Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, Zayed-Flatrat e Veriut Nis Zyrtarisht Fluturimet më 18 Prill - Into Albania

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, Zayed-Flatrat e Veriut Nis Zyrtarisht Fluturimet më 18 Prill

Shqipërisë shumë shpejti do t’i shtohet edhe aeroporti i Kukësit, i cili do të nis fluturimet me datë 18 prill.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë, nga ulja e avionit të parë në Aeroportin e Kukësit, në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar. Tashmë nuk është më as enigmë emri i i aeroportit të Kukësit i cili do të quhet Aeroporti Ndërkombëtar Zayed-Flatrat e Veriut”.

Të dielën e 18 Prillit, një avion me pasagjerë pritet të jetë i pari që do të zbresë në pistë. Do të jetë një linjë direkte nga Londra. Për fluturimet e rregullta do të pritet muaji Maj, Ndërsa në kantierin gjigant prej 100 hektarësh, gjithçka po merr formë.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku  tha se “Aeroporti i Kukësit ka marrë licencën kombëtare dhe është në proces të marrjes së licencës ndërkombëtare, duke qenë kështu gati për të nisur më 18 prill, fluturimin e parë”.

Sipas saj, për momentin grupet e auditimit të Aviacionit Civil janë atje.

“MIE po mbikqyr të gjitha veprimet. Por menjëherë pas kryerjes së fluturimit të parë, jemi të lumtur për t’ia lënë këtë aeroport koncesionarit, i cili do të nisi menjëherë nga kontratat tregtare dhe të thërrasë të tëra kompanitë, që mendoj se mund të jenë dhe low cost dhe kështu iu shërben shqiptarëve edhe në një aeroport  më afër, pasi sot nga Tirana për në Kukës, shkohet për 1 orë e pak”, tha Balluku.

Aeroporti i Kukësit është një aeroport lowcost ndaj edhe linjat që do të operojnë do të jenë të tilla. Linjat do të jenë Angli, Gjermani, Skandinavi, Zvicër, si dhe Italia e Veriut gjithashtu. Terminali do të ketë edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët. Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndaj vijojnë bisedimet me kompanitë ajrore.

Pak histori

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës. Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila u përball me fluksin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Pas pranimit të kësaj ideje, projekti i Aeroportit të Kukësit u zhvillua më tej me studime të përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (AAC) dhe investitorëve. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të 15 shkurtit 2001, u miratua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit.

Ndërtimi i aeroportit nisi më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005.  Shuma totale e investimeve ishte afërsisht 20 milionë dollarë, financim – dhuratë nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Më datë 7 Qershor 2006, Aeroporti i Kukësit kaloi nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DPAC), që pas vitit 2010 u quajt Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC).