Ëngjëjt e Amerikës: Rruga e mundimshme drejt progresit - Into Albania

Ëngjëjt e Amerikës: Rruga e mundimshme drejt progresit

Shfaqja “Ëngjëjt e Amerikës” hapet me dy çifte aktorësh të cilët dalin papritur në krahët e publikut, e nisin të debatojnë me tonalitet të ashpër mbi tema si braktisja, tradhëtia, sëmundja, vdekja. Kështu nis tek arTurbina “Ëngjëjt e Amerikës”, një nga ngjarjet teatrore më të rëndësishme të viteve të fundit në Tiranë, me regji të Arben Kumbaros, vënë në skenë nga Teatri Kombëtar.

Drama e Toni Kushner konsiderohet një nga majat më të larta të dramaturgjisë amerikane e botërore, e në të ndërthuren tema komplekse si përhapja e SIDA-s në fundvitet ‘80, homoseksualizmi, politika reganiane, feja dhe besimi, tradhëtia dhe morali, në një përplasje të fortë dikotomike mes regresit dhe progresit shoqëror. 

Posteri i shfaqjes.

“Perestrojka”

Për shkak të kompleksitetit dhe fuqisë tekstuale të saj, drama ka fituar çmimet më të larta të gjinisë së teatrit në Amerikë. E tek sa shfaqja përbëhet nga dy pjesë të ndara, të vëna në dy periudha të ndryshme kohore në skenë, Arben Kumbaro e ka sintetizuar atë në dy orë. Ai është fokusuar në pjesën e dytë të veprës, me titullin “Perestrojka”, që në histori njihet si kompleksi i reformave ekonomike, politike e shoqërore të nisura nga Gorbaçov, që sollën dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Me rënien e Murit të Berlinit, Amerika projektohet si shteti udhëheqës i rendit të ri global që po krijohej. Në një situatë gjeopolitike si kjo lind dhe “Ëngjëjt e Amerikës”, kur busulla e vlerave tradicionale amerikane tek sa duhej të eksportohej në një botë pa ideologji kundërshtuese përreth, gjendej e pa orientuar për të përballuar sfidat e reja që shfaqeshin brenda vendit.

Një prej tyre ishte sëmundja e SIDA-s, e cila paçka se kish shpërthyer si epidemi në fillim të viteve ’80, u përmend për herë të parë nga Presidenti i atëhershëm Regan vetëm në 1985. Arsyeja ishte njëhsimi i gabuar i sëmundjes vetëm me grupimin LGBT, i paragjykuar e stigmatizuar asokohe nga e djathta për shkak të jetës libertine e qasjes së ndryshme ndaj normave shoqërore. Vepra eksploron kështu dhe sëmundjen si metaforë, ndikuar dukshëm nga teoria kritike e Sontag të publikuar disa vite më parë. E gjendur tanimë pa armiq të jashëm, Amerika ktheu sytë tek armiqtë e brendshëm, homoseksualët që sipas të djathtës së asaj kohe mbartnin sëmundjen e mëkateve të tyre.

Sfida e Kumbaros

Një meritë e veçantë për suksesin që po korr shfaqja i takon Kumbaros, që e kërkoi dhe ia doli ta sjellë në skenë, duke marrë përsipër dhe vështirësitë e të vendosurit të një pjesë që ka zhargon të fortë, nudizëm apo puthje e shfaqje homoseksuale (shfaqja ndalohet për personat nën 16 vjeç), përballë një publiku të pandeshur më parë me diçka të tillë. 

Donald Shehu së bashku me Laert Vasilin, thyejnë me lehtësinë më të madhe disa nga ‘muret’ e fundit të teatrit tonë. Skenat homo-erotike të personazheve të tyre, Xhoit dhe Luisit, vijnë jo si të ishin qëllim në vetvete, por si udhërrëfyese drejt frikërave apo pasioneve të brendshme të tyre. Aktorët nën drejtimin e Kumbaros ja dalin në sfidën e vështirë të mos kërkojnë vëmendje për formën e raporit që vihet në skenë, por për përmbajtjen e tij.

Donald Shehu and Laert Vasili in their roles as Joe Pitt and Louis Ironson. Photo source: facebook.com/officialteatrikombetar.

Kumbaro i qëndron besnik Brehtit dhe estetikës së tij, që kërkon që “teatri të mos shihet si një pasqyrë që reflekton realitetin, por si çekiç që e formëson atë.” Vepra i drejtohet më shumë arsyes se sa ndjenjave, më shumë reflektimit personal, se sa njëhsimit me personazhet që vihen në skenë. Vetëm kështu mund të arrihet të shihet teatri si një instrument i rëndësishëm i ndryshimit shoqëror.

Ndër teknikat e tjera të përdorura nën ndikimin brehtian nga Kumbaro janë aktorët që rimarrin disa role (Xhuvani interpreton në tre të tilla), ndryshimi i skenografisë nën shikimin e publikut, dritat e bardha të forta të neonit si ndriçues i së vërtetës, apo dhe muzika, që nën mjeshtrinë e Endri Sinës shkëput teatrin nga bota reale njujorkeze ku vendosen personazhet.

Personazhet

Në Shqipëri publiku njihet për herë të parë me historinë e dy çifteve njujorkeze, atë të avokatit mormon Xhoi Pit (Donald Shehu) dhe gruas së tij Harper (Ina Gjonçi), si dhe çiftit gay Luis Ironson (Laert Vasili) dhe të dashurit të tij Prior (Genti Deçka). Fatet e dy çifteve ndërthuren me njëri tjetrin, kur Xhoi pas shumë dilemave të brendshme përfshihet në një lidhje intime me Luisin, i cili kish braktisur Priorin në panik e sipër, pasi ky i fundit ishte prekur nga SIDA.

Harperi, komplet e shokuar nga e vërteta e Xhoit që nuk ndjen më për të, nis e izolohet në vetvete, duke kaluar plot stade deliresh apo haluçinacionesh, të ngjashme me ato që kalon dhe Priori. Kushner tek sa izolon njëri pas tjetrit personazhet, krijon kështu dhe një emërues të përbashkët, atë të vetmisë, që kthehet në një nga shqetësimet kryesore të shoqërisë amerikane.

Ina Gjonçi në rolin e Harper Pit. Burimi i fotos: facebook.com/officialteatrikombetar.

Dy personazhe të tjerë që hyjnë në lojë janë ai i Roi Kohn (Helidon Fino), personazhit real të njohur të drejtësisë amerikane, i cili paradoksalisht tek sa drejtoi plot fushata investigimi kundër përfshirjes së homoseksualëve amerikanë në drejtësi dhe administratë, ishte vet një homoseksual i fshehur; si dhe infermierit afro-amerikan gay Belize (Indrit Çobani). Roi Kohn përndiqet në dramë nga fantazma e Ethel Rozenberg (Luiza Xhuvani), e cila në jetën reale mori dënim me vdekje në karrige elektrike për spiunazh në favor të Bashkimit Sovjetik, në një proces ku dhe Kohn mbështeti fuqishëm dënimin e saj.

Helidon Fino dhe Donald Shehu në rolet respektive. Burimi i fotos: facebook.com/officialteatrikombetar.

Luiza Xhuvani në rolin e saj si Ethel Rozenberg, burimi i fotos: facebook.com/officialteatrikombetar.

Fantazma e Rozenberg qëndron jo vetëm mbi Kohn, por mbi të gjithë ata që tek sa vetshpallen si mbrojtësit e moralit dhe drejtësisë, janë të parët që shkelin hapur në të. Përplasja e këtyre dy personazheve është një nga betejat alegorikë më të fuqishme të dramës, e Kumbaro me të drejtë ja beson rolet dy aktorëve me eksperiencë si Fino apo Xhuvani, që ja dalin ta mbajnë lehtësisht mbi supe peshën e kësaj beteje.

Në dramë Roi asistohet nga infermieri gay Belize, i cili është i çthurrur në gjuhë por asnjëherë banal, i rëndomtë, në kuptimin parësor të fjalës. Me peshoren e drejtësisë dhe humanizmit më të fortë se të figurave të njohura të drejtësisë amerikane; me humorin që si mburojë e shpëton nga tragjedia vetjake dhe shoqërore tek e cila ishte kthyer dëshmitar, Belize kthehet në një nga heronjtë e vërtetë të Amerikës që fiton simpatinë e të gjithëve pikërisht sepse nuk ka arrogancën të pretendojë se është i tillë.

Karakteri i Belizesë interpretuar nga Indrit Çobani është në skenën e Tiranës personazhi që më shumë se të tjerët fiton zemrën e publikut, përmes batutave të cilat edhe pse në një zhargon të rëndë, i veshin një mantel sinqeriteti, të cilin Çobani e tund gjithë personalitetit.

Triumf është dhe prezantimi i Genti Deçkas në rolin e Priorit, që ja del të mbajë më së miri ekulibrin në fillin që luhatet mes tragjedisë dhe komedisë që takohen te personazhi i tij. Ina Gjonçi gjithashtu jep performancën e jetës së saj në personazhin e Harperit.

Genti Deçka dhe Indrit Çobani në rolet respektive. Burimi i fotos: Teatri Kombëtar.

Ëngjëlli

Personazhi më i mistershëm i veprës është padyshim Ëngjëlli (Luli Bitri), që i shfaqet Priorit duke e bërë të besojë të riun se është profet i një të ardhme ku shpëtimi mund të vijë vetëm atëherë kur do të shkatërrohet progresi. Ky personazh përfshin elemente fetare e filozofike, politike e seksuale, të cilat përcillen më një stil letrar apokaliptik.

Ëngjëlli është sa trupëzimi i ndjenjave të fajit të Priorit, aq edhe e nevojës së tij për të rigjetur të shkuarën, e bashkë me të dashurinë, qetësinë e humbur shpirtërore e atë fizike. Ngahera Ëngjëlli është shëmbëlltyra e një mendimi politik që nuk pranon të ndryshmin, që ka frikë nga tjetri pasi në të sheh riskun e tjetërsimit të vetes. Në këtë këndvështrim, vepra është sot po aq aktuale sa kur u publikua për herë të parë në vitin 1991.

Luli Bitri në rolin e Ëngjëllit. Burimi i fotos: Teatri Kombëtar.

Ëngjëlli në skenë është një, por titulli i dramës implikon më shumë se një, pasi të gjithë të sëmurët kërkojnë mbi të gjitha një mundësi për të gjetur pastërtinë, të ndërgjegjes, të shpirtit e të trupit, ashtu si dhe Priori.

Njeriu është përherë në luftë me veten e tij, duke sjellë rrjedhimisht dhe një luftë të përhershme të sistemeve që krijon, të cilat shfaqin të njëjtat frikëra e dobësi si vetë ai. Por gjithë ai shkatërrim shoqërohet gjithnjë dhe me katharsis, si në epilogun e dramës “Ëngjëjt e Amerikës”. Kushneri përmes një monologu  final të Priorit zgjedh progresin, duke i dhënë dhe teatrit të fundshekullit të XX veprën më të duartrokitur nga kritika. Edhe Kumbaro ja del kështu t’i japë teatrit shqiptar, një prej shfaqjeve më të guximshme e të arrira të kohëve të fundit.