Aktivitete në natyrë përreth Beratit - Into Albania

Aktivitete në natyrë përreth Beratit

O Berat ç’e pate fat!

Është e pashmangshme mos të të kujtohet kjo shprehje kur nis e flet për bukuritë e shumta që Berati ofron. Sikur të mos mjaftonte fakti se është trashëgimi botërore e UNESCO-s, edhe natyra ka derdhur fantazinë e saj përreth këtij qyteti, duke krijuar disa nga destinacionet më tërheqëse për aktivitete outdoor në Shqipëri. Më poshtë po ju paraqesim disa prej këtyre vendeve ku mund të shkoni në Qarkun e Beratit:

Ngjitje në Tomorin shpirtëror

Nëse keni vizituar qytetin e gurtë të Beratit, nuk mund t’ju ketë shpëtuar pa vënë re prezenca imponuese e Malit të Tomorit, që konsiderohet nga të gjithë si Olimpi i Shqiptarëve. Është një nga destinacionet e hiking më popullor në Shqipëri, falë sipërfaqes prej rreth 4000 ha të Parkut Kombëtar të Tomorit të mbuluar nga pyjet e ahut dhe Rrobullit. Tomori konsiderohet dhe një nga vendet e pelegrinazhit më të rëndësishëm në Shqipëri, pasi me qindra mijëra pelegrinë ngjiten tek Teqeja e Kulmakut apo Tyrbja e Abaz Aliut gjatë datave 21-25 gusht.

Ngjitje në Tomor

Teqeja e Kulmakut në Tomor, Berat, Burimi: kinderweltreise.de

Ngjitje me mushkë dhe alpinizëm

Por Tomori është më tepër se sa vetëm shtëpia e legjendave apo udhëtimeve shpirtërore e fetare. Në 2416 metra lartësi, të shumtë janë ngjitësit që duan të sprovojnë veten në këtë mal të izoluar nga të tjerët e të mbushur me peizazhe spektakolare. Gjatë dimrit, alpinistët i duhet të përballen me borën që tek sa vesh majën dhe vështirëson rrugëtimin, e bën ngjitjen e tij akoma më intriguese. Tenda të shumta kampingu do shihni të shpërndara përgjatë gjithë vitit, ku nuk mungojnë dhe ata që zgjedhin ta eksplorojnë Tomorin përmes shëtitjeve me karvanë me mushkë.

Ngjitje në Shpirag

Nuk konsiderohet mal i shenjtë si Tomori por shpatet e buta të Shpiragut dhe lartësia e ulët e bëjnë ecjen dhe ngjitjen në këtë mal mjaft të thjeshtë e të pëlqyeshme për këdo. Mund të shikoni dhe nga afër se si është shkruar NEVER (KURRË), aty ku më parë shkruhej ENVER. Në krah të djathtë të rrugës që të shpie për Shpirag gjendet dhe Ura e Velabishtit, që i përket shekullit të XVIII.

Ngjitje në Shpirag

Mali i Shpiragut, Berat, foto nga IntoAlbania

Ngjitje në Kanionet e Osumit

I njëjti lum që përshkon qytetin e Beratit, ka krijuar përgjatë rrugëtimit të vet edhe Kanionet e mrekullueshme të Osumit në Skrapar, që arrihen lehtësisht nga Berati. Kanionet janë të njohura jo vetëm për faktin se janë më të mëdhatë në vendin tonë, por edhe për natyrën mbresëlënëse dhe aktivitetet e shumta outdoors që realizohen aty. Hiking në këtë vend të mundëson të shohësh nga afër shpatet e larta plot bimësi që ndahen nga lumi, apo të admirosh shpellat dhe 8 ujëvarat spektakolare.

Ngjitje në Kanionet e Osumit

Kanionet e Osumit, Berat, Burimi: albest.al

Rafting dhe kayaking në Kanionet e Osumit

E nëse përmes hiking shëtitja bëhet me një ritëm të qetë e plot hapësira reflektimi, rafting apo kayaking në Kanione janë krejt tjetër eksperiencë. Adrenalina, ritmi dhe energjia bëhen bashkë në një vozitje që zgjat rreth 2-4 orë, e që të mundëson një eksperiencë të pakrahasueshme me asgjë tjetër. Falë dhe guidës së ekspertëve të rafting apo kayaking, ju do keni shansin të shijoni aventurat ujore me sigurinë dhe garancinë maksimale, duke u kujdesur vetëm për të fotografuar në mendje të gjitha momentet e një udhëtimi fantastik. (Kliko këtu për të lexuar më tepër)

Rafting dhe kayaking në Kanionet e Osumit

Rafting dhe kayaking në Kanionet e Osumit, Berat, © Fation Plaku

Ecje në Bogovë

Duke ndjekur rrugën Berat – Skrapar, mund të ndaloni në fshatin e Bogovës. Prej andej mund të nisni një përvojë hiking të mrekullueshme drejt Ujëvarës së Bogovës, një ujëvarë e lartë 20 metra që bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ta zbuloni nga afër këtë copë të vërtetë parajse pasi keni përshkuar një natyrë të virgjër e plot ngjyra është vërtet një përvojë e paharrueshme. Ka linja të transportit publik që nisen nga Berati e ju shpien deri në hyrje të fshatit.

Ecje në Bogovë

Ujëvara e Bogovës, Berat, Burimi: commons.wikimedia.org Genc Krasniqi

Eksplorim në Çorovodë

Në verilindje të Çorovodës, ndodhen disa monumente të tjera të rëndësishme arkitekturore e natyrore që nuk duhet t’i humbisni. Nëse doni të shikoni Kanionet sigurohuni të bëni një ndalesë tek Ura e Kasabashit e shekullit të XVII, që është ende në gjendje shumë të mirë me gjatësinë prej 26 metrash dhe harkun e madh prej 12 metrash.

Eksplorim në Çorovodë

Ura e Kasabashit në Çorovodë, Berat, Burimi: visitskrapar.com

Kanionet e Gradecit

Pas Urës ndodhen Kanionet e Gradecit, që shtrihen përgjatë 3 km dhe në vende të caktuara kapin lartësinë e 750 metrave. Shkëmbinjtë e lartuar si të prerë me thikë e bëjnë ngjitjen e tyre mjaft sfiduese për ngjitësit profesionistë me litarë. Ujëvarat, bimësia e dendur dhe një ekosistem lumor i pasur janë vetëm disa nga arsyet se përse ja vlen të vizitoni Kanionet. Këto të fundit rezervojnë dhe një surprizë tjetër të bukur: Shpellën e Pirogoshit! Kjo shpellë konsiderohet si një nga më të bukurat e të rëndësishmet në vend, dhe nëse vendosni të hyni në shpellë, sigurohuni të bëni kujdes nga lakuriqët e natës.

Kanionet e Gradecit

Kanionet e Gradecit, Berat, Burimi: invest-in-albania.org

Çiklizëm

Në të gjitha destinacionet e mësiperme, mund të të rastisë të shohësh çiklistë që zgjedhin t’i eksplorojnë në një tur të vetëm bukuritë natyrore që gjenden në Qarkun e Beratit. Për të interesuarit mund të organizohen dhe ture specifike nga kompani të posaçme që duhen kontaktuar më përpara (kliko këtu për më tepër).

New & Trending

Choose a