Sokak më Sokak: Shtëpitë e Njohura të Gjirokastrës - Into Albania

Sokak më Sokak: Shtëpitë e Njohura të Gjirokastrës

Në adoleshencën e tij, Ismail Kadare e quante qytetin e lindjes, Gjirokastrën, qytet të çuditshëm. Ai shkruan ethshëm për historinë e qytetit, duke na çuar nga një skaj i kohës në një tjetër. Sot, qyteti jeton mes historisë dhe kohëve të reja, dhe prej vitesh është shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s. Gjirokastra, e cila që prej themelimit sfidon shpatet shkëmbore, është një qytet ku banorët ndërtuan jetën, trashëgiminë dhe fatin e fiseve që gjallojnë edhe në ditët tona. Shtëpitë e Gjirokastrës njihen për ngrohtësinë, mikpritjen, dhe ndriçimin e tyre natyral. Pa dritën e diellit, hija mesjetare e qytetit mund ta kishte bërë të zymtë jetën e banorëve në këto lagje të gurta. Ja përse, atmosfera dhe pamja e pazakontë e Gjirokastrës, mbushi jo pak rrjeshta të artë të shkrimtarit tonë të madh.

1. Shtëpia e Zekatëve

Disi e mbështetur në shpatin malor, me çati si kapele tekanjoze e viteve ’30, lëshon hije shtëpia e Zekatëve. Ndërtesa konsiderohet si shembulli më i mirë i kullës tipike Otomane. Ajo ka një kat të poshtëm, ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen. Shtëpia është ndërtuar në fillim të 1800-ës dhe muret rrethuese të dhomës kryesore janë të dekoruar me afreske, ndërsa tavanët janë prej druri të gdhendur dhe oxhakët të zbukuruar. Dritaret me forma hënore me xhama shumëngjyrëshe thuhej se vinin nga Venediku, çka dëshmonte për një lidhje të hershme që gjirokastritët kishin me botën e përtej maleve. Dy harqe të mëdha sa lartësia e të gjithë shtëpisë, krijojnë një raport misterioz për vizitorët.

Shtëpia e Zekatëve

Dhoma e Pritjes në Shtëpinë e Zekatëve, Gjirokastër, Burimi: wikimedia.org Shkelzen Rexha

2. Shtëpia e Skëndulatëve

Në brinjë të muzeut etnografik qëndron shtëpia e Skëndulatëve, e cila i ka rezituar kohës edhe së është më shumë se 250 vjeçare. Ndërtesa e lartë mbahet nga themele guri që arrijnë dritaret e katit të parë. Odave të shtëpisë u është dhënë hapësirë dhe ndriçim në mënyrë të përsosur. Shtëpia e veçantë ka 9 oxhaqe dhe tavanë të punuar me finese, reflektues të statusit të kamur të familjes. Përmes odave të shumta gratë kishin mundësinë për të numëruar, pa u vënë re, miqtë që mësynin çdo javë në shtëpi. Dhoma e grave, ku zhvilloheshin ceremonitë më të gëzueshme të jetës familjare, ruhet e paprekur. Në katin përdhe janë qilarët ku mbaheshin zahiretë (ushqimet). Kati i parë mban dy dhoma banimi dhe një kthinë të bollshme për gatim dhe në katin e dytë janë vendosur tre oda të tjera. E gjithë shtëpia përshkohet nga shkallë që reflektojnë një model unikal ndërtimi.

Shtëpia e Skëndulatëve

Dhoma e Pritjes në Shtëpinë e Skëndulatëve, Gjirokastër, Burimi: wikimedia.org, Wolfgang Sauber

3. Shtëpia e Babametove

Fillesat e modernizimit të familjes gjirokastrite i gjen në modelin e shtëpisë së Babametove, një ndërtesë me arkitekturë mbresëlënëse e ndërtuar në shekullin e XIX. Ngrehina lindi mbi një gërmadhë të vjetër dhe projektuesit e saj patën vizionin të bashkonin dy shtëpi nën një çati, për të hedhur hapat e ndarjes së njësive më të mëdha familjare në njësi më të vogla. Mbi portën e hyrjes dallohen dy mbishkrime të viteve 1885 dhe 1887, që përkojnë me kohën e ngritjes së shtëpisë. Kati i sipërm duket sikur rrëshqet mbi themelet e shtëpisë, duke u mbajtur në konstruksione të pjerrëta të padukshme në pamjen ballore. Dritaret e shtëpisë të dekoruara sipas stilit otoman janë dy llojesh. Ato të katit të sipërm janë të mëdha, ndërsa pjesa tjetër që ndriçojnë katin përdhes duken si frëngji. Shtëpia është e ngritur mbi dy rradhë oborresh të shkëputur prej bimësisë nga njeri tjetri.

Shtëpia e Babametove

Shtëpia e Babametove, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

4. Shtëpia e Angonatëve

Si i ulur në një lozhë teatri mund të të duket vetja ndërsa sheh nga dritaret e shtëpisë së Angonatëve, shtëpia më e madhe e të gjithë qytetit. Banesa dominohet nga ndërtimi simetrik me shtatë kulme çatish. Angonatët shohin mbi Pazarin e Gjirokastrës dhe pamja e plotë e qytetit të jep kohë të sodisësh, me duart kryq, këtë ansambël gurësh të pazakontë. Pjerrësia e relievit nuk i ka penguar gjirokastritët që të ndërtojnë në çdo shtëpi odat e miqve dhe odat e banimit, të dekoruara plotësisht. Këto janë standarde të pashkruara askund, që nuk kanë pyetur për çmim e mundim. Muri rrethues i shtëpisë shtrihet bashkë me rruginën e kalimtarëve, derisa fiton një lartësi dominuese mbi lagjen ku është vendosur.

Shtëpia e Angonatëve

Shtëpia e Angonatëve, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

5. Muzeu Etnografik (Shtëpia e Enver Hoxhës)

Një sokak më lart ngrihet Muzeu Etnografik, i njohur ndryshe si shtëpia e fëmijërisë së Enver Hoxhës. Ndërtuar në shekullin e XIX-të, ndërtimi tre katësh me një shtesë si kapelë ndodhet në lagjen “Palorto” shumë pranë “Sokakut të të marrëve”. Pas djegies së saj të rastësishme e mbetjen mes gërmadhave për disa dekada, në vitin 1967 u rindërtua për tu kthyer në muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare për Gjirokastrën. Gjatë rindërtimit u pasurua me të gjitha karakteristikat e një shtëpie tipike gjirokastrite e, në vitin 1991, u kthye në Muze Etnografik. Vetë diktatori ka jetuar në këtë shtëpi shumë pak vite të vegjëlisë së tij, por hija e emrit të tij mbi të duket si hipotekë e paluajtshme. Tavanet, dyert e odave, sergjenët, papafingot, minderet tradicionale dhe dollapet e futur në mure ekspozojnë objekte tradicionale të jetesës së përditshme të gjirokastritëve.

Muzeu Etnografik (Shtëpia e Enver Hoxhës)

Muzeu Etnografik, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

6. Banesa e Ficove

Hap pas hapi, sokak më sokak dhe pakuptuar mund të biesh në oborrin e një shtëpie tjetër. Banesa e Ficove habiti jo pak, kur të zotët e ngjyen në të verdhë. Shtëpia, ndërtuar në vitin 1902, të jep një ide të qartë të evoluimit të banesës gjirokastrite. Ajo përsërit variantin e thjeshtë të ndërtimit me katin përdhes dhe një kat të pare por ajo çfarë solli të re ishte konstruksioni i mbajtur në dy krahë, simetrikë me njëri-tjetrin, me dritare të mëdha që shohin mbi lagje dhe qytetÇatia me pllaka guri derdhet lehtë mbi kurorën e shtëpisë, jeta e të cilës lëvizte në një oborr të vockël që shtrihej mbi kalldrëmin e lagjes. Tre shkallë të shkurtra guri ndanin portën nga rruga, ndërsa trarët në dritaret ballore duken si roje të heshtura që shohin gjithçka.

Banesa e Ficove

Banesa e Ficove, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

7. Shtëpia e Ismail Kadaresë

Trashëgimia ndihet kudo në Gjirokastër dhe shtëpitë unikale të qytetit mbizotërojnë nga të gjitha anët. Me këtë atmosferë mund të hysh i përgatitur në shtëpinë e Ismail Kadaresë, ku guri është elementi kryesor i ndërtimit. Të mbledhur shpesh në odën e miqve, aty ku drita e natyrës ndriçon më shumë, turistët prezantohen me ornamente tradicionale të zonës. Oxhaku i madh si dhe tavani i restaruar dy vjet më parë, plotësojnë rigjallërimin e shtëpisë së kthyer në muze prej dy vitesh.

Shtëpia e Ismail Kadaresë

Shtëpia e Ismail Kadaresë, Gjirokastër, foto nga IntoAlbania

 

New & Trending

Choose a