Zhytuni në Magjepsjet e Durrësit, Aty Ku Deti Përqafon Antikitetin - Into Albania

Zhytuni në Magjepsjet e Durrësit, Aty Ku Deti Përqafon Antikitetin

IntoAlbania dhe One Telecommunication ju ftojnë në një arratisje siç nuk e imagjinoni për të zbuluar Durrësin si një dimension fantastik të turizmit shqiptar.  

I njohur në antikitet si Epidamin-Dyrrah, Durrësi u ndërtua nga Ilirët Taulantë në shekullin e Xlll-XI para Krishtit.

Me një pozitë gjeografike strategjike, ai ishte kreu i rrugës Egnatia që lidhte Romën me Kostandinopojën. Qyteti ka një histori të gjatë dhe mbresëlënëse dhe për vizitorët kjo është edhe një ndër arsyet kryesore për ta vizituar atë. I bekuar me një vijë bregdetare prej rreth 12 km, Durrësi është vendi perfekt për një arratisje të këndshme nga monotonia.

Më poshtë IntoAlbania dhe One Telecommunication, japin për ju disa sugjerime për vendet që duhet t’i vizitoni për të mësuar më tepër rreth vlerave turistike, kulturore dhe historike që mbartin, por edhe për të pushuar.

Vendet Arkeologjike Që Duhet Të Vizitoni Në Durrës

Një nga mënyrat më të mira për të njohur qytetin, është duke bërë një tur në vendet apo objektet ku paraqitet e shkuara antike e tij. Renditja me 5 vendet më të rëndësishme vijon si më poshtë:

Muzeu Arkeologjik       

Ndalesa e parë e cila do të zgjojë kuriozitetin tuaj është Muzeu Arkeologjik. I konsideruar si më i madhi në vend, aty gjenden të ekspozuara objekte të rëndësishme, përmes të cilave rrëfehen etapat e ndryshme historike që nga ajo Prehistorike. Sigurisht që brenda këtyre periudhave paraqitet më së miri edhe periudha Ilire, me objektet e saj të veçanta.

Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer Muzeun Arkeologjik ndër më të vizituarin                                                                          

Amfiteatri i Durrësit   

Pasi të jeni njohur me disa nga momentet më të rëndësishmë të qytetit, ndalesa e radhës mund të jetë Amfiteatri i Durrësit, i cili gjendet pranë qendrës së qytetit. Amfiteatri mbetet një prej më të mëdhenjve të botës së lashtë, i ndërtuar në fillim të shek. II dhe një ndër dhjetë amfiteatrot më të bukur romakë ku zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve si edhe aktivitete të tjera.

Kalaja e Durrësit dhe Torra Veneciane   

Ndërsa jeni ende në qendër të qytetit, rrugës do të hasni patjetër edhe muret rrethuese të kalasë dhe Torren.  Kalaja u ndërtua nga perandori bizantin Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi, nga të cilat sot ruhen 500m.  Ndërsa Torra, një kullë rrethore u ndërtua në shek. XV-të mbi kullën ekzistuese bizantine.                                                                                                                    

Tregu Bizantin       

Shumë pranë Amfiteatrit, ashtu si dikur Tregu Bizantin mbetet qendra e qytetit modern të Durrësit. Arkitektura e tij tregon funksionin tipik të një shesh-tregu të hapur, rrethor me porta. Ai shquhet si një nga monumentet më të bukura të periudhës së vonë Romake dhe asaj Bizantine të hershme.                                                                                                                             

Pallati i Mbretit “Zog I”         

Pallati mbretëror u ndërtua në vitin 1937 në kuotën më të lartë të kodrave të qytetit dhe ka një pamje të mrekullueshme të qytetit dhe vijës bregdetare. Sot edhe pse një një gjendje jo të mirë, pallati ruan ende hijeshinë mbretërore dhe është një vend mjaft i bukur nga ku mund të shijoni edhe perëndimin e diellit.                                                                                                                                     

Natyra E Mrekullueshme Me Plazhe Që Përqafojnë Hisorinë

Edhe pse qendra e qytetit është fare afër detit dhe plazheve të cilat padyshim që mund t’i shijoni, duke filluar nga ai i Kallmit, Currivale, Gjiri i Lalëzit e të tjerët me rradhë, në Durrës fshihen edhe disa perla të vendit tonë.                                                                                                                                   

Kepi i Rodonit   

Ky rip i lartë toke në formë gadishulli shtrihet në detin Adriatik dhe ofron peizazhe tërheqëse si dhe disa monumente historike e kulturore të rëndësisë së veçantë. Skënderbeu ngriti aty një ndër fortifikimet në mbrojtje të atdheut, që njihet me toponimin “Kështjella e Skëndërbeut”, e ndërtuar rreth vitit 1460. Sot valët e detit duket sikur përqafojnë këtë copëz të mbetur nga kalaja, sikur duan ta marrin me vete atë pak ç‘ka ka mbetur nga e shkuara.                                                                                                                                                      

Kepi i Palit         

Ndryshe njihet edhe me emrin “Bishti i Pallës”, është një nga perlat e Adriatikut ku do mund të shijoni detin e pastër dhe natyrën e bukur që e rrethon.  Sipas Historianëve, Krishtërimi është trasmetuar tek Arbërit nga goja e vetë apostujve që në shek. e I pas Krishtit, thuhet se në këtë kep ka qëndruar Shën Pali nga ku u nis më pas në Evropë për të predikuar fenë e Krishterë.     

Vendi ideal për Windsurfind       

Me plazhet e shumta dhe motin e përshtatshëm, Durrësi është kthyer tashmë në një pikë ku të gjithë adhuruesit e sporteve ujore si Windsurfing apo Kitesurfing, takohen dhe ndajnë pasionin e përbashkët. Pra së fundmi ky qytet ofron edhe argëtime të cilat deri dje i shihnim vetëm nga ekrani i televizorit.           

Shijoni Gatimet E Mrekullueshme                                                                                                                            

Sigurisht një qyteti bregdetar nuk mund t’i mungojë as kuzhina e pasur dhe tejet e shijshme me prodhime deti. Në shëtitoren mjaft të njohur “Vollga”, ju mund të gjeni disa nga restorantet që ofrojnë një shërbim të shkëlqyer, siç i ka hije një vendi turistik, të tilla janë “Belvedere”, “Rimini” apo “4Stinët”.                                                                                                                                        

Një vizitë në Durrës nuk mund të quhet e plotë pa një ndalesë tek “Gelateri Çela”, një simbol i akullores artizanale të punuar me pasion për të mbajtur gjatë nga ky qytet shijen më të freskët.

New & Trending

Choose a