dhe ndalesën e detyrueshme për të gjithë ata që vijnë këtu është Ujëvara e të Dashuruarve, që është kthyer prej kohësh në një nga kartolinat më të njohura të Kanionit. Tek sa plot legjenda pasurojnë të gjithë zonën, mendohet se ka plot shpella apo zgavra të ngjashme ende të paeksploruara nëpër shkëmbinj. Udhëtimi është shumë i këshillueshëm të bëhet me grupe shoqërore dhe familjare, në mënyrë që eksperienca mbresëlënëse të ndahet me njerëzit e zemrës.

Informacione të nevojshme

 Rafting në Osum nis në periudhën e muajit shkurt dhe vazhdon deri në fund të qershorit. Vështirësia e lumit gjatë këtyre muajve konsiderohet e nivelit II-III dhe nuk paraqet rreziqe, pasi të gjitha udhëtimet kryhen nën shoqërimin e guidës profesionale të specializuar. Për të lexuar të gjitha udhëzimet apo për të marrë informacione më të zgjeruara mbi rafting në Osum klikoni në faqen zyrtare të Albania Rafting Group.

Periudha më e mirë për rafting në Osum: shkurt-qershor.

Rafting në Vjosë

Lumi i kristaltë i Vjosës falë prurjeve të dendura përgjatë gjithë vitit dhe peisazheve të jashtëzakonshme të një natyre të egër, ofron kushtet perfekte për një eksperiencë rafting të paharrueshme. Turet nisin nga qyteti i Përmetit, dhe pas një trajnimi për ata që nuk kanë eksperiencën e duhur, nis lundrimi që zgjat 2 deri në 4 orë. Përgjatë rrjedhës do të ndeshni kanione, ishuj të vegjël dhe kthesa që krijojnë një eksperiencë rafting vërtet autentike.

Informacione të nevojshme

Rafting në Vjosë nis në shkurt e zgjat deri në nëntor, dhe ashtu si në Osum, të gjitha udhëtimet shoqërohen nga guidat e specializuara. Niveli i vështirësisë shkon në III-IV, dhe nuk përbën shkallë të lartë rrezikshmërie. Për të mësuar më shumë mbi udhëzimet për rafting në Vjosë apo paketat e ofruara mjafton të klikoni në linkun e bashkangjitur.

Kayak

Udhëtimi me kayak paraqet të njëjta karakteristika me ato të rafting, me diferencën që kërkon aftësi specifike e përgatitje tjetër fizike. Më poshtë po ju paraqesim disa nga paketet e organizuara të udhëtimeve me kayak që mund të bëni.

Kayak në Kanionet e Osumit apo Vjosë

Albania Rafting Group ofron paketa dhe për individët e interesuar, të cilët mund të zgjedhin të kenë varkën e tyre ose varkën e ofruar nga kompania.

Kayak në Liqenin e Komanit

Një nga turet më interesante të kayak në Shqipëri është ai që organizohet në Liqenin e Komanit, ku përgjatë 4 orëve apo një dite të plotë, mund të eksploroni nga afër natyrën e mrekullueshme të Komanit dhe të admironi malet e larta që shoqërojnë liqenin.

Kayak në Rivierën Shqiptare

Në shumicën e plazheve shqiptare do të gjeni varka ku mund të praktikoni lirisht kayak-un e të shijoni ujërat e kristalta të detit. Nëse jeni në kërkim të një turi më professional, Albania Adventure ofron një tur 8 ditor që të jep mundësinë të zbulosh disa nga plazhet dhe gjiret më të unike e të virgjëra të Shqipërisë.