''Bota Magjiplotë e Letrës'' - Të Krijosh Art Nëpërmjet Filigranit me Letër - Into Albania

”Bota Magjiplotë e Letrës” – Të Krijosh Art Nëpërmjet Filigranit me Letër

Të bësh art me letra do të thotë t’i japësh asaj një tjetër pamje të stilizuar, duke përcjell traditën dhe kulturën e një vendi.

Këtë është përpjekur të realizojë edhe Dorina Muhaj, e cila i jep një tjetër kuptim magjiplotë letrës. Gazetare në profesion, Dorina ka zgjedhur ti dedikohet pasionit të saj për quilling ose thënë ndryshe filigrani me letër. Nje zhanër sa i veçantë, por edhe i rradhë në Shqipëri. Quilling i saj mbështet në realizimin e kostumeve tradicionale të trojeve të ndryshme shqiptare, por magjia e letrës nuk ndalen vetëm tek veshjet.

Pak histori për quilling

Në botë quilling njihet prej shumë kohësh, të paktën që prej shekullit të 15-të. Mendohet se e krijuan murgeshat italiane e franceze, që të zbukuronin objektet fetare pa shumë harxhe. Filigramet e letrës krijojnë përshtypjen e gdhendjes në sipërfaqet ku ngjiten. Pastaj, u mësohej bashkë me qendisjen zonjave dhe zonjushave angleze, si një aktivitet i kohës së lirë. Kapërceu oqeanin dhe në shekullin 19-të, u njoh edhe në Amerikë. Tani është art i njohur gjerësisht nëpër botë, dhe në Shqipëri është drejt rrugës së njohjes.

Veshje tradicionale të trevave shqiptare

Dorina për IntoAlbanian shprehet se pasioni për artin në përgjithësi dhe punimet e dorës i ka pasur që e vogël (meritë e prindërve, edhe pse nuk janë artistë), por me ”quilling” është njohur në moshë të rritur, rreth 12 vite më parë, sapo ajo kishte mbaruar studimet për gazetari. Hapat e para të këtij zhanri Dorina i mori në mënyrë autodidakte, nëpërmjet tutorialeve në youtube dhe eksperimentimit në shtëpi.

”E kam nisur me kartolina të voçkla për të shoqëruar dhuratat që bëja.Tani që po ia marr dorën, shoh se ka ende shumë për të mësuar, ndaj po mendoj të bëj një kurs për teknikat e avancuara.”

Quilling për Dorinën nuk është një art i vështirë, por të sprovon durimin. Madje shumë e quajnë “arti i të duruarve”. Kur e provon, kupton pse-në. Për disa punime duhen orë e orë të tëra pune. Por, si me çdo gjë tjetër, praktika e përsos punën. 

Po të shikosh punimet futesh në një botë plot magji e traditë dhe etnografia mesa duket ka goditur që Dorina të krijoj diçka unike. E frymëzuar nga koleksioni me pulla poste të bashkëshortit, në të cilat përfshiheshin edhe kostumet tradicionale, nisi pasionin e saj, ku bëri prova pafund derisa më në fund ia doli. Falë edhe mbështetjes dhe promovimit të vajzave të ”nji mar nji mrapsht,” kornizat me kostume popullore e kapërcyen pragun e shtëpisë së saj dhe sot janë pjesë e shumë familjeve, në Shqipëri dhe jashtë.

Dorina e ka quajtur Bota Magjiplotë e Letrës, pasi prej ajo mbushet me shumë energji pozitive, madje thekson se ”sa herë mbaroj një punim, lë ca minuta që ta sodis për kënaqësinë time. Ndonjëherë më vjen keq që duhet t’i shes. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë, por e magjishme të përjetohet.”

Dorina është shembulli i mirë i të rinjve të cilët investojnë në pasionin e tyre dhe mbajnë gjallë traditën dhe punët artizanale shqiptare.

”Besoj se pasioni është një shtysë e madhe për të mos u dorëzuar kollaj dhe jam shumë e lumtur që ka plot të rinj e të reja që kanë gjetur veten te artizanati.”

E nëse jeni të interesuar për të parë punimet e Dorinës, mjafton ta ndiqni në faqen e saj në instagram ‘bota magjiplotë e letrës‘. 

New & Trending

Choose a