Alpeta - Agroturizmi i Lindur e i Rritur në Fshatin e Mirë Roshnik - Into Albania

Alpeta – Agroturizmi i Lindur e i Rritur në Fshatin e Mirë Roshnik

Kur vëllezërit e familjes Fiska nisë punën me një restorant modest në oborrin e shtëpisë vite më parë, Arditi – nipi i Petrit Fiskës, ishte ende me studime në Tiranë dhe ndoshta, si shumë të rinj që zgjedhin kryeqytetin, pa ndonjë plan për t’u kthyer në vendlindje.

Restorant Roshniku në vitin 2016. Burimi facebook.com/pg/RoshnikuRestorant

Me rritjen e punës dhe të vëmendjes ndaj atij që dalë ngadalë po shndërrohej në një agroturizëm dhe biznes të mirëfilltë familjar, entuziazmi në këtë vend u rikthye e me të edhe Arditi, që tashmë i dedikohet me kohë të plotë në detyra të ndryshme, nga kujdesi ndaj vizitorëve e deri te promovimi online.

Fshati Roshnik mbështetet rrëzë malit të Tomorri që i qëndron si kapë mbi sy e nga i cili nuk përfiton vetëm hijen e përjetëshme, por edhe atë qetësi që të përkëdhel dhe energji misterioze që gati të përthith dhe s’të lëshon kollaj.

Natyra përreth agroturizmit “Alpeta”. Foto nga IntoAlbania.

Toka në këtë zonë është tepër bujare dhe e shpërblen mundin e atyre që e punojnë dhe kujdesen me ullinjtë më të mirë, rrushin për rakinë e verërat me emër dhe fiqtë e njohur të Roshnikut. Produkte që në agroturizmin Alpeta, jo vetëm nuk mungojnë, por janë motiv për ta vizituar atë.

Ulur në bahçen e Bujtinës Alpeta, me një gotë verë të kantinës së shtëpisë në tavolinë dhe gatime tradicionale të zonës e me produkte të freskëta, shikimi përhumbet larg drejt panoramës magjike e trupi shtendoset e njëkohësisht lartësohet dhe pa e kuptuar, të pushton një djesi e plotfuqie dhe duket sikur hapësira të përket.

Modeli i biznesit që ka zgjedhur të aplikojë familja Fiska është ai i zhvillimit të qëndrueshëm, gjë që do të thotë, numër i kufizuar shtretërish, shfrytëzim i kontrolluar i tokës bujqësore, në favor të ekuilibrit njeri-natyrë për një kohë sa më të gjatë.

Një nga dhomat e agriturizmit “Alpeta”. Foto nga IntoAlbania.

Janë tetë dhomat e hapura për vizitorët. Disa prej tyre shohin drejt Tomorrit dhe të gjitha janë të kuruara thjeshtësisht, në stil modern por me elemente bazë nga tradita beratase dhe sigurisht, me të gjitha komoditetet e nevojshme.

Vendet për t’u vizituar pranë saj

Distanca e ngushtë fizike prej 15 kilometrash nga Berati, e bën këtë bujtinë edhe më interesante për të qëndruar, përpara apo pas një vizite në qytetin pasuri Unesco dhe objektet e lashta të kultit në rrethinat e tij.

Së fundmi, falë restaurimit, Roshikut i rikthehet edhe shtëpia-muze, “Banesa në Roshnik”. Një godinë ultra treqind vjeçare, unike në të gjithë qarkun e Beratit, me vlera të paçmuara arkitekturore dhe dëshmi e qytetërimit dhe traditës beratase.

Fermer për një ditë

Ajo që tërheq shumë vizitorët e bujtinave së fundmi, është pjesmarrja në një nga punët që në fakt ushtron në të përditshmen e tij një fermer në agroturizëm dhe i zoti i shtëpisë, Petrit Friska, nuk ka dashur t’ua mohojë këtë kënaqësi klientëve të shumtë. Kështu, në varësi të stinës, mund të provoni të vilni dhe shtrydhni rrushin për të prodhuar verën, apo ullinjtë për vajin e mrekullueshmëm të Beratit. Mund të mblidhni qershitë ose fiqtë për vargjet e ëmbël të palafikut. Akoma më e veçantë do të ishte një xhiro me mushkë në rrethinat e malit të Tomorrit.

Shërbim Ekstra

Një shërbim shumë i vlefshëm për turistët është ai i transportit për në aeroport. Kundrejt pagesës, mund të zgjidhni të pushtoni Roshnikun sapo keni vënë këmbë në tokë shqiptare, ose të largeheni prej Shqipërisë me shijen e mirë që ju ka lënë kjo vizitë.

Për të rezervuar qëndrimin në Bujtinën Alpet, për një vakt të shijshëm apo një përvojë unike si agronom, mjaftoni ta kërkoni online, në faqen e IntoAlbanias dhe të njiheni me ofertat dhe paketat e ndryshme që kjo bujtinë ofron.

New & Trending

Choose a