Kush është aventurierja e bukur dhe e guximshme që zbulon Shqipërinë e vërtetë e plot adrenalinë? - Into Albania

Kush është aventurierja e bukur dhe e guximshme që zbulon Shqipërinë e vërtetë e plot adrenalinë?

Nga zyrat e kompanisë prestigjioze në Londër në aventura nga më të paparashikueshmet në të gjithë botën, Eva zu Beck merr rrugët më të rrezikshme por ato më të bukurat e Shqipërisë.

Aventurierja tashmë shumë e njohur Eva zu Beck nuk ishte gjithnjë e tillë. Lindur në Poloni, rritur në Angli, emri i saj i vërtetë është Ewa Zubek por ajo njihet më mirë si Eva zu Beck, sipas profilit të saj në mediat sociale. Para tre vitesh ajo la punën e saj në Londër, në kompaninë e mirënjohur Culture Trip, për të shkuar në Nepal. Mbas tre vitesh, e gjejmë si një prej liderave të botës së udhëtimeve e aventurës, me 2 milionë ndjekës nëpër kanalet e mediave sociale dhe 80M+ shikime në videot e saj. E diplomuara nga Universiteti Oxford, Eva tashmë ka vite që udhëton nëpër botë në vendet më të papritura.

Eva zu Beck në jug të Shqipërisë.

E përshkruan veten si “aventuriere dhe YouTuber që udhëton nëpër vende që nuk mund ti gjeni në mediat e njohura të udhëtimeve.” Eva e kërkon aventurën, ndonëse në disa raste, si më poshtë, aventura i dhuron më tepër adrenalinë seç mendonte! Së fundmi, ajo ka publikuar videot e saj plot adrenalinë por edhe mikpritje e ngrohtësi nga Shqipëria.

Eva me veshje popullore në Gjirokastër.

Rruga drejt Nivicës

Udhëtimi i parë tregon rrugën e saj bashkë me guidën drejt fshatit të Nivicës. Ndoshta ata që e kanë vizituar e dinë mirë, por ka shumë njerëz të cilët janë të papërgatitur për një pjesë të rrugës që vërtet teston guximin! Ndonëse Eva edhe kënaqet me këtë aventurë të papritur, ajo pyet veten si të tjerët e përshkojnë këtë rrugë të rrezikshme. Ardi, guida e saj, është shofer profesionist dhe drejton makinën më të përshtatshme për tërrenin (fuoristradë) e, megjithatë, Eva nervozohet dukshëm. Por, si shpeshherë në këto raste, Eva e kupton vlerën e udhëtimit pasi mbërrin në destinacionin e magjishëm të Nivicës. Pamjet e ujëvarës madhështore, qëndrimi dhe ushqimi në bujtinën e Petritit dhe Dushes, dhe ngrohtësia që ajo gjen aty, i japin kuptim gjithçkaje.

“2 ditë ecje në natyrë në Shqipëri – 100% e papritur! Shqipëria është pa diskutim një nga vendet më të bukura në Evropë. Malet e saj mirëpritën aventurën time të rradhës dhe nuk mund ta kisha parashikuar se çfarë do të ndodhte”

Rrugës drejt Peshtanit

Ditën e parë, Eva ecën për 10 kilometra drejt fshatit Hoshtevë duke ndjekur gjurmët e barinjve të zonës, gjurmë të cilat krijojnë rrugë më të shkurtra mespërmes barit drejt fshatit. Gjatë rrugës takon vendas, zbulon bunkerët e fshehur në zonë, dhe arrin të shtëpia e Lirisë, vendase e cila e mirëpret Evën dhe e fton të kalojë natën aty. Aty Eva provon fasulet dhe çajin shqiptar. Ajo habitet nga mikrpitja e Lirisë:

“Jo vetëm më dha për të ngrënë dhe më ftoi të kaloj natën në shtëpinë e saj por edhe më përgatiti krevatin e deri më mbuloi. Jam shumë e prekur.”

Ditën e dytë, ajo ecën për thuajse 9 orë dhe përshkon 23 kilometra për të arritur në destinacionin e fshatit Peshtan. “Jam shumë lodhur por e lumtur,” shprehet ajo në fund.

Bashkojuni komunitetit global që ndjek Evën dhe aventurat e saj në Facebook apo Instagram, si edhe në kanalin e saj në YouTube.