Iso-polifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë botërore - Into Albania

Iso-polifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë botërore

Një mënyrë të kënduari e trashëguar në breza, që tashmë njihet dhe si pasuri e të gjithë botës.

Lord Bajroni nuk e kishte menduar se një nga letrat që i dërgoi nënës së tij kur ndodhej në Shqipëri, do të kthehej në parathënien më ngacmuese të folkut shqiptar. Këtë fakt e shquan në veprën e tij, princi i gjuhës shqipe Faik Konica i cili në  mënyrë besnike risjell përmbajtjen e asaj letre të famshme, të shkruar 200 vjet më parë…

“…Shqiptarët në rrobat e tyre, më madhështoret  në botë, të përbëra prej një fustanelle të gjatë, një flokje të punuar me ar, një xhaketë dhe një  jelek prej kadifeje ngjyrë kermezi dhe të qëndisur me ar, me pisqolla dhe jataganë të stolisur me argjend….formojnë një pamje të re dhe të shijshme në syrin e të huajit.”

Kështu i shkruante Bajroni nënës së tij në Mbrëtërinë e skajit verior të Evropës. I sugjestionuar nga magjia e iso-polifonisë, Bajroni shkruan këto vargje si dëshmi e zërave të bashkuar në thellësinë e shpirtit të këngëtarëve…….

” Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,

darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe.

Dhe kush u ndodh atje papritur gjë,

Ju muar mentë fare nga ajo pamje.

Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,

Përcjellësit ja nisën këngës tyre.

Çdo Palikar e flaku tutje shpatën

kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,

Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat…”

Çfarë ishte në fakt kjo magji që lindte dhe shuhej vetëm me zë dhe nën zë? Cili ishte kuptimi  i vajit të gjatë që drithërohej nën tinguj që recitoheshin?

Shumë etnologë e antropologë vendas dhe të huaj janë ndalur gjatë në shpjegimin e origjinës  së iso-polifonisë shqiptare. Ky art i shpallur nga Unesco në vitin 2005 si trashëgimi gojore dhe shpirtërore e njerëzimit,  përfshihet në 50 atraksionet më tërheqëse të popujve në botë.

Robert Bisha & Albanian Iso-Polyphonic Choir. Burimi i fotos: albanianews.it.

Një art i trashëguar nga antikiteti

Koha e shpërbleu këtë trashëgimi të shqiptarëve nga shekulli në shekull,  nga goja në gojë,  nga fisi në fis, nga treva në trevë, nga tingulli në tingull. Polifonia u kap fort dhe pa humbur anjë regjistër sonor. Duket se polifonia është më e fortë në transmetimin e zërave, ashtu sikurse bëjnë vetë marrësit dhe dhënësit në një recitim zanor. Kori që merr trajta të forta dramatike shoqëron me një  “e-ejeeee”  të zgjatur pa ndalim zërin e parë dhe të dytë, apo katër zërat kryesorë që gjallojnë këngën polifonike.

Çfarë është tamam iso-polifonia?

Studiuesit e quajnë iso-polifoninë, që atdheun e ka në jug të Shqipërisë, si një praktikë komunikuese që e dëshmon veten si eposi homerik në formë orale. Polifonia dyzërëshe konsiderohet varianti më primat i kësaj gjinie të artit folklorik. Marrësi dhe pritësi në recitimin zanor harmonizojnë me njëri-tjetrin tekstin e shkurtër dhe të  thjeshtë, aq sa  për t’u mbajtur mend edhe nga dëgjuesi i herës së parë. Polifonia trezërëshe dhe katërzërëshe është një nga trajtat e kthyera në art në shumë nga trevat e Shqipërisë së Jugut.  Megjithëse marrësi dhe pritësi kanë në recitimin zanor rolin kryesor të gjallërisë dhe hamonisë komunikuese, isoja është elementi strukturor që vendos për jetëgjatësinë e vetë polifonisë në këtë rast. Sipas etnomuzikologëve funksioni i isos në polifoni është aprovimi, mbështetja e këngës.

Katërzërëshi

Nga studimet rezulton se katërzërëshi është zhvillimi suprem i iso-polifonisë shqiptare.  Për herë të parë strukturës së marrësit, dhënësit dhe korit i shtohet hedhësi. Procesi i të kënduarit me katër zëra plotëson jehonën e këngës. Hedhësi në mënyrë vibrante dhe harmonike arrin të përcjellë me regjistër më të lartë vokal përsëritjen e fjalëve të këngës, duke realizuar një lloj jehone në hapësirë të polifonisë.

Kur dëgjon katër burra ose katër gra të këndojnë polifoninë, kupton se një prej tyre, hedhësi apo hedhësja është përhapësi i valëve zanore të zërit. Kjo mënyrë interpretimi e hedh këngën larg, shumë larg në hapësirë fizikisht, duke realizuar postimin e pashkruar të trashëgimisë së polifonisë në shekuj.

Iso-polifonia shqiptare ka ngacmuar shumë autorë të huaj, shkrimarë, studiues, etnologë, antropologë, poetë që kanë gjetur tek recitimi i kënduar shqiptar, dramën e historisë së  vendit, ashpërsinë dhe bukurinë me të cilën natyra e rrethon Shqipërinë, mbi të gjitha, shkrimtarët  në jo pak ratse kanë zbuluar muzat e tyre, kur u është dashur të zbresin mes pluhurave të lashtësisë.

Profesor Hamit Beqja në librin “Gjurmë Jete” shkruante se kur përballej me të huajt dëshironte gjithmonë të kishte përgjigje për pyetjet e tyre kureshtare mbi Shqipërinë. Dhe polifonia është një fushë trashëgimie ku pyetjet lindin natyrshëm, sapo dëgjon për të.

Origjina dhe historia e zhvillimit të iso-polifonisë shqiptare ka sot më shumë përgjigje se para Luftës së Dytë Botërore, por ka studiues që thonë se iso-polifonia  jonë mbetet enigmatike,  e paeksploruar. Dokumentet dhe botimet e dedikuara par këtë gjini të folklorit shqiptar kanë hedhur dritë megjithatë për të kuptuar fuqinë e fjalës së recituar në zëra dhe afësinë e trevave që e zotërojnë polifoninë, për ta përcjellë atë deri në ditët tona.

Është e qartë së harmonia e zërave si në një trung tingullor e ka zanafillën tek aftësia për të kënduar jashtë pentagramit. Duke përdorur oralitetin dhe një kor gati primitiv nga pikëpamja muzikore, marrësi, ai që nis këngën, pritësi, ai që pret fjalët e të parit, korri që jehon “e-ejeee-në” e famshme dhe hedhësi si transmetuesi zanor në hapësirë, janë as më shumë a as më pak dëshmuesit e historisë së shqiptarëve në oralitetin botëror.

Siç thotë shkrimtari ynë i madh Kadare, të folurit është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit që shqiptarët edhe e recituan në këngë.