24 orë në Krujë - Into Albania

24 orë në Krujë

E njohur si kryeqendra e Heroit Kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Kruja është një nga destinacionet më të vizituara turistike në vend. Kalaja, muzetë, pazari, natyra! Të shumta janë arsyet se përse duhet të bëni një ndalesë në këtë qytet. Si ta organizoni sa më mirë vizitën tuaj? Më poshtë po ju paraqesim në formë itinerari vizitën e Krujës në një ditë.

Mëngjesi

Në Krujë, do të gjeni plot kafene tipike ku mund të shijoni pijen e ngrohtë e të përgatisni forcat për një ditë të mbushur me lëvizje. Një ndër pikat ku serviret kafja më e mirë është Bar (Hotel Restorant) Panorama, ku pamja e të gjithë Krujës është kartolina më e mirë e mirëseardhjes në qytet.

Pazari i Vjetër

Pranë barit ndodhet hyrja e Pazarit të Vjetër të Krujës, që është pazari më i njohur e që përbën ndalesën e parë të rëndësishme në qytet. Në dyqanet e tij do të gjeni artizanët e traditës të cilët mjeshtërisht punojnë qilimat tradicionalë, qeleshet, punimet e argjendit, bakrit, si edhe plot suvenire të veçantë. Të shumtë janë ata që e vizitojnë këtë Pazar edhe për antikuaret e shumta që mund të gjenden aty, me tregtarët e gatshëm që t’ju rrëfejnë historikun e objektit për të cilin interesoheni.

Pazari i Vjetër në Krujë, foto nga IntoAlbania

Mesdita

Fundi i Pazarit përkon dhe me rrugën e ngjitjes drejt Kalasë së Krujës, simbolit të qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane, që përbën dhe ndalesën e dytë gjatë udhëtimit tuaj.

Kalaja e Krujës

Kalaja e Krujës zuri një nga vendet më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së Skënderbeut, i cili ngriti aty për herë të parë flamurin me shqiponjën dykrenare në 28 nëntor 1443. Për 25 vite flamuri u valëvit krenar në Krujë, gjatë një periudhë luftrash të suksesshme të cilat edhe pse mbaruan me vdekjen e heroit, sërish frymëzuan për shekuj me radhë luftën e kombit shqiptar për pavarësi.

Castle of Kruja

Kalaja e Krujës, foto nga IntoAlbania

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu

Brenda Kalasë gjendet dhe Muzeu kushtuar jetës dhe luftrave të Skënderbeut, që është një nga muzetë më të njohur të Shqipërisë. Aty do të gjeni edhe kopjen e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, origjinalet e të cilave gjenden në Vienë. (Për më tepër kliko këtu)

National Museum "Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Krujë, foto nga IntoAlbania

Dreka

Në të djathtë të Muzeut ndodhet Bar Restorant Alba, një restorant tradicional ku mund të pushoni për të ngrënë drekën. Menuja ofron të gjitha pjatat tipike shqiptare, dhe ambjenti është në harmoni të plotë me të shkuarën e Kalasë.

Muzeu Etnografik

Pasi të keni pushuar e shijuar drekën, brenda Kalasë është një tjetër muze ku duhet të ndaloni. Muzeu Kombëtar Etnografik është ndërtuar në një vilë të ‘700-ës, ku pasqyrohen më së miri arkitektura e kohës, jeta e banorëve të zonës, objektetet me rëndësi, si dhe veshje karakteristike të ruajtuara përgjatë shekujve.

Castle of Kruja, National Ethnographic Museum

Muzeu Kombëtar Etnografik, Krujë, foto nga IntoAlbania

Pasdite

Bëhuni gati të largoheni prej Krujës historike e kulturore, e të zbuloni atë natyroren, që është lehtësisht e vizitueshme nëse jeni me mjet transporti.

Mali i Sarisalltikut

Kjo është dhe ndalesa e tretë e udhëtimit tuaj. Vetëm 20 minuta me makinë nga Kruja gjendet Mali i Sarisalltikut, i famshëm dhe për Teqenë me të njëjtin emër. Tek sa me mijëra pelegrinë bektashianë e vizitojnë Malin duke e konsideruar të shenjtë, të shumtë janë edhe turistët që duan të shohin peizazhet fantastike që duken prej aty lart, përfshirë detin Adriatik apo kodrat e liqenet përreth.

Sari Salltik

Mali i Sarisalltikut, Krujë, foto nga IntoAlbania

Mbrëmja

Në mbrëmjë, për të gjithë ata që duan të qëndrojnë në Krujë, sugjerohet rikthimi tek Bar Restorant Panorama, ku mund të shijoni darkën në restorantin që konsiderohet më i miri i qytetit.

New & Trending

Choose a