Degustim vere në Berat - Into Albania

Degustim vere në Berat

Çdo vend i botës ka ato rajone ku prodhohet vera më e shijshme e cilësore e vendit, aty ku ka lindur tradita e verës e ku ajo vazhdon të lulëzojë për shkak të përkushtimit të njerëzve, klimës e sekreteve të tjera të këtij zanati të bukur. Vetëm disa prej rajoneve më të famshëm në botë janë Napa Valley e Kalifornisë, Bourgogne e Francës, La Rioja e Spanjës, Toscana e Italisë e kështu me rradhë. Në Shqipëri, ky titull i përket Beratit. Me një numër të lartë kantinash të cilat prodhojnë shumë lloje verërash, Berati është kthyer në një destinacion ideal ku njerëzit kalojnë ditën duke degustuar verën më të mirë në vend.

Në shtëpitë e ndërtuara sipas traditës beratase, mund të flasësh me miqtë për verën dhe historinë e saj të gjatë në këtë zonë. Pikërisht rreth një gote verë shqiptare tregohen disa nga të fshehtat e prodhimit të saj. Nuk është e lehtë të njohësh verën, por enologët na thonë se verërat tona, falë vreshtave cilësore dhe përkushtimit në rritje, po njihen më shumë në panairet ndërkombëtare. Shqipëria, e sidomos zona e Beratit, ka në favor klimën tipike mesdhetare, ç’ka e bën vreshtin të hedhë shtat e të kultivohet në disa varietete. Kjo e fundit si edhe mënyra e fermentimit përbëjnë disa nga sekretet e verës së mirë shqiptare.

Kantina Çobo

E vendosur përballë malit të Tomorrit, pranë kodrave që rrethojnë Beratin e vjetër, kantina e familjes Çobo është rasti për të shijuar verën 100 % shqiptare. E bardhë ose e kuqe, shija e verës është autentike, e prodhuar me shumë përkushtim, kuruar me kujdes nga degustues që po mësojnë çdo ditë të fshehtat e lëngut magjik. A mund të shtrohet një tryezë, me gatime tradicionale të Beratit pa shishen e verës mbi të? Pak djathë i zonës, pak bukë e bërë vetë, disa ullinj larushë shkojnë për mrekulli me gotat e verës që lodrojnë në duart e turistëve. Vera e kësaj marke prodhohet nga të gjitha varietetet e rrushit shqiptar dhe ke mundësi ta zgjedhësh mes 5 llojeve të ndryshme e të ecësh me të përgjatë vreshtave të rrushit.

Degustimi i verës në Berat

Kantina Çobo, Berat, Burimi: thecrazytourist.com

Kantina Nurellari

Kantina Nurellari sjell verëra të plota të kuqe, fermentuar në fuçi lisi me shije të përshtatshme për gatimet e mishit, me ngjyrë të plotë e ftuese për të apasionuarit e gotave kuqërreme. Vera e kuqe e kësaj kantine është meritë e rrushit Merlot dhe Kabërnet që në këtë zonë është varietet i kualifikuar. Nuk mungon vera e bardhë që aromatizon ëmbël gotën duke të lënë pas shijen elegante që është tipike për tryezat e lehta të pastave dhe prodhimeve të detit. Pas një tryeze të pasur me kalori dhe proteina, mos hezitoni të shijoni ëmbëlsirat apo frutat e Beratit me verërat Nurellari.

Degustimi i verës në Berat

Kantina Nurellari, Berat, Burimi: tripadvisor.com

Kantina Luani

Teknologjitë e kohës janë përqafuar në Berat, në qytetin ku në vitin 1960 ishte ngritur edhe një kantinë modeste për të prodhuar verë. Sot Kantina Luani, e privatizuar 25 vite më parë, është konkurente simpatike e tregut të verës në Shqipëri. Me çmime të mira dhe me shumëllojshmëri për të zgjedhur. Të bardhë, të kuqe ose një gotë rozetë për të nisur bisedën me miqtë keni mundësi të zgjidhni me qetësi mes shumë shisheve që përfaqësojnë lloje të ndryshme rrushi, kohë të ndryshme fermentimi e mbi të gjitha cilësi të kënaqshme në degustim. Aq e plotë dhe joshëse është ngjyra sa nuk duhet më të numërosh gotat që ke pirë, por ditët kur do të kthehesh në Berat të pish sërish verën e Shqipërisë.

Degustimi i verës në Berat

Kantina Luani, Berat, Burimi: facebook.com

New & Trending

Choose a