Jehona e forte e Zâ Fest-it: Kthimi magjik në muzikë dhe natyrë - Into Albania

Jehona e forte e Zâ Fest-it: Kthimi magjik në muzikë dhe natyrë

Pse në Theth?

Ndër festivalet muzikore shqiptare, Zâ Fest është ai më i veçanti. Tri ditë (20-22 Korrik) me muzikë, poezi, kinema verore, hiking dhe joga sjellin mijëra pjesëmarrës në fshatin e bukur malor të Thethit. Nismëtar dhe Drejtor i Festivalit është kantautori dhe kompozitori shqiptar, Vlashent Sata, me organizatorë agjensinë Pik Creative dhe mbështetës institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Pasioni dhe dëshira e madhe e të gjithë palëve për të ndërtuar diçka vërtet cilësore dhe të paharrueshme është e dukshme në çdo detaj të Zâ Fest. Tingujt e këngëve popullore shqiptare dhe ndërkombëtare, shpeshherë të ripunuara me tinguj elektronikë e bashkëkohorë, dridhjet e violinçelit dhe dajres, bashkohen me tingujt e bukur natyrorë të fshatit.

Artist Vlashent Sata duke performuar në Zâ Fest 2018, foto nga IntoAlbania.

Aktivitet Joga gjatë Zâ Fest 2018 në Theth, foto nga IntoAlbania.

Tingujt e lahutës dhe çiftelisë të tërheqin brenda bujtinave. Njerëz që hedhin valle të ndalin hapin rrugës drejt ujëvarës përrallore të Grunasit. “Pse nuk vini?” dëgjohen zërat e tyre si sirenat e Odisesë ndërsa ti vazhdon rrugën drejt destinacionit përfundimtar. “Ndiqni zhurmën e ujit,” na thonë turistët të cilët po zbresin shtegun në kthim të ujëvarës, drejt Thethit.

Guests dancing traditional Albanian folk dance in Theth, photo by IntoAlbania.

Në të vërtetë, udhëtimi në Theth të kujton shpesh Odisenë me paparashikueshmërinë e tij në çdo kthesë. Ndërsa endesh nëpër Theth, duke u përhumbur vazhdimisht në bukurinë e tij të rrallë e të pakursyer, e habitur nga drita e argjendtë e mëngjesit të këtij vendi të bekuar, dëgjon në mënyrë të pashmangshme një shumëllojshmëri zërash e tingujsh të bukur, të cilët nuk mund të riprodhohen në mënyrë digjitale, siç do të donim te besonim. Zhurma e erës, e lopëve dhe kuajve, e lumit, e ujit të freskët e të pijshëm që rrjedh në çdo cep të fshatit, e zërave dhe e muzikës. Në Theth, ka gjithmonë zë, tinguj, muzikë. Kështu Sata nuk ka gabur kur ka zgjedhur këtë vend për festivalin e tij. Zâ Fest i përket Thethit!

Natyra në Theth, foto nga IntoAlbania.

Natyrë në Theth, foto nga IntoAlbania.

Si ta kuptojmë emrin?

Është pikërisht “zëri” që i jep emrin festivalit. “Za,” në gegërisht, është ndoshta një nga fjalët më të bukura të gjuhës shqipe, rrënjë e fjalës “zana”, e cila nënkupton zanat e legjendave por edhe zërat e shumëfishta. “E kam vënë emrin Zâ Fest si zanat që qarkullojnë, tregimet e legjendat, si një za që këndon, një za që të shoqëron e që kumbon gjithandej nëpër Shqipëri” kështu Sata shpjegon zgjedhjen e tij për emrin e festivalit. Edhe skena vendos performuesit në mënyrë të përsosur mes maleve, në mënyrë që tingujt të përshkojnë Shqipërinë dhe të gjithë kontinentin, duke ftuar gjithnjë e më shumë njerëz në këtë vend legjendar. Ky është vizioni i Sata-s për të ardhmen e Zâ Fest dhe, duke gjykuar nga atmosfera magjike e këtij viti, jehona e këtij festivali do të dëgjohet për vite me rradhë.

Artisti Vlashent Sata duke performuar në Zâ Fest 2018 Theth, foto nga IntoAlbania.

Zâ Fest 2018

Megjithëse ky është vetëm edicioni i tij i dytë, Zâ Fest tashmë ka fituar zemrat e mijëra shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Është shumë tërheqës sepse është i veçantë edhe universal. Përzgjedhja e muzikës me tinguj po aq tradicionalë sa edhe bashkëkohorë bën që pjesëmarrësit të ndjehen sikur janë kthyer në shtëpinë e tyre, pavarësisht kombësisë. Sigurisht, pjesëmarrja në Zâ Fest nënkupton një kthim në natyrë, gjithashtu, por edhe në pafajësi dhe fëmijëri. Kjo shpjegon edhe shumëllojshmërinë e pjesëmarrësve në turmë.

Zâ Fest 2018 Stage in Theth, photo by IntoAlbania.

Duket se kjo është pikërisht ajo që Sata kishte në mendje. Ai e krahason atmosferën e këtij festivali me kthimin në fëmijëri, gjyshin që të tregon përalla, nënën që të këndon ninullat e para. Për, të, Thethi ka një energji magjike krejtësisht të vetën e cila përfshin gjithçka brenda saj.  “Mua këtë ndjesi më jep. Ato mallet e natyrë fantastike, mikpritja e njerëzve, dashamirësia e njerëzve që vijnë, ka një lloj energjie që përmblidhet përgjatë festivalit dhe festivali e merr si në krah, malet na përqafojnë dhe e bëjnë Zâ Festin atë që i jep njerëzve këtë lloj dashurie dhe rrezatimi pozitiv” shprehet Sata.

Pas suksesit të qartë të edicionit të parë të Zâ Fest në 2017-ën, Sata rikrijoi një atmosferë magjike edhe këtë vit, duke shtuar plot aktivitete të tjerë. Ai shpjegon se si edicioni i këtij viti ishte më i plotësuar me aktivitete të ndryshme si joga dhe panairi i prodhimeve locale si edhe më i zgjeruar se në 2017-ën. Këtë vit, Zâ Fest ka pushtuar një hapësirë më të madhe në qendër të Thethit, e cila përfshin të gjithë zonën rreth kishës.

Kisha e Thethi në mbrëmje, foto nga IntoAlbania.

Dita e parë filloi nën tingujt e butë të kantautores së re Linda Rukaj, interpretimin e poemave dhe legjendave të zonës nga aktorja Ema Andrea, pianon e Vlashent Satës dhe dritat e kinemasë verore. Nata e dytë filloi me një performancë plot energji nga dy djemtë e duos eklektike nga Prishtina, Oborri. Shpejt u shndërrua në diçka tjetër, nga performanca e fuqishme e Redi Hasës dhe Maria Mazzottës, i duos Hasa-Mazzotta. Sata u hodh në skenë dhe mbajti turmën duke kënduar me një performancë të bukur të improvizuar, ndërsa fillonte performanca finale e Zâ Fest, këngët folk-elektrike të Andrrës, këngëtarja nga Kosova e cila jeton në Berlin. Dita e fundit e festivalit filloi me seancat e jogës së mëngjesit në luginën qendrore të Thethit. Për pak orë në vazhdim, vizitorët u përpoqën të merrnin dozën e fundit të magjisë së Thethit para rrugës së kthimit.

Hasa-Mazzotta duke performuar në Zâ Fest 2018 në Theth, foto nga IntoAlbania.

Duo Oborri duke performuar në Zâ Fest 2018 në Theth, foto nga IntoAlbania.

Këtë vit, Zâ Festi mblodhi rreth 1500-2000 pjesëmarrës në Theth, konfirmon Sata, një numër jashtëzakonisht i madh për fshatin intim. Dhjetëra kampingje të ngritura përgjatë zonës qendrore të fshatit u mbushën me çadrat e pjesëmarrësve. Të gjitha dhomat e bujtinat e Thethit ishin të zëna gjatë të gjithë fundjavës. Duket se dëshira e Satës për të sjellë muzikë dhe veprimtari në fshatin e qetë, në këmbim të magjisë së tij, është realizuar plotësisht. Kjo do të thotë se nëse planifikoni të merrni pjesë në vitin e ardhshëm, duhet të prenotoni herët dhe të planifikoni me kujdes vizitën tuaj!

Zâ Fest 2018 në Theth, foto nga IntoAlbania.

Një nga arsyet kryesore që Sata organizon këtë festival është për fëmijët dhe pleqtë e fshatit. Me një rrugë e cila mbyllet për tre muajte e dimrit, duke e bërë të pamundur hyrjen apo daljen nga Thethi, vendasit nuk kanë shpesh rastin apo mundësinë të marrin pjesë në evente të këtij lloji. Zâ Fest sjell botën në pragun e tyre, një prag gjithmonë i ngrohtë dhe mikpritës. Madje duhet te kesh pak kujdes sepse një ndalesë për një kafe të thjeshtë në mëngjes tek Shpella Guesthouse, për ne u shndërrua në përfshirje në jetën e familjes, përfshi këtu edhe kotelet e sapolindura.

Sipas Satës, suksesi i Zâ Fest është i dukshëm në magjinë e reflektuar në fytyrat e pjesëmarrësve. Ka të drejtë! Kjo është një lloj magjie që nuk mund të regjistrohet apo të ruhet përmes fotove ose videove. Thjesht duhet të bëhesh pjesë e saj! Midis maleve, ajrit të freskët, hënës gjithnjë të pranishme (në fjalët e këngëve ashtu si edhe në qiell) dhe tingujve të muzikës, do të kuptoni që keni arritur në destinacionin tuaj dhe jeni pikërisht aty ku duhet.

Aktorja Ema Andrea duke lexuar poezi, e duke interpretuar legjendat dhe përrallat e zonës. Foto nga IntoAlbania.

Këshillat tona për udhëtimin në  Theth

Kur të prenotoni udhëtimin në  Theth, zgjidhni me kujdes agjensinë  e udhëtimit si edhe bujtinat në  fshat sipas cilësisë  dhe vendndodhjes. Zgjidhni vetëm ato më të  mirat!

Rezervoni bujtina pranë  Kishës së  Thethit (qendrës së  fshatit). Qëndrimi larg qendrës mund tju kushtojë shumë kohë dhe energji.

Duhen këpucë të  mira, jo-rrëshkitëse, të  posaçme për ecje e ngjitje mali. Në disa raste, terreni në Theth është i pjerrët dhe i vështirë.

Komunikoni paraprakisht me guidën e udhëtimit tuaj për çdo detaj.

Prenotoni herët për ZaFest 2019!