Anjunadeep "Explorations": Festivali me ndjekësit e flaktë zbret në Dhërmi - Into Albania

Anjunadeep “Explorations”: Festivali me ndjekësit e flaktë zbret në Dhërmi

Dikush do të mendonte se do të ishte New York-u, Chicago, apo Vankuver, një nga qytetet ku kompania muzikore Anjunadeep do të organizonte eventin ku do të mblidhej numri më i madh i dj-ve të kësaj marke. E megjithatë jo, ishte Dhërmiu, fshati i jugut të Shqipërisë që mblodhi nga data 20 deri në 25 qershor, 45 dj të Anjunadeep, për të sjellë festivalin me emrin sugjestiv “Explorations”. 

Anjunadeep “Explorations”, foto nga IntoAlbania.

Themeluar në vitin 2005 nga Above & Beyond dhe James Grant, Anjunadeep është kthyer në një nga kompanitë më të rëndësishme të prodhimit të muzikës në lëmin deep house, dance, progressive trance etj. Me dhjetëra artistë kanë nënshkruar me këtë markë, e bëhen pjesë e eventeve të organizuara prej saj kudo në botë. Disa prej më të njohurve, që performuan dhe në Dhërmi, janë Lane 8, Yotto, Dusky, Croquet Club apo 16 BL. 

Elif duke luajtur muzikën e saj tek skena e “The Cove”, foto nga IntoAlbania.

Fansat e Anjunadeep janë nga më interesantët që mund të takosh. Për ta, së pari vjen muzika; është ajo që i udhëheq drejt të prenotuarit të 5 netëve qëndrim në një fshat për të cilin deri para këtij festivali nuk kishin dëgjuar asgjë. Hektor, një kolombian me banim në Majemi, është një fans besnik i Anjunadeep, festivalet e të cilës janë për të gati një fe më vete. Me një  energji të pashtershme na flet për të gjitha eventet e Anjunës ku ka marrë pjesë, si dhe na tregon bluzën e festivalit aktual, “Explorations”, ku ka marrë firmat e të gjithë dj-ve që kanë interpretuar. 

Hector, një nga pjesëmarrësit e festivalit. Foto nga IntoAlbania.

Për Hektorin, eksplorimi, lajtmotivi i festivalit, u përmbush më së miri, pasi Shqipëria për të ishte një vend surprizues. “Festivali ishte një mundësi e mirë për të parë nga afër Shqipërinë. Është një perlë e vogël, me njerëz të mrekullueshëm, e një ushqim kaq të shijshëm. Këtu kam ngrënë pjatën më të mirë vegjetariane të mundshme, me domaten më të shijshme që mund të provosh,” – na thotë Hektor. 

Skena e “Splendor”. Foto nga IntoAlbania.

Nisur nga fakti që organizatorët e këtij eventi ishin po të njëjtën me festivalin “Kala”, të organizuar disa ditë përpara Anjunadeep Explorations, skenat e festivalit ishin gjithashtu të njëjtat, me ndryshime të dukshme në dekor dhe stil. Kështu, kishim një skenë tek “The Yacht Club”, një tjetër në gjirin e vogël të quajtur “The Cove”, si dhe dy skena të mëdha anës detit, “Empire” apo “Splendor”.

Një nga skenat e festivalit, foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Nuk mungoi as muzika në plazhin e Gjipesë, që vizitohej me varkë, e që për shumë nga pjesëmarrësit ishte një nga surprizat më të këndshme të rezervuara nga organizatorët. Publiku i festivalit ishte gjithashtu i një lloji tjetër, ku mosha mesatare ishte rreth 27 vjeç, me një audiencë të ardhur kryesisht nga SHBA, Britania e Madhe apo Zelanda e Re.

Skena në Gjipe, burimi i fotos: Cruzez West.

Afsar, ka ardhur me një grup miqsh nga Londra, e na thotë se grupi i tyre është shumë më i madh se sa ata që po takojmë. “Jemi rreth 150 fansa të festivalit që njihemi, e që vijmë të organizuar sa herë ka një event të tillë të Anjunadeep. Ky është një nga edicionet më të mëdhenj tek të cilët kam qenë prezent,” – na thotë Afsar.

Asfar, në të majtë, me miqtë e tij. Burimi i fotos: Cruzez West.

Mes fansave ka dhe producentë apo dj të ardhshëm, që ëndërrojnë të përfshihen nën brand-in e Anjunadeep. I tillë është dhe Sergio Orozco, i ardhur nga New Mexico. Tejet entuziast për organizimin në Shqipëri, ai na flet për muzikën që prodhon i inspiruar nga Anjunadeep. Duke dëgjuar këngët e hedhura në kanalin e tij në soundcloud, ndihet e njëjta frymë e deep house dhe tek muzika e Orozcos.

Mbi 2000 të pranishëm bënë të mundur që edicioni i parë i Anjunadeep në Shqipëri të ishte një sukses që kaloi të gjitha pritshmëritë fillestare. “Shpresoj që festivali vitin tjetër të vijë sërish në jugun shqiptar, do të ishte fantastike,” – na thotë Amanda, një e re amerikane që ndjek kudo festivalet e Anjunës.

Amanda, pjesë e festivalit. Foto nga IntoAlbania.

Kërcimi sensual i saj nën miksin e këngëve të ATB të bërë nga Trance Wax, është një nga kartolinat e fundit të Anjunadeep Explorations, që së bashku me Kala Festival, bënë që Dhërmiu të ishte për dy javë kryefjala e muzikës, verës dhe festës në Shqipëri.

Anjunadeep Explorations, foto nga IntoAlbania.

The Yacht Club, foto nga IntoAlbania.

Anjunadeep Explorations, foto nga IntoAlbania.

Anjunadeep Explorations, foto nga IntoAlbania.