Valbona Kayak Fest – Ujërat E Krisaltë Të Valbonës Mbledhin Lundrues Nga Bota - Into Albania

Valbona Kayak Fest – Ujërat E Krisaltë Të Valbonës Mbledhin Lundrues Nga Bota

Shpesh kemi dëgjuar për bukurinë mahnitëse të zonave veriore të Shqipërisë, që karkaterizohen nga lumenj, ujëvara, pyje të pafundme, shpella dhe maja malesh qiellgërvishtëse që shfaqen ngado duke dhuruar një panoramë të paharrueshme. Por veriu i vendit, ka shumë për të ofruar!

Për ata që pëlqejnë sfidat dhe adrenalinën, lumenjtë e kristaltë e të rrëmbyeshëm, ofrojnë praktikimin e sporteve lumore si kajaku.

Një sport jo shumë i dëgjuar në Shqipëri, por që ka një potencial të madh si në aspektin e turizmit por edhe në atë personal nëse flasim për pasionet vetjake.

Mjafton një varkë e vogël, pajimet e duhura dhe guximi, për të shijuar rrjedhën lumore që të drejton nëpër luginë dhe zbulon peizazhe që zorr se shijohen në ndonjë mënyrë tjetër. E pse të mos i shijojmë bukuritë që na ka falur natyra në mënyrën më të mirë?

Për të promovuar këtë lloj sporti, eventi i mbajtur së fundmi “Valbona Kayak Fest” mblodhi dhe trajnoi pjesëmarrës vendas por edhe të huaj.  

Çfarë ndodhi në “Valbona Kayak Fest”

Në fshatin Gri të Bajram Currit u mbajt fundjavën që shkoi “Valbona Kayak Fest”, një organizim tërësisht vullnetar nga lundrues të huaj dhe vendas, që dëshirojnë të zhvillojnë sporte të cilat në të ardhmen mund të shfaqin një interes të madh si për turisët e apasionuar pas aventurës por edhe për komunitetin vendas.

 “Dëshira jonë ishte jo vetëm që të promovonim potencialin e sporteve që mund të praktikohen në lumenj, por edhe të afronim dhe të njihnim komunitetin vendas me këto varka të çuditshme që lundrojnë pranë shtëpive të tyre.”, thotë Chris Schawaab një prej instruktorëve dhe organizatorëve.

Më tej ai shprehet se sportet e lumenjve ofrojnë mundësinë për të mësuar shumë për veten, talentet, frikën, për ndërveprimin social ndërsa mësojmë më shumë për natyrën, mjedisin ku jetojmë dhe si mund ta përdorim atë në mënyrë bashkëpunuese.

Bollëku i bukurive natyrore të zonës, e bëjnë vendin të përshtatshëm për kajak dhe aktivitete të tjera rekreative në natyrë.

Pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe shtete të tjera, me një dashuri të madhe për natyrën dhe sportet, ndanë eksperiencën dhe njohuritë e tyre.

Ata ngritën kampin në hapësirën e dedikuar, për të përjetuar çdo ditë emocionet që kajaku ofron, dhe për të shijuar pamjet befasuese të alpeve.

“Qëllimi kryesor ishte mbledhja në veri të Shqipërisë, e dashamirësve të lumenjve dhe ofrimi i njohurive bazë të kajakut për banorët vendas.”

Potenciali i lumejve për turizëm është i madh dhe kajaku mund të jetë një nga atraksionet kryesore. Prandaj, kjo ngjarje e organizuar për herë të parë tërhoqi vëmendjen në zonë por edhe më gjerë.

Organizatorët e ngjarjes udhëhoqën me profesionalizëm grupet e të rinjve duke u mësuar bazat e sportit, dhe duke e kthyer këtë në një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë.

Ndërgjegjësimi për rëndësinë e sporteve dhe respekti për natyrën janë faktorë thelbësorë në promovimin e turizmit, vlera të cilat u përcollën edhe gjatë aktivitetit.

Aktiviteti u mbyll me shpresën që më shumë ngjarje të tilla të mbahen në të ardhmen, duke frymëzuar më shumë njerëz të merren me kajak dhe të vlerësojnë natyrën në të gjitha format e saj. /IntoAlbania

New & Trending

Choose a