E Kanë Parë, e Kanë Dëgjuar dhe do ta Rishohin - Nisma Merr Mbështetje Maksimale nga Publiku - Into Albania

E Kanë Parë, e Kanë Dëgjuar dhe do ta Rishohin – Nisma Merr Mbështetje Maksimale nga Publiku

Sot, në ArTurbina, ora 19:00 shfaqet komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”. Kjo është një nga shfaqjet më të suksesshme të sezonit të kaluar teatror, me 27 rivënie në skenë dhe që ka shëtitur në shtatë qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe kudo, sallat kanë qenë plot. Kësaj rradhe shfaqja rikthehet me një mision; mbështetje pë një nga familjet e dëmtuara nga tërmeti.

Në Festivalin e Komedisë, në Preshevë, kjo shfaqje është vlerësuar me çmimin e “Regjisë më të mirë” dhe si “Shfaqja më e mire” e edicionit të XV-të.

Aktorët pas vlerësimit në Preshevë. Burimi, Web Library

Nga njëra anë mjeshtëria e autorit bashkëkohor grek Giorgos Theodosiadis dhe nga ana tjetër emrat e aktorëve në skenë, janë arsyet përse kjo shfaqje është duartrokitur kaq fort. Dhe mesazhi është kryesori: të vlerësojmë mundin e vazhdueshëm për “normalitet” të personave me aftësi të kufizuara, por që të kufizuar nuk ndjehem, ndaj të mos i trajtojmë si të tillë.

Arti është gjithmonë një medium i mirë për të zbutur shpirtin dhe për të përçuar mesazhe me vlerë jetësore.

Moment nga shfaqja. Burimi, Web Library

Në fjalët që ka zgjedhur për të shoqëruar shpërndarjen e artikullit të IntoAlbania-s në median sociale Facebook, lidhur me këtë shfaqje, gazetarja Zefina Hasani, ndër të tjera thotë:

“Unë e kam parë disa herë këtë shfaqje, por do të shkoj ta shoh prapë më dt. 5 dhjetor, këtë herë për një mision kaq të madh: për të kontribuar për familjen në Thumanë”.

Dhe mesa duket, kështu e mendojnë shumë Shqiptarë. Pas një telefonate me biletarinë e teatrit, për t’u informuar lidhur me interesin e publikut në fakt, na konfirmuan se prenotimet kanë qenë të shumta, ka nisur shitja e biletave dhe të gjithë kanë mirëpritur çmimin e posaçëm të biletës, prej 1000 Lekësh.

Kujtojmë që të ardhurat e mbledhura nga kjo shfaqje, do të shkojnë për të ndihmuar dy anëtarët e familjes Cuka në Thumanë, që në tërmetin e 26 nëntorit, humbën dy njerëzit e tyre të dashur, djalin 18 vjeçar dhe nënën e tij.

Nëse doni t’i bashkoheni ndihmës, mund të rezervoni në numrin e telefonit: 0695717746

New & Trending

Choose a