Korçë - Gërmimet Rastësore Nxjerrin në Dritë Objektin Arkeologjik - Into Albania

Korçë – Gërmimet Rastësore Nxjerrin në Dritë Objektin Arkeologjik

Një tjetër zbulim arkeologjik ka dale në dritë gjatë punimeve në një pronë private. Pranë fshatit Podgorie tek vendi i quajtur Kopace, midis Burrës dhe Kishnikut, në Bashkinë e Maliqit, është zbuluar një objekt arkeologjik i cili sipas arkeologëve rezulton të jetë një pitos.

Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës ndër të tjera për këtë zbulim arkeologjik thuhet se specialistët janë në terren për të kryer verifikime të mëtejshme.

“Menjëherë, pas vënies në dijeni të këtij zbulimi, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Korçë, ngriti grupin e punës, për të kryer inspektimin në terren dhe verifikimin paraprak të objektit”, thotë ministria. Njoftimi vijon, se sipas specialistëve pitosi është prej qeramike, i përzierë me guralecë të vegjël, me një lartësi prej 145 cm, gjerësi 65 cm dhe me një fund 16 cm. Objekti paraqitet i stërgjatur dhe ka një shirit në pjesën më të fryrë të trupit, një dekor plastik me gjerësi 5.5 cm dhe trashësi 2 cm. Mendohet që objekti t’i përkasë periudhës së vonë arkaike-klasike, të shek. VI-V p.k. Të dhënat çojnë drejt mundësisë së ekzistencës së një tjetër objekti të ngjashëm, në terren. Punimet në terren pritet të nxjerrin në dritë të tjera të dhëna,” shkruan Ministria e Kulturës për këtë zbulim në Maliq.

Zbulimi arkeologjik në Bashkinë Maliq. Foto nga Ministria e Kulturës

Zbulimi arkeologjik në Bashkinë Maliq. Foto nga Ministria e Kulturës

Vendbanim i Maliqit ka qenë banuar pa ndërprerje që nga periudha e neolitit e deri në atë të hekurit të hershëm dhe është studiuar nga arkeologu Frano Prendi. Kronologjia e Maliqit merret si referim për studimet e qendrave prehistorike të Greqisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë. Mbi bazën e studimit të materialeve të Maliqi është përcaktuar dhe rruga e formimit të popullsisë ilire gjatë epokës së bronxit në Shqipëri. Materialet e zbuluara në Maliq gjenden në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.