UNUM FESTIVAL: 4 ditë të paharrueshme muzike dhe natyre - Into Albania

UNUM FESTIVAL: 4 ditë të paharrueshme muzike dhe natyre

Në plazhet  tërheqëse të Shëngjinit, nga data 31 maj në datën 3 qershor, do të organizohet një festival muzike elektronike që do të sjellë mbi 60 dj nga e gjithë bota.

Jeni gati për eventin muzikor që pritet të shënojë vitin turistik 2019 në Shqipëri? UNUM Festival, i organizuar nga një ekip kosovar e ndërkombëtar ekspertësh, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, do të ndezin bregdetin e Shëngjinit, ku mbi 10 mijë pjesëmarrës pritet të festojnë nën ritmet e muzikës elektronike.

Rana e Hedhun, një nga ambientet ku do të organizohet festivali. Foto nga IntoAlbania.

Filozofia

“UNUM vjen nga latinishtja e do të thotë një. UNUM Festival qëndron pikërisht për bashkim. Bashkimin e njeriut me natyrën; e  natyrës me muzikën; e vetë muzikës, si forca universale bashkuese e të  gjitha elementeve kulturore. Si i tille, festivali do të bashkojë të  rinjtë nga kultura të ndryshme përmes dashurisë së tyre për muzikë të ndryshme, kujdes për mjedisin dhe interes në zbulimin e tokave të reja  dhe të bukura.”

Të gjithë numrat e festivalit

Mbi 60 dj të njohur nga e gjithë bota do të performojnë muzikën e tyre elektronike, tekno apo house, ku ndër emrat më të njohur vlen të përmenden ato të Joseph Capriati, Luciano-s apo Ricardo Villalobos. Janë tre skena që do të ndezin atmosferën e UNUM, të vendosura rrëzë pishave, detit apo malit, tek sa një boat party do të shoqërojë UNUM-in përgjatë gjithë ditëve.

Lista e dj-ve të ftuar. Burimi i fotos: unumfestival.com.

Mbi 10 mijë të pranishëm pritet ta kthejnë Shëngjinin në kryeqytetin turistik të fund majit e fillim qershorit në Shqipëri. Plazhet fantastike të Ranës së Hedhun, me rërën e artë dhe vijën e paprekur bregdetare, do të mbushen nga të rinj që do të festojnë në çdo orë të ditës, me plot oferta interesante të zbulimit të zonës përreth apo turizmit shqiptar.

Paketat

Organizatorët duan që festivali të jetë joshës si për turistët e huaj, ashtu edhe për vendasit, ndaj kanë krijuar paketa të ndryshme përmes të cilave mund të bëheni pjesë e festivalit. Në krijimin e këtyre paketave është krijuar një bashkëpunim me hotelet dhe bujtinat më të mira të zonës përreth Shëngjinit.

Harta e hoteleve. Burim i fotos: unumfestival.com.

Për të patur akses në të gjitha ditët e UNUM-it, bileta kushton 139 euro, dhe përfshin në çmim dhe autobuzin e festivalit (kjo ofertë mund të ndryshojë në varësi të periudhës kur e bleni).

Gjithashtu, ka paketa qënisin që nga 239 euro me akomodimin për të trija netët, ku përfshihet në çmim transferta në aeroport si dhe autobuzi i festivalit. Për ata që duan një akomodim më ekskluziv, UNUM ka krijuar gjithashtu paketa të posaçme, mjafton të klikoni këtu.

4X5

Kjo është një nga ofertat më popullore të UNUM, ku nëse jeni katër miq që keni blerë paketën e plotë hyrësë për të katër ditët e festivalit, fitoni një biletë falas. Ndaj nëse jeni katër, mendoni dhe për mikun apo mikeshën e pestë që do të donit t’ju bashkohej!

Poster i eventit. Burimi i fotos: unumfestival.com.

Ç’duhet të dini tjetër

Fundi i majit dhe fillimi i qershorit përkojnë dhe me fillimin e sezonit të plazhit, ndaj të pranishmit do të kenë fatin të shijojnë plazhe si Rana e Hedhun, me atmosferën tipike mesdhetare që mbizotëron.

Duhet të mbani parasysh se UNUM organizohet dhe në qarkun e Lezhës, që mbahet si djepi i kuzhinës së re moderne shqiptare, ndaj të pranishmit përveç festës që nuk do të perëndojë për katër ditë rresht, do të mund të bëhen pjesë e plot eksperiencave unike gastronomike.

Edhe për sigurinë janë marrë masa specifike, ku askush jashtë festivalit nuk do të lejohet të hyjë, ndërsa të gjithë të pranishmit do të kenë byzylyk identifikues.

Si të mbërrini

Kudo të ndodheni, UNUM ka menduar dhe për ju. Mjafton të vizitoni unumfestival.com, apo edhe adresën residentadvisor.net, e do të gjeni aty të gjitha alternativat e mundshme të udhëtimit për të mbërritur në Shëngjin.

E nëse ende nuk jeni inspiruar për të qenë pjesë e UNUM, ju ftojmë të shikoni këtë videon këtu: