Organic Shop: Produktet më cilësore shqiptare - Into Albania

Organic Shop: Produktet më cilësore shqiptare

Eksperienca e gjatë e agronomit Zef Gjeta, ka mundësuar krijimin e Organic Shop, një hapësire të veçantë ku grumbullohen produktet më të mira natyrale shqiptare.

Në kompleksin e njohur si Gener-2, në rrugën “Jordan Misja”, ndodhet një dyqan krejt unik nga të tjerët që mund të keni hasur në Tiranë. “Organic Shop” është një biznes social, që 3 vite më parë solli për herë të parë në Shqipëri konceptin e grumbullimit të produkteve më të mira lokale dhe tradicionale shqiptare në një vend të vetëm. Sot, aty do të gjeni që nga 16 lloje të ndryshme djathi, tek 8 lloje mjalti, 12 lloje reçelërash, 14 lloje rakish, 10 lloje glikosh, 5 lloje proshute, 3 lloje të mishit të terun, e plot produkte të tjera të freskëta fshati si qumësht blete, gjalpë, gjizë, arra, fasule, tërshërë, bajame, kërpudha të thata etj.

Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Si lindi

Agronomi Zef Gjeta, profesor i asociuar dhe doktor i shkencave bujqësore, na thotë se ideja për të krijuar “Organic Shop” i lindi natyrshëm. “Miqtë apo të njohurit, të gjithë më drejtoheshin për të ditur më shumë se ku të merrnin djathin më të mirë, apo reçelërat më të shijshëm, apo produktet e tjera. Duke qenë se kontaktet i kisha, i njihja personalisht të gjithë prodhuesit më të arrirë në Shqipëri, apo edhe furnitorët e vegjël që kishin cilësinë maksimale por jo çertifikimin e nevojshëm, vendosa që të krijoj një hapësirë ku e gjithë kjo eksperiencë të shfrytëzohej më së miri.”

Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Tashmë “Organic Shop” ka një emër të konsoliduar në tregun e kryeqytetit, ku të shumtë janë ata që vijnë këtu nëse duan të marrin një produkt të ardhur direkt nga prodhuesi.

Biznes social

Dyqani që drejtohet nga Zefi dhe bashkëshortja e tij, Nushë, ka një rol që shkon përtej thjesht shitjes së produkteve. Pasi realizon përzgjedhjen e produkteve lokale më të mira, aty ku mungojnë shërbimet përkatëse, si analizat, marka e regjistruar, e të tjera elemente të garancisë, “Organic Shop” merr përsipër të kryejë të gjitha proceset, duke shpërndarë mandej nën këtë logo produktet, e duke ndihmuar fshatarët.

Për rrjedhojë, nën markën “Organic Shop”, do të gjeni që nga liker thane e raki ftoi, tek reçelëra të ndryshëm, trahana, rosnica, çajra, e plot produkte të freskëta fshati, të ardhura nga e gjithë Shqipëria. Kështu jo vetëm blini një produkt cilësor, por ndihmoni në krijimin e një rruge efektive për të rritur të ardhurat në familjet rurale.

Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Produktet

Falë punës së gjatë në terren, vështirë të ketë një emër cilësor të tregut ushqimor shqiptar që të mos jetë përfshirë në dyqan.  “Veleçik Milk” sjell djathërat me boronicë, sherebel, dele e lope, “Musai” vajin e ullirit organik, “Eliksir” apo “Dalmacia” lëngjet e frutave, “Goxhomani” glikot e shijshme të Beratit, “Amortentia” vajërat kurative apo kozmetike, “Agro Zerja” turshitë apo jufkat dibrane, e kështu me radhë.

Lloje të ndryshme djathi, foto nga IntoAlbania.

Nuk mungojnë produktet e rralla, si marmalatë me xhinxher, nektarinë e rozmarinë, banane me rum, luleshtrydhe dhe erëza, apo produkte të tjera artizanale. Mjalti i maresë, mjalti me hoje apo ai i trumzës mbeten nga të preferuarit e dyqanit.

Lloje të ndryshme çaji, foto nga IntoAlbania.

Suvenire dhe objekte tradicionale në Organic Shop, foto nga IntoAlbania.

Eksperienca

Së fundmi, vlen të përmendet se tek Zefi dhe Nusha, do të gjeni një ambjent ku vihet re lehtë pasioni për produktet që ndodhen aty. Ata mund të të flasin gjatë për prodhuesit, për origjinën e çdo produkti, të të japin sugjerime të ndryshme, duke të të hapur kështu portën më të afërt për në fshatrat më të largët të vendit.

Për më tepër vizitoni dyqanin në rrugën “Jordan Misja”, apo bëni një ndalesë dhe në adresën zyrtare në internet www.organicshop.al. Për klientët, ka publikime në rrjetet sociale mbi produkte të veçanta, si dhe mund të kontaktohen privatisht me telefon nëse kanë porosi specifike.

    Rruga "Jordan Misja", Kompleksi "Gener 2" Get Directions

Explore More