Eventet e Javës Sugjeruar nga IntoAlbania - Into Albania

Eventet e Javës Sugjeruar nga IntoAlbania

Java e  dytë e dhjetorit sjell një atmosferë të ngrohtë për të gjithë ne. Mes eventeve të ndryshme kulturore, kjo javë është një ftesë e hapur për të gjithë ju!

  1. Festivali 11-të…47 vite më pas, Bunkart 1. Tiranë 9-10-11 dhjetor

Nëse jeni nostalgjik të Festivalit të 11-të, Fondacioni Qendra Ura, RTSH dhe ReportTV, e risjellin atë mbas 47 vitesh. I konceptuar në formën e një show, protagonistët e këtij festivali do të kujtojnë me dëshmitë e tyre atë ngjarje dhe do të performojnë këngët e tyre. Ky event kërkon të kujtojë sakrificat e atyre që u persekutuan se donin të prodhonin art dhe të jetë një mesazh për të rinjtë që të mos harrojnë të shkuarën, por të mësojnë prej saj. Të ftuar special do të jenë Al Bano dhe Olen Çesari. Ju sugjerojmë të mos e humbisni këto net. Hyrja është falas, thjesht duhet të nxitoni të rezervoni!

  1. Takim me Enkel Demi, për librin “Ora e Ligë.” MonCheri 9 dhjetor, Tiranë.

Aktiviteti Libër plus Kafe e barabartë me pasditen tuaj ideale, kërkon të promovojë mjediset rinore, kafe-libraritë, si hapsira të ngrohta për të lexuar, pse jo të bëhen dhe takime me shkrimtarë. Nisma e sjell nga Bashkia Tiranë, Bukinisti dhe MonCheri, synon të afrojë më shumë lexuesin me librin. Këtë të hënë bashkëbisedimi do të jetë me Enkel Demin, nga ora 18.30-19.30 tek MonCheri afër gardës.

  1. Film “Gatto Cenerentola”. Instituti Italian i Kulturës, 11 dhjetor Tiranë.

Më 11 dhjetor keni mundësinë të shikoni filmin e Alessandro Rak, me titull “Macja Hirushe”. Për të gjithë të apasionuarit e gjuhës italiane, Instituti Italian i Kulturës ju krijon mundësinë që të shijoni kinemanë italiane, nga ora 18.00-21.00.

  1. Ekspozitë “E shkuara e pakryer”, Muzeu Historik Kombëtar. 11 dhjetor Tiranë.

Një ekspozitë interesante që ia vlen t’a shikoni, është ajo që do çelet më datë 11 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sjell në këtë ekspozitë të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste.

  1. Teatër “Tre vetë në një varkë, pa llogarit Nik Prelë Mujën” Teatri “Migjeni”. Në datat 12,13,14,15 dhjetor, Shkodër.

Stefan Çapaliku sjell në teatrin e Shkodrës dramën “Tre vetë në një varkë, pa llogarit Nik Prel Mujën”. Shfaqja vjen premierë për publikun dhe trajton një histori shkodrane që zhvillohet në tri kohë dhe në tre vende të ndyshme. Ajo është një shfaqje që ndërthur dhimbjen dhe humorin në të njëjtën kohë.

  1. Nisma, “Dhuro një lodër dhe ti”. Tiranë 14-15 dhe 21-22 dhjetor

Nëse do të japësh dhe ti kontributin tënd për familjet e dëmtuara nga tërmeti, ky është momenti! Një nismë e punonjësve social, kërkon të sjell më shumë buzëqeshje tek më të vegjlit, duke i kthyer festat e fundvitit më të lumtura për ta. Të gjithë mund të bëhen pjesë e kësaj nisme duke dhuruar sa më shumë lodra. Në data 14-15 dhe 21-22, në hollin e teatrit ArTurbina nga ora 9.00-21.00 çdo kush mund të paraqitet për të kontribuar në këtë nismë sensibilizuese. Dhuro një lodër dhe ti!

  1. Muzikal për fëmijë, “Të Mirësjellshmit.” Teatri Metropol 14-15 dhjetor, Tiranë

Në datat 14-15 dhjetor në orën 11.00 të mëngjesit mund të argëtoni fëmijët tuaj duke i çuar në teatrin Metropol. Grupi muzikor All In Band Albania do të luajë muzikë cilësorë për fëmijët nën ritmet Jazz, Blues, Swing, Salsa, etj. Do të jetë një shfaqje muzikore ku do të pasqyrohen tema si mirësjellja, mirënjohja, vetëbesimi, komunikimi dhe bashkëveprimi me pjesëtarët e familjes. Një muzikal për fëmijët, që sjell shumë gëzim për ta.