10 sugjerime nga Simona Karafili - Into Albania

10 sugjerime nga Simona Karafili

Sopranoja më e re në skenën e Operas dhe Baletit, Simona Karafili, na rrëfen pikat e saj të preferuara të kryeqytetit, rutinën e saj të mëngjesit, dashurinë për ushqimin, artin e operas, dhe qenushen e saj, Zoin.

1. Kafe

Pas zgjimit në orën 7:00 apo 7 e pak, nё varësi tё qenushes time, Zoit, ndonjëherë akoma me pizhama, vesh atletet, një pardesy, e nxitojmё të dyja për te parku pranë Sheshit „Skënderbej”. Por më parё, do tё futemi te „Sophie Caffe” të marrim njё „double cappuccino”, (më shume kafe se qumёsht), qё do ta shijoj përgjatë një ore, teksa shikoj Zoin qё vrapon e rrokulliset nëpër bar, hera-herës edhe me ndonjë mik tjeter katërputrosh.

„Sophie” ka një atmosferë të hareshme: ҫunave dhe gocave që shërbejnë, nuk u mungon asnjëherë buzëqeshja apo shkathtësia në shërbim.

Simona me qenin e saj Zoi në xhiron e pasdites.

2. Pikë referimi 

Shtëpia ime.

Sepse aty mbyllet nata e nis dita. Shtёpia ime mban gjendjet e mia: rregullin, rrëmujën, gëzimin, a trishtimin. Në shtëpinë time jeton familja ime, e cila në fund të ditës mbetet arritja dhe kënaqesia më e madhe në jetë.

3. Vend i rastësishëm

Pazari i Ri, sepse në një mënyrë apo në një tjetër, e gjej shpesh herë veten duke kaluar aty. Mesa duket, miksimi i rrëmujës së një pazari dhe estetikës etnike të stilizuar qëndrojnë në harmoni të plotë.

New Bazaar

Pazari i Ri në Tirane, foto nga IntoAlbania

4. Vend për një drekë të shpejtë

E kush nuk i ka mirë punët me pastat ?!

Tek „Pastaria” pjatat janё tё shpejta, tё shijshme dhe tepër të arsyeshme në çmim. Ajo që do sygjeroja të mos mungonte kurrë në fund tё ushqimit, është njё „crème brûlée”, ëmbëlsirë franceze që  do të thote “krem i djegur”, qё nё fakt, të djegur ka vetëm fletën e sheqerit në sipërfaqe.

5. Pjata e preferuar

Kam disa të preferuara, pasi marёdhënien me ushqimin e kam tejet të konsoliduar. Por do të veçoj „salmonin me perime” të gatuar në tavë, sepse është një pjatë e lehtë dhe e shijshme.

6. Aperitiv 

Tek Padam.

Duke qenë se të pirit alkol është një përjashtim dhe jo normë për mua, një Martini i bardhë, me një kokërr ulliri, shoqëruar me kallamarё e karkaleca të fërguar, nën shijen e erëzave pikante, është gjithnjë një zgjedhje e mirë.

7. Kënaqësi e veçantë

Një xhiro me biçikletë në orën 22:00 të mbrëmjes. Tirana është kaq e bukur në mbrëmje, atëhere kur rrugët zbrazen e zhurmat bëhen disi të largëta.

Pamje e Sheshit Skënderbej natën, foto nga IntoAlbania.

8. Vendi i kulturës

Opera !!!

Nuk është “arti elitar” për të cilin keni shpesh herë rezistencë. Kurrsesi nuk mundet të jetë elitar emocioni. Opera bazohet në emocion: ndjesia më e thjeshtë për t’u perceptuar. „Teatri i Operas dhe Baletit”, ofron një kalendar të ngjeshur e të larmishëm. Shpeshherë jemi nё „tour”. Pra, nëse nuk vini ju tek ne, vijme ne tek ju!

Simona Karafili në rrolin e Lejlës tek “Les pécheurs de perles” nga Georges Bizer. Teatri i Operas dhe Baletit.

9. Restorant për darkë

„Artisti”, tek rruga e bukur e Liceut Artistik.

10. Bar/Klub

Padam.