Kalaja e Rozafës - Into Albania

Kalaja e Rozafës

Një alegori e historisë së Shqipërisë

Falë legjendës së saj të paharrueshme, e cila në mënyrë alegorike tregon historinë e Shqipërisë e popullit shqiptar sipas sakrificës së një nëne për fëmijën e saj, Kalaja e Rozafës mbetet një monumentet-simbol tepër i rëndësishëm i vendit. Që prej mureve të lashta ilire e deri tek rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve, ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme. Për të njohur të shkuarën e lavdishme të Shkodrës si edhe disa nga etapat më të rëndësishme të historisë shqiptare, duhet të bëni patjetër një ndalesë në Kalanë e Rozafës. Kjo zonë e pasur arkeologjike mban gjithashtu plot surpriza historike që nuk duhet t’i humbisni!

Legjenda e Rozafatit

Sipas legjendës së dhimbshme, ndërtimi i Kalasë ishte i mallkuar prej perëndive të cilat shembnin çdo natë ndërtimin e çdo dite. Për të lejuar qëndrimin e mureve të kalasë, ato kërkuan një sakrificë e cila padrejtësisht u vendos të ishte Rozafa, nusja më e vogël e shtëpisë. Përpara se të vetësakrifikohej e të murosej e gjallë, Rozafa tregoi heroizmin dhe altruizmin e saj duke kërkuar që gjysma e trupit të saj të mbetej jashtë murit, në mënyrë që të ushqente e të kujdesej për foshnjen e saj. Një skulpturë e bukur e figurës së Rozafës e gdhendur brenda murit të saj gjendet në hyrje të kalasë. Ndërsa kalaja përmendet gjatë sundimit të mbretit ilir Gent, emrin Rozafa e hasim së pari gjatë mesjetës.

Dëshmitë historike

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, të cilat e bëjnë më të thjeshtë orientimin e turistëve.  Pasi të hyni në barbakan, hyrja kryesore e fortifikuar e shekullit të XV-të, do të gjendeni në oborrin e pare, ku gjendet trakti i murit ilir të shek. të IV-rt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë.  Përgjatë oborrit të parë gjenden dhe rrënojat mesjetare të cisternave, kullave të Balshajve apo banesave veneciane.

Kisha e kthyer në xhami

Në oborrin e dytë, pranë mureve rrethuese në veriperëndim të kalasë, gjenden rrënojat e një objekti i cili meriton vemendje të veçantë. I ndërtuar në stilin romantik, fillimisht ky monument ishte Kisha e Shën Stefanit (shek. XIII-XV) por, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, objekti u transformua në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut (shek. XVI – XIX). Në të njëjtën periudhë, popullsia katolike braktisi kalanë dhe ambjentet e saj u kthyen në një bazë ushtarake. Sot, rrënojat e kishë-xhamisë, që u braktis përfundimisht në vitin 1865, shërbejnë si simbol i pasazheve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri. Në të njëjtin oborr janë edhe rrënojat e burgut otoman, kazerma e depos së municioneve që datojnë rreth shek. XVI – XVII, si dhe depozitat katërkëndëshe të mbuluara me qemer.

Muzeu i Kalasë

Kalaja përfundon në oborrin e tretë, ku spikat një godinë trekatëshe e kohës veneciane, e njohur si “Kapitaneria”, e cila shërbente si rezidencë e sundimtarit venedikas. Në këtë godinë gjendet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës, ku flitet për të shkuarën 4000 vjeçare të kalasë si edhe etapat dhe familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit. Aty shfaqen disa objekte të zbuluara përreth dhe objekte të tjera të kulturës së Komanit dhe Drishtit. Informacionet jepen në shqip, anglisht si edhe në alfabetin braj, për ata që nuk shikojnë.

Pamjet spektakolare

Përgjatë gjithë kalasë, do të mund të shijoni pamje panoramike të Liqenit të Shkodrës, të lumenjve të qytetit si dhe të maleve të shumta që lartohen ngado. Në jugperëndim të kalasë, në oborrin e tretë, shikohet lehtësisht pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, që teksa gërshetohen së bashku, dhurojnë pamje mahnitëse me të cilat mund të harxhoni të gjithë baterinë e aparatit fotografik.

 

    Prill - Shtator, Çdo ditë 9:00 - 18:00 Tetor - Mars 8:00 - 16:00
    Rruga "Rozafa", Shkodër Get Directions
    2 orë

Explore More