Artizanët e njohur të Gjirokastrës - Into Albania

Artizanët e njohur të Gjirokastrës

Pëlhurë, guri dhe druri janë tre elementët bazë të zbukurimit të banesave në qytetin e rrallë te Gjirokastrës. Dritaret të zbukuruara me perde të bardha qëndisur me mjeshtëri, gurët si themelet e mbajtjes së shtëpive ku gjalloi e mbeti zanafilla e qytetit, ndërsa druri është çatia mbi kokën e gjirokastritëve që ndërtuan jetën në një qytet të pasur me zgjuarësi.

Artizanët e Gjirokastrës

Në Qafën e Pazarit gjen Vjollca Mezinin, një qëndistare që sytë dhe shpirtin ia dedikon prej vitesh zbukurimit të pëlhurave, duke skalitur me gjilpërë e penj shumëngjyrësh Gjirokastrën, qytetin e saj. Gishtat e shpejtë luajnë me gjilpërën duke lënë mbi dantella vizatime të qytetit, shtëpive karakteristike, kalasë së Argjiros, urave dhe sokakëve që janë frymëzimi i artizanëve. Nuk është e thjeshtë me kokën ulur për orë të tëra të endësh në qëndisje. Për Vjollcën, zbukurimi i pëlhurave shpërblehet nga sytë dhe interesi i turistëve e vizitorëve. Puna e dorës është e rrallë dhe gratë shqiptare e kanë kultivuar këtë mjeshtëri për shekuj. Tek Vjollca gjen shumëllojshmëri, nga motivet gjeometrike të qëndisura bukur mbi beze e deri tek fistonët e bardhë që ravijëzojnë Kalanë e Gjirokastrës apo Qafën e Pazarit, krenaritë e arkitekturës së gurtë.

Qëndistari ne Pazarin e Gjirokastres

Qëndistari në Pazarin e Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania

Në Qafën e Pazarit takon gjithashtu Anastas Petridhin mjeshtrin që ka mësuar të zbukurojë drurin. Çdo vizitor që hyn në zejen e tij e gjen me punë në dorë. Një pllakë e papunuar në pishë të butë ose në dru ahu, po bëhet gati prej duarve të mjeshtrit të marrë një formë mbresëlënëse me frymëzim Gjirokastrën dhe jo vetëm. Anastasi e ka fituar zanatin e gdhendësit të drurit në moshë të re para viteve ’90 kur punonte në ish “Ndërrmarrjen Artistike” të qytetit. Mbi pllakëzat e gdhendura në forma dhe prerje të ndryshme mjeshtri lë të shkruar një emër ose një dedikim duke përdorur teknikën e pirografisë. Begu është mjeti modest që modelon me tel të nxehtë mbi dru formën e kërkuar tek mjeshtri nga turistët. Në vitin 2009 Anastasi u bë fituesi i parë për punimet e drurit në Shqipëri duke krijuar një traditë të mirë të zejtarisë në qytetin e gurtë.

Drugdhendje ne Pazarin e Gjirokastres

Drugdhëndje në Pazarin e Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania

Një burrë me sy të zgjuar e me rrudha të jetës në portret të mirëpret diku më poshtë në Qafën e Pazarit, duke goditur një masiv të ngurtë për t’ i dhënë në fund formën e kalasë së Argjiros. Ai është mjeshtri Muhedin Makri që trashëgoi nga gjyshi e më pas nga i ati aftësinë për të gdhendur gurët. Dalta dhe çekiçi ngulen mbi masivet e gurta dhe vetëm Muhedini e di se cili është këndi i duhur për të formuar atë që duhet. I ka kaluar të 70-at por nuk tregon lodhje në asnjë moment. Çdo mëngjes hap dyqanin e tij modest të mbushur me punime të ndryshme dhe ashtu i palodhur punon mbi porositë e vizitorëve ose gjirokastritëve që duan të kenë një punim rezistent ndaj kohës, si emblemë në shtëpitë e tyre. Jeta e mësoi që të ri të punojë mbi materialin më të ashpër të natyrës, prejt të cilit janë ndërtuar shumë nga shtëpitë e famshme të Gjirokastrës. Është e pabesushme kur në fillim ke parë një masiv të gurtë dhe në përfundim një figurë plot finesë mbi të. I gjen aty në dyqanin e tij portretin e Ismail Qemalit, Ismail Kadaresë apo të figurave që kanë lënë shenja në historinë e qytetit dhe Shqipërisë.

Gurgdhendje ne Pazarin e Gjirokastres

Gurgdhëndje në Pazarin e Gjirokastrës, foto nga IntoAlbania

New & Trending

Choose a