Shtëpia-muze e At Gjergj Fishtës - Into Albania

Shtëpia-muze e At Gjergj Fishtës

Shtëpia e At Gergj Fishtës mbetet një nga objektet më të çmuara të të trashëgimisë kulturore kombëtare. Tashmë e restauruar pasi ishte rrënuar ndër vite, ajo është një muze që dëshmon për veprën e pazëvendësueshme te Fishtës në historinë e kombit shqiptar.

Banesa e cila ndodhet mbi një kodrinë të fshatit Fishtë të Lezhës është një dëshmi e gjallë e poetit, atdhetarit dhe françeskanit të madh At Gjergj Fishta. Kjo godinë e cila mban statusin monument kulture, është vendi ku poeti i madh kaloi periudhën e hershme të jetës së tij.

Pllaka e shtëpisë muze e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë, Lezhë. Foto nga Mrizi i Zanave.

Restaurimi

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës është rindërtuar duke u shndërruar në atraksion turistik që nxit potencialin e të gjithë zonës. Ky restaurim është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane,” që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij, pra do të përfshijë të gjiatë stacionet e tjera ku ka kaluar jeta e Fishtës. Restaurimi ka mbajtur konfiguracionin origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati, madje edhe në oborre. Brenda në muze, mund të gjenden veprat e shumta të At Gergj Fishtës.

Nga data Mars 12, 2021 shtëpia e Atë Gjergj Fishtës hap dyert për vizitorët nga ora 13:00 deri në ora 17:00, mundësuar nga vullnetarë si Ornela, që është mbesë At Gjergjit.

Shtëpia-muze e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë, Lezhë. Foto nga Mrizi i Zanave.

Mbi At Gjergj Fishtën

Një nga figurat më të dashura të popullit shqiptar, At Gergj Fishta nuk ishte vetëm figurë e letrave shqiptare (poet, dramaturg, prozator, përkthyes) por ai ka qenë frat françeskan dhe kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Për thuajse gjysëm shekulli, poeti i kurorëzuar kombëtar ka qenë një nga figurat më e shquara të kulturës shqiptare. Pas vendosjes së regjimit komunist në 1945-ën, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste. Për këtë arsye, vepra e Fishtës ka një vlerë të veçantë për popullin.

Veprat e Fishtës në muze. Foto nga Mrizi i Zanave.

Veprat e Fishtës në muze. Foto nga Mrizi i Zanave.

Gastronomia e njohur e Fishtës

I gjendur në Fishtë, agroturizmi Mrizi i Zanave është kthyer në një legjendë të vërtetë të kuzhinës shqiptare, dhe jo pa arsye. Oferta e veçantë e një ekperience tejet autentike të jetës së fshatit në Shqipëri gjendet më mirë këtu se kudo tjetër në vend. Prezenca e At Gjergj Fishtës ndjehet edhe në ambientin e ngrohtë të Mrizit, aty ku ushqimi i freskët dhe mikpritja të kujton pse kjo zonë duhet çmuar.

Restorant-fermë Mrizi i Zanave në Fishtë. Foto nga Mrizi i Zanave.

Lexoni më tepër

Mbi çiftin e huaj të bllokuar në Fishtë duke shijuar jetën në fermës, klikoni këtu.

Për të zbuluar pse duhet të njiheni mirë me zonën e Lezhës, klikoni këtu.

Explore More