Jufka me pulë fshati - Into Albania

Jufka me pulë fshati

Jufka me pulë fshati është një nga recetat tradicionale me të shijshme të zonës së Dibrës, dhe realizohet lehtësisht me përbërës të thjeshtë. 

Historia

Jufkat me pulë janë një gatim i thjeshtë, i shëndetshëm dhe plot aromë shtëpie. Gatimi është tradicional për zonat verilindore të Shqipërisë dhe në periudhën e dimrit është gostia më e mirë për familjen dhe miqtë. Jufkat janë prodhim tipik me të cilin dibranët mburren. Këto makarona si flokë të dredhur bashkohen në një recetë të thjeshtë e cila nuk merr më shumë se 50 minuta kohë të plotë gatimi.

Burimi i fotos: pinterest.com/flutragrecagmai/

Përbërësit

1 pulë e freskët fshati

450g jufka

100g gjalp i freskët

1 qepë

Kripë dhe piper

Përbërësit

Ju duhet një pulë e freskët e fermave shqiptare, rreth 450 gramë makarona jufka, 100 gramë gjalpë të bulmetit shqiptar, 1 kokërr qepë dhe si përherë kripë e piper sipas dorës së amvisës.

Receta

Gatimi fillon duke i dhënë një valë pulës e cila nëse është e freskët do të mbushë me aromë të dashur gjithë shtëpinë. Pula rekomandohet të ziejë rreth 25 minuta nga momenti kur mbi ujë lodrojnë bulëzat e para të valimit. Pula zihet e plotë ose e copëtuar në pjesë relativisht të barabarta. Paralelisht në një tigan shkrini gjalpin dhe menjëherë pas tij qepën e grirë hollë. Përzierja e qepëve me gjalpin bëhet në zjarr të butë dhe duhet të paktën 3-4 minuta duke u kujdesur që të mos marrë ngjyrë të fortë. Hedhim pak kripë dhe piper dhe nëse dëshironi të luani me ngjyrat provoni edhe pak piper të kuq, jo djegës. është momenti që në tigan të hidhni jufkat dhe t’i përzieni ngadalë duke mos i lënë të ngjiten me njëra tjetrën. Shija e makaronave do të pasurohet nga aroma thumbuese e qepës dhe erëzave që përdorëm më lart. Kjo skuqje e makaronave nuk duhet të zgjasë më shumë se 3 minuta. Bëni gati tavën e cila më parë është ngrohur lehtë nga furra. Shtroni aty jufkat spërkatini me gjalpin e mbetur dhe në fund shtoni lëngun e pulës dhe copat e mishit mbi to. Jufkat duhet të mbulohen me lëngun e mishit. Tava futet në furrë dhe qëndron aty në temperaturë 200-220 gradë celsius, derisa gjithë përbëësit në tavë të kuqëlohen nga pjekja në furrë. Amvisat thonë se zakonisht koha e pjekjes shkon nga 20-25 minuta.

Sekreti i fshehur

Shijojini jufkat me rakinë e kumbullës së Dibrës por provojini edhe me uzo. Ndërsa për fëmijët e vegjël mbushni gotat me lëng boronice ose komposto kumbulle pa sheqer të bërë në shtëpi. Antipasta më e mirë për të shoqëruar jufkat janë sallata jeshile përzjerë me shegë, djathë dhie nga baxhot e fermerëve dhe turshi domatesh të spërkatura me vaj ulliri.

Ju bëftë mirë!

New & Trending

Choose a