"Katunar" - Marka më e Re në Qytet - Into Albania

“Katunar” – Marka më e Re në Qytet

Nga Gana e Afrikës e deri në Roskovec e Kukës, ju prezantojmë me “Katunar”- ndërmarrja sociale që promovon artizanë dhe grupe sociale në nevojë.

Pak ditë më parë, në rrjetet sociale të IntoAlbania-s, ndamë disa foto të fiksuara në aparatin tonë gjatë promovimit të projektit më të fundit social që vepron në Shqipëri dhe që mban emrin “Katunar”. Ky projekt bën bashkë grupe të vogla artizanësh e prodhues të vegjël nga e gjithë bota, në kërkim të një tregu për të ekspozuar produktet e tyre, që përndryshe nuk do kishin mundësi t’i shisnin.

Punime prej leshi të grave artizane të “Katunar”, foto nga IntoAlbania.

Ky emër, siç na shpjegoi edhe vetë drejtuesi i Fondit për Investim dhe Zhvillim Social (SDI), Elias Mazloum, është zgjedhur së pari sepse ka efekt për veshin e kujtdo që e dëgjon dhe plotëson kriterin më kryesor që një brandi i duhet, për të “goditur” dhe e dyta, sepse Elias, një libanez, dhëndër në Shqipëri, ka mbetur i befasuar kur për herë të parë, e dëgjoi këtë fjalë të përdorur me një konotacion negativ.

“Personat në zonat rurale, janë ata që bëjnë një sakrificë shumë të madhe për të mos i braktisur fshatrat e tyre, për të siguruar jetesën dhe për të sjellë produktet e tyre në qytet. U duhet njohur ky mund. Ashtu sikurse duhet njohur mundi i “punës së leshit”. Një tjetër shprehje zhvlerësuese kundrejt lodhjes dhe energjive që shumë artizanë shpenzojnë, për të sjellë krijime origjinale, të bëra me dorë dhe aq shumë të kërkuara, brenda dhe jashtë vendit. Për mua kjo është punë flori”, – thotë Elias me një buzëqeshje që shpreh njeherësh kënaqësinë që ka mbledhur nën një çadër këto grupe sociale dhe bindjen që ky projekt i madh do të ketë suksesin që meriton.

kremra dhe sapunra të prodhuara nga gratë ganeze dhe gratë e roskovecit, foto nga IntoAlbania.

Përveç produkteve të sipërpërmendura, të realizuara nga gratë në Gana të Afrikës, prej nga vjen sapuni dhe kremi i Sheas, atyre të Roskovecit që sjellin sapunë me vaj ulliri dhe artizaneve të Kukësit dhe Tiranës, me punimet prej leshi, në “Katunar” do të gjeni edhe produkte ushqimore nga JaMystic si dhe punimet artistike të Qendrës Johnatan.

Punime të fëmijëve të Johnatan Center, foto nga IntoAlbania.

Janë të gjitha punime dore, me produkte natyrale dhe të bëra në mënyrë që të respektojnë zinxhirin natyror dhe zhvillimin e qëndrueshëm. E panevojshme të theksojmë kontributin e paçmuar dhe mbështetjen që do t’u jepnit secilit prej këtyre projekteve me blerjen e produkteve të tyre, ndaj, nëse ju pëlqejnë dhe doni t’i bëni tuajat, apo thjesht doni të mbështesni grupet sociale që i prodhojnë ato, duhet të shkoni te “Katunari” më i afërt, në Facebook ose web, nën këtë emër.

Fantazi reçelrash nga Jamystic përmetar, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a