Fundjavë mes Antikitetit - Fieri Turistik Siç Nuk e Njihni - Into Albania

Fundjavë mes Antikitetit – Fieri Turistik Siç Nuk e Njihni

Nëse doni një çlodhje të plotë nga rutina, provoni të shkëputeni nga jeta monotone për të përjetuar disa emocione të pakrahasueshme në rrënjët e qytetërimeve të lashta Ilire në Shqipëri.

IntoAlbania dhe One Telecomunication, ju fton në një udhëtim pas në kohë në qarkun e Fierit, të rrethuar nga disa prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimeve të lashta, kulturës, historisë dhe sigurisht natyrës së mrekullueshme.

Vizitë në Tokat e Taulantëve ku mbretëron Apollonia

Padyshim që vizita juaj e parë, e cila do t’ju bëjë të shijoni copëza nga e kaluara të ndërthurura me një pamje të jashtëzakonshme të bregdetit të Adriatikut, është Apollonia. I shpallur si Park Arkeologjik, ky është edhe parku më i madh i këtij lloji në Shqipëri. Emrin e mori në nder të perëndisë Apollon dhe u themelua në fillim të shek. VII para Krishtit në tokat e Taulantëve, nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.

Ndër 24 qytete në të gjithë mesdheun që mbanin këtë emër në antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.

Në një dimesion tjetër, Apollonia mund të shihet brenda manastirit të saj, i cili sot është kthyer në muze arkeologjik. Aty gjenden të ekspozuara rreth 800 objekte, duke e kthyer atë në një nga muzetë më të pasur në Shqipëri.

Bylisi, qyteti më i madh i Ilirisë Jugut

Jo më kot thamë që Fieri rrethohet nga gjurmë të shumta të antikitetit!

Shumë pranë tij ndodhet edhe një tjetër park arkeologjik tejet i rëndësishëm, ai i qytetit më të madh në Ilirinë e jugut, Bylisit. Rrënojat e teatrit, stadiumit, dy shëtitoreve dhe të banesave të ndryshme, dëshmojnë zhvillimin që në shek. e IV para Krishtit dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore më e veçantë në vendin tonë.

Manastiri i Ardenicës, nga martesa e Skënderbeut tek biblioteka unike

Në qarkun e Fierit, përgjatë rrugës Fier-Lushnje ndalesa është Manastiri i Ardenicës. I pagëzuar nga vendasit si “Kështjella e Myzeqesë”, ky objekt kulti i fesë ortodokse, qëndron plot hijeshi në majë të kodrës më të lartë të zonës, i rrethuar nga qiparisët e lartë që i japin edhe më tepër hijeshi. Dyshohet se përpara ndërtimit të Manastirit, aty gjendej një tempull pagan kushtuar perëndeshës së gjuetisë dhe motrës së Apollos, Artemisa.

E pikërisht prej saj do të rridhte dhe emri Ardenicë. Fillimisht ndodhej vetëm Kisha e Shën Triadhit, ajo që rreth shek. të X-të la gjurmën e parë të krishtërimit dhe më pas u ndërtua edhe Manastiri. E dhëna më interesante historike është kurorëzimi në martesë i Skënderbeut me Donikën në prill të vitit 1451. Gjatë shekullit të XVII-të – XVIII-të, Manastiri u bë i njohur dhe për bibliotekën e tij të pasur, i cili kthye në një vatër të rëndësishme të mësimit të gjuhës shqipe.

Natyra e Egër, pyje, pisha e det i pastër  

Mbas vizitave në këto qendra me rëndësi historiko-kulturore, me siguri do të dëshironi të çlodheni dhe pse jo të shijoni edhe natyrën e mrekullueshme. Krahas plazhit të Semanit dhe Darëzezës, IntoAlbania sugjeron të vizitoni plazhin ende jo shumë të njohur të Pishë Poros. Kjo zonë e mbrojtur natyrore, karakterizohet nga pyje me pisha dhe një det të pastër në të cilin ja vlen të shijoni një zhytje dhe të pushoni mbas një dite fantastike ndjesish lashtësie.                                                                               

New & Trending

Choose a