Foka e Mesdheut - Një Specie e Rrallë dhe në Zhdukje Shfaqet në Brigjet Shqiptare - Into Albania

Foka e Mesdheut – Një Specie e Rrallë dhe në Zhdukje Shfaqet në Brigjet Shqiptare

Në fillim të muajit korrik Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrotjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka publikuar një video ku shihet për herë të parë Foka e Mesdheut përgjatë bregdetit të jugut të Shqipërisë.

Informacionet e para për fokën e mesdheut mbi vendndodhjen, kohën, si dhe karakteristikat fizike, PPNEA i mori përgjatë zhvillimit të intervistave në zonë me fokus prezencën e fokës dhe perceptimet e komuniteteve lokale lidhur me të. Zonat e përfshira në këtë proces ishin Saranda, Ksamili dhe Himara, ku mendohet që edhe foka mesdhetare ka krijuar habitatin e saj.

View this post on Instagram

Dokumentimi i Parë i Fokës së Mesdheut në Sarandë Gjatë vizitave për investigimin e pranisë së fokës së Mesdheut në jugun e Shqipërisë, PPNEA arrin të sigurojë dëshmi në format video mbi praninë e saj në Sarandë. Ky dokumentim u sigurua përgjatë zhvillimit të intervistave me grup target peshkatarët, zhytësit, banorët lokal, si dhe përfaqësues të bizneseve. Filmimi është regjistruar prej peshkatarëve të zonës, të cilët ushtrojnë çdo ditë aktivitetin përgjatë vijës bregdetare. Sipas tyre, gjatë këtij viti, ju është dhënë mundësia për të parë disa herë dy individë të përmasave të ndryshme. Duke u bazuar në përshkrimin e karakteristikave të trupit mendohet të jenë një individ adult dhe një tjetër i ri i Fokës së Mesdheut. Informacionet e detajuara mbi vendndodhjen, kohën, si dhe karakteristikat fizike u përfituan përgjatë zhvillimit të intervistave në zonë me fokus prezencën e fokës dhe perceptimet e komuniteteve lokale lidhur me të. Zonat e përfshira në këtë proces janë Saranda, Ksamili dhe Himara. Nga përgjigjet e ndryshme arritëm të kuptojmë se perceptimet mbi fokën ishin tepër pozitive dhe se komuniteti lokal e mbështet mbrojtjen e këtij gjitari ujor. PPNEA, me mbështetjen e aktorëve dhe banorëve lokal do të angazhohet vazhdimisht për sigurimin e qetësisë, në mënyrë që këtij lloji të rrallë t’i ofrohen kushtet e përshtatshme për strehimin dhe riprodhimin përgjatë brigjeve tona. Organizata jonë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë pranë nesh çdo rast evidence të fokës së Mesdheut.

A post shared by PPNEA (@ppnea) on

Por vetëm pak ditë më parë  në kuadër edhe të projektit “Eastern Adriatic Monk Seal”, PPNEA realizoi ekspeditën monitoruese për identifikimin e zonave potenciale të strehimit e të riprodhimit për një nga gjitarët ujor më të rrezikuar në nivel ndërkombëtar, foka e Mesdheut. Ky proces u krye në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, konkretisht në segmentin midis Gjirit të Brisanit dhe Dhermiut, shprehen në postimin e tyre specialistët e PPNEA.

Shpellat në parkun detar Karaburun-Sazan, foto nga PPNEA

Shpellat në parkun detar Karaburun-Sazan, foto nga PPNEA

Prania e fokës së Mesdheut në brigjet e Shqipërisë është një tregues i potencialit të jashtëzakonshëm natyror që vendi ynë gëzon. Ky segment ujor përbëhet nga habitate tepër të përshtatshme për praninë e fokës së Mesdheut, të cilat u eksploruan në detaje nga stafi i PPNEA-s. Gjatë kësaj ekspedite gjithashtu u  regjistruan koordinatat për të gjitha shpellat potenciale për strehimin dhe riprodhimin e kësaj specie në bregdetin shqiptar. Dhe sigurisht me këto lajme të mira që na vijnë nga natyra dhe mjediset ujore, të krijon një ndijejnë përgjegjësie për t’i ruajtur të tilla mjedise, duke i ofruar mundësi specieve të rralla si foka e mesdheut të jetojnë të pashqetësuara në habitatet e tyre.