Muzeu Etnografik - Into Albania

Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik i Gjirokastrës, i njohur më mirë si Shtëpia e Fëmijërisë së Enver Hoxhës

Nëse e gjen veten në rrugët e bukura prej kalldrëmi të Gjirokastrës dhe pyet se ku ndodhet Muzeu Etnografik, banorët do të mendoheshin pak para se të të përgjigjeshin. Nëse me zgjuarsi e ndryshon pyetjen duke përmendur shtëpinë e Enver Hoxhës, do të merrje një përgjigje të  menjëhershme dhe udhëzimet më të sakta për të arritur aty! Ja përse, ndonëse zyrtarisht e quajtur “Muzeu Etnografik”, shtëpia e fëmijërisë së Enver Hoxhës njihet ende me këtë emër. Imazhi i diktatorit ende ngjall kuriozitet dhe publiku ka interes të njohë në mënyrë sa më të plotë njeriun që instaloi një nga diktaturat më të egra në botë.

Lagjia e kalasë e quajtur “Palorto”, mban disa nga shtëpitë më të famshme të vendit: ato të shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadaresë, familjeve Çabej, Babaramo apo Fico. Të gjitha këto përfaqësojnë ndërtime me vlera të rralla arkitekturore por asnjëra nuk i afrohet forcës magnetike që ushtron shtëpia e Hoxhës ndaj publikut! Vendasit tregojnë se kjo shtëpi 3-katëshe u dogj kur Hoxha ishte vetëm 8 vjeç dhe u rindërtua pas çlirimit të ’44-ës, duke u kthyer në muze në vitin 1966. Fillimisht, muzeu tregonte veprimtarinë e diktatorit dhe dëshmorët e luftës e, pas rënies së komunizmit më ’91, ai u transformua në muze etnografik. Ndonëse shtëpia nuk përmban sendet apo dekorimet specifike të familjes së Hoxhës, ajo tregon hollësisht jetën tradicionale të një familjeje gjirokastrite.

Dhomat duket sikur ende përdoren, me objekte artistike të cilat dëshmojnë për një kulturë që vjen nga familje të pasura të shekullit të 19-të. Kati përdhe, ku dominon guri, përdorej për zahiretë e dimrit. Kati i parë, i ulët, me dritare të vogla, është traditë për të gjitha shtëpitë ndërsa në katin e dytë, më i lartë dhe me punime druri, ndodhet dhoma e miqve. Kati i tretë mban një dhomë të vetme dhe më të bukurën, e cila quhet kamerie: një vend shumë i lartë ku gratë qëndronin për të kundruar jashtë. Duket se shtëpia ofron jo vetëm idenë e fëmijërisë së diktatorit por të gjithë historinë e Gjirokastrës, një qytet i cili, në shumë mënyra, ndikoi në historinë e një populli të tërë.

    Prill - Shtator, Çdo Ditë 8.00 -12.00; 16.00 - 19.00 Tetor - Mars, E Mërkurë - E Diel 8:00-16:00
    Rruga "Hysen Hoxha", Gjirokastër Get Directions
    1 orë

Explore More