Folklor - Into Albania

Folklor

Si një popull i vjetër dhe me dëshmi të shkruara shumë të vona, folklori shqiptar është një nga terrenet më të rëndësishëm për të kuptuar evoluimin e traditave, zakoneve, apo besimeve të ndryshme shqiptare. Një nder pjesët përbërëse më të rëndësishme është epika popullore, e lëvruar përmes kategorive të ndryshme të saj.

Në epikën legjendare përmendet “Cikli i Kreshnikëve”, një cikël këngësh në qendër të së cilës qëndrojnë vëllezërit Muji dhe Halili. Këto këngë janë reflektues i përplasjeve historike të shqiptarëve me fqinjët, ku i thurren lavde rezistencës dhe trimërisë përballë sfidave të mëdha e në dukje të pakapërcyeshme. Ndërkohë folklori është i mbushur gjithashtu me këngë epike historike, ku i këndohet figurave të njohura të historisë, ndër të cilët vend parësor zë Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Pjesë e folklorit janë dhe legjendat, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në imagjinatën kolektive të shqiptarëve. Ndër to më të njohurat janë Legjenda e Rozafës, që ndërtohet mbi bazën e legjendës së murimit që haset kudo në Ballkan, apo legjenda mbi Besën e Konstandinit apo Gjergj Elez Alisë, që ndërtohen mbi kultin e besës, që konsiderohet dhe si testamenti moral i shqiptarëve. Disa nga motivet më të njohura të legjendave janë ai i takimit të vëllait me motrën, vëllait me vëllanë, mbrojtjes së nderit të motrës, etj.

Pjesë e folklorit janë dhe përrallat shqiptare, ku në fund triumfon përherë e mira. Disa nga figurat e njohura të përrallave shqiptare janë e Bukura e Dheut, Zanat, Shtojzovallet, Karkangjolli, Qerosi etj.

Folklori shqiptar njihet dhe për muzikën popullore, ku polifonia vokale zë një vend të rëndësishëm. Pa prezencën e instrumenteve muzikore, një kor burrash apo grash prej dy, tre apo katër zërave, krijojnë një polifoni vokale të ndjerë që trajton tema patriotike apo familjare e dashurore. Edhe sazet shqiptare, këngët e vallet me muzikë instrumentale shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e publikut botëror me autenticitetin e tyre.

New & Trending

Choose a