Galeritë e Artit në Tiranë - Into Albania

Galeritë e Artit në Tiranë

Nga më intimet e modernet tek më tradicionalet, Tirana ofron një shumëllojshmëri të theksuar hapësirash dedikuar ekspozimit të artit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Koha për të ndjekur artin dhe për ta shijuar është gjithmonë aty, mjafton të kërkosh! Tirana ofron plot ambiente interesante në këtë drejtim! Bashkë me Galerinë Kombëtare të Arteve, ekzistojnë plot galeri private apo qendra jo-fitimprurëse të cilat ofrojnë sot në Tiranë një pasqyrë dinamike për artin pamor, instalacionin, skultpurën, video-artin dhe rrymat që përshkojnë post modernizmin në këtë fushë. Nga galeritë Mezuraj, Kalo, Zeta, Tirana Art Lab, FAB dhe COD, do të gjeni një kalendar të pasur të autorëve të arteve pamore kryesisht shqiptare.

Galeria Kombëtare

Galeria Kombëtare  ndodhet në një nga zonat më lehtësisht të arrtishme në kryqeqytet, përgjatë bulevardit. Edhe pse me një histori të re themelimi që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, galeria konservon një fond të pasur me vepra arti. Dhjetëra autorë të periudhave të ndryshme kanë derdhur në telajot e tyre Shqipërinë dhe trazirat e saj, gjendjet emocionale dhe sociale të shqiptarëve gjatë dhe pas diktaturës komuniste, figurat historike që dominuan me vendimet dhe jetët e tyre kohët e vendit ballkanik. Çdo ditë të javës, nga e hëna në të dielë prej orës 09:00 të mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes mund të ndiqni ekspozitat apo të vizitoni bibliotekën, për të konsultuar mendime profesionale për artin pamor. Biletat kanë çmime të arsyeshme që janë të personalizuara për të rinj, studentë apo persona me aftësi të kufizuara.

Galeria Kombëtare Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Mezuraj

Mezuraj është një muze intim pak më shumë se 10-vjeçar, por me ambicie për të përfshirë edhe ekspozimin dhe katalogimin e arkeologjisë. I pasur në objekte interesante, muzeu ndodhet në një pozitë të favorshme që arrihet lehtësisht nga disa destinacione njëherësh. Është vetëm pak metra larg “Sheshit Skënderbej,” dhe mund të arrihet në këmbë nëse jeni në sheshin kryesor ose mund të përdorni linjat e transportit publik për të arritur në “Rrugën e Kavajës”.

Muze Mezuraj, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Tirana Art Lab

Një tjetër muze që afron më shumë tendencat e artit kontemporan është “Tirana Art Lab”. Kjo qendër kontemporane promovon artistët e rinj dhe shpesh është bërë shtëpia e rezidencave të artistëve nga shumë vende të Evropës. “Tirana Art Lab” reflekton ngjyrime të tjera që kapërcejnë kufijtë disi “konservatorë” të muzeve tradicionalë të artit pamor. Në një botë që mëton të hapet më shumë, të kërkojë këndvështrime të reja njerëzore, sigurisht që dritaret e vogla të galerive të Tiranës i reflektojnë shpejt në hapësirat e tyre.

Tirana Art Lab. Burimi: facebook.com/ConteporaryTirana/

Zeta

Qendra Zeta është një tjetër hapësirë alternative për artin pamor. Gjendet në katin e dytë të një ndërtese të re shumëkatëshe përballë zonës së njohur si “Libri Universitar”. Themeluesit e “Zetës” synuan të sjellin një vend të pavarur kulturor për qasjet multidisiplinare në artet pamore, duke përfshirë pikturën, skulpturën, fotografinë, videon, instalimin, tingujt dhe performancën. Për herë të parë “Zeta” e nisi rrugën e saj me ekspozimin e veprave të piktorit të madh bashkëkohor shqiptar Edi Hila.

Galeri Zeta, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

FAB

“FAB” është një tjetër muze arti brenda Universitetit të Arteve në Tiranë. Hapësira e galerisë “FAB” është shpesh pikëtakimi për kuratorët, studentët e arteve, pedagogët e tyre dhe artistë bashkëkohorë evropianë. Duke qenë pjesë e botës universitare është e hapur gjatë muajve akademikë të sezonit shkollor.

Galeria FAB, Tiranë. Burimi: facebook.com/pg/Galeria-FAB

Galeri Kalo

Gjendet përballë Galerisë FAB dhe është një hapësirë dy-katëshe ku ekspozohet një përzgjedhje interesante veprash, kryesisht piktura, vizatime apo fotografi. Synimi i Galeri Kalos është promovimi i artistëve të rinj dhe i artit bashkëkohor, ndaj këtu mund të gjeni plot ekspozita të veçanta si edhe të rregullta.

Galeri Kalo, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Bazament Art Space

Bazament Art Space është një hapsirë e re e artit pamor, e cila ka si synim zhvillimin e artit kontemporan. E hapur në vitin 2018, ajo ka si objektiv krijimin një skenë të artit bashkëkohorë duke organizuar ekspozita, bisedime e bashkëpunime me artistë vendas dhe të huaj. E pozicionuar në zemrën e Tiranës në bllok, ajo qendron e hapur nga e hëna në të premte në oraret  11.00 Am-4.00 Pm.

Bazamanet Art Space, Tiranë. Burimi: facebook.com/pg/bazamentartspace/

COD

Dhe në fund, ju sugjerojmë një hapësirë aspak të zakonshme. Në godinën ku punon qeveria shqiptare, një hapësirë e kuruar më shumë vëmendje i kushtohet botës së artit figurativ, letrar dhe dokumentar. Quhet “COD” (Center for Openness and Dialogue)një bashkim sallash që hapet shpesh për publikun gjatë vitit dhe është pa pagesë. Nëse jeni pranë godinës së qeverisë dhe shihni se dyert ballore që shohin nga Bulevardi janë të hapura, atëherë mos hezitoni! Patjetër në “COD” ka një event artistik.

COD, Tiranë. Burimi: COD.