Book Your Stay
Book Your Flight
Nëse jeni në kërkim të një vendi ku ju mahnitë me detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, historik dhe kulturor, Shkodra është tipike nga ato raste kur natyra është treguar shumë bujare duke i dhënë asaj bukuri të shumta.
Shiroka e cila ndodhet vetëm 5-6 km larg Shkodrës, është nga ato bukuritë e cila shfaqet si një afresk me liqenin, malin dhe ajrin e pastër, duke e kthyer këtë vend shumë joshes jo vetëm për Shkodranët, por edhe për shumë turistë nga të gjitha trevat Shqiptare dhe përtej tyre.
Shiroka, foto Terenc Pepa
E pozicionuar në perëndim të Liqenit të Shkodrës, pasi lë “Urën e Bunës” dhe merr rrugën në të djathtë të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta në kryeqendrën e veriut. Shiroka ka qenë një fshat peshkatarësh, emri i të cilit ka ardhur nga shenjtori Shën Rroku i Montpeliesë, ndihmës i të sëmurëve me murtajë. Në nder të tij është ngritur edhe Kisha e Shën Rrokut ku festohet edhe dita me të njëjtin emër. Ndërsa 6 km më tej, në pjesën veriperëndimore të Liqenit, ndodhet fshati Zogaj. Meqenëse kjo pjesë e bregut të Liqenit është vend kurativ, me mikroplazhe të ndërtuara mbi zhavorret, ajo ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm, sidomos të qytetarëve të Shkodrës në ditët e nxehta të verës. Duke parë gjithë këto vlera, edhe mbreti i dikurshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, pati ngritur në Shirokë një rezidencë verore.
Shiroka, foto Terenc Pepa
Shiroka të ofron variacione, pasi mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me varkë apo të ngjiteni në mal, apo edhe të pedaloni. E sidomos tani me pedonalen e re, e cila ka nxjerr në pah edhe më tepër bukuritë e zonës. Mesiguri një ndër bukuritë që do ju tërheqë vëmendjen do të jetë edhe mozaiku i shtruar me motive të qilimit, një ftesë për të hyrë në traditën e zonës. Në fakt për banorët dhe vizitorët pedonalja është qendra, sepse të gjitha rrugicat e shtëpive të nxjerrin aty. Investimet e viteve të fundit, kësaj zone i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla duke e kthyer në një vend të denjë jo vetëm për të kaluar një ditë ndryshe. Së fundmi “Qilimi shqiptar”, në sheshin e ri në Shirokë frymëzuar nga identiteti kulturor i zonës nominohet për çmimin prestigjioz të arkitekturës botërore “Mies Van Der Rohe Award”.
Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës, e ka kthyer në qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit. Fshati Shirokë, sot lagje e qytetit, e pasur me kulturë dhe me histori qindra vjeçare, është magjepse, dhe mbetet një krenari e dashuri më vete për Shkodranët.
Pedonalja e Shirokës, moyaiku ‘Qilimi Shqiptar’. Foto Ergys Zhabjaku
Liqeni i Shkodrës dhe kryesisht zona e Shirokë – Zogaj, përbën një kompleks habitatesh të shumtë, të përshtatshëm për praninë e një larmie organizmash të gjallë. Për Liqenin e Shkodrës njihen afër 850 lloje bimore dhe 600 lloje shtazore. Në pellgun e Liqenit të Shkodrës njihen rreth 1900 lloje bimore dhe ndoshta 3500-4000 lloje shtazore. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv.
Shirokë, foto nga IntoAlbania